Mahmuti: Dhuna në familje ka shënuar rënie

Gjilan – Elmina Mahmuti, komandante regjionale e PK-së në Gjilan, ka thënë se nga këndvështrimi policor, dhuna në familje ka shënuar rënie gjatë këtij viti, në krahasim me vitin 2014, kur ishin raportuar 179 raste në tërë regjionin e Gjilanit. Por, Mahmuti ka theksuar se dhuna në familje është një problem kompleks, prandaj duhet angazhim i një mekanizmi të gjerë për t`u marrë me këtë problem.
Në Gjilan po punohet shumë për avancimin e barazisë gjinore. Këtu ekziston Komiteti për Barazi Gjinore (KBGJ), Mekanizmi koordinues kundër dhunës në baza gjinore dhe organizata tjera që merren me këto të drejta. Në një debat me rininë shkollore, ku janë shkëmbyer përvoja, mendime e ide rreth kësaj dukurie negative në shoqërinë tonë, u tha se dhuna nuk është karakteristikë vetëm e Kosovës, sepse edhe shtetet më demokratike në botë janë të prekura nga ky fenomen.
Familja ka një rol të madh në shëndetin e kombit, prandaj duhet kujdes kur bëhet fjalë për dhunën në familje, në mënyrë që ajo të mbrohet nga kjo dukuri, por edhe të mos shkatërrohet për një zënkë apo grindje të vogël, të cilat janë normale në çdo shoqëri.
“Bëhu burrë e mos rrah gra”
Gjylshen Berisha thotë se Komiteti për barazi gjinore është themeluar para pesë muajve, në funksion të ngritjes së vetëdijes për nevojën e respektimit të barazisë gjinore. “Qëllimi ynë është vetëdijesimi i shoqërisë, që të bëhet pjesë e përpjekjeve për ndryshimin e konceptit mbi barazinë gjinore”, ka thënë Berisha.
Kristina Jovanovska, përfaqësuese e OSBE-së, në një debat me nxënës të shkollave të mesme të Gjilanit, ka thënë se dhuna në familje ndodh edhe për faktin se në disa shoqëri, femrat janë mësuar tradicionalisht ta pranojnë nënshtrimin. Kosova ka një kuadër të avancuar ligjor në sferën e luftimit të dhunës në familje, por sipas saj, duhet të shikohet se si funksionojnë këto raporte edhe brenda familjes.
Kurse Sadete Tërnava-Osmani, zyrtare e OSBE-së, i ka inkurajuar të rinjtë që të themelojnë grupe të vogla, të cilat do të merren me barazisë gjinore, duke nënvizuar si shembull të mirë një projekt në Prishtinë, të titulluar “Bëhu burrë”.
Sa i përket ligjeve, Drita Rexhepi, koordinatore për ndihmë juridike, thotë se Kosova i ka ligjet e mira, por nuk po zbatohen sa duhet. Sipas saj, dhuna nuk është karakteristikë e shoqërisë kosovare, sepse ky fenomen haset edhe në shtetet me demokraci të zhvilluar. “Problemi i dhunës në familje lidhet me personalitetin e një individi. Viktima të dhunës, nuk janë vetëm gratë, por edhe burrat, fëmijët, pleqtë”, ka thënë Rexhepi.
Kurse Elmina Mahmuti, komandante regjionale e PK-së në Gjilan, ka thënë se nga këndvështrimi policor, dhuna në familje ka shënuar rënie gjatë këtij viti, në krahasim me vitin 2014, kur ishin raportuar 179 raste në tërë regjionin e Gjilanit.
Por, Mahmuti ka theksuar se dhuna në familje është një problem kompleks, prandaj duhet angazhim i një mekanizmi të gjerë për t`u marrë me këtë problem.
Mirënjohje për gratë kryefamiljare
Vjollca Jakupi, koordinatore kundër dhunës në familje, thotë se në këtë funksion, Mekanizmi komunal kundër dhunës në baza gjinore, ka zhvilluar aktivitete të ndryshme në kuadër të “16 ditë të aktivizimit kundër dhunës në baza gjinore”.
Ajo shpreson që këto aktivitete, të mbështjella me ngjyrën portokalli, si simbolikë e një të ardhme të lirë, pa dhunë ndaj grave dhe vajzave, do të ndikojnë në ngritjen e vetëdijes së qytetarëve në raportin ndërgjinor. “Përmes fotografive të ndryshme, që janë realizuar nga të rinj të moshës 14-20 vjeçe, janë portretizuar heronjtë dhe heroinat e tyre personale të barazisë gjinore. Në këto imazhe paraqiten njerëz të cilët në jetën e tyre të përditshme, në një mënyrë apo tjetrën, luftojnë për një shoqëri më të barabartë. Ndër këta persona që janë portretizuar përfshihet gruaja e vetme taksiste në Kosovë, një baba që i bën punët e shtëpisë, vajza rome, ashkalie dhe egjiptiane që luftojnë për arsimimin e tyre dhe, një gjysh që rritë të gjithë fëmijët e tij në mënyrë të barabartë. Mesazhi i të gjitha këtyre imazheve, është barazia”, thotë Jakupi.
Komuna e Gjilanit ka ndarë edhe mirënjohje për gratë kryefamiljare dhe ka shpallur edhe “qytetar nderi”, për sakrificën që kanë bërë ato për familjen, thotë ajo. Jakupi shpreson se në vitet e ardhshme, përderisa vazhdon kjo traditë, çdo herë e më shumë njerëz, jo vetëm që do të fillojnë të flasin kundër dhunës ndaj grave, por ata edhe do të punojnë së bashku për t’i dhënë fund kësaj dhune.
Mursel Zymberi, drejtor i Qendrës për Punës Sociale, kërkon nga të rinjtë që të flasin hapur për dhunën në familje, ku ajo ekziston, sepse ndryshe, heshtja e rasteve e pamundëson luftimin e kësaj dukurie negative në shoqëri./rajonipress/