ARKATANA

Mafiozëve të politikës dhe të biznesit t’u bllokohen xhirollogaritë

/ 5 minuta lexim
ARKATANA

Vjet janë sekuestruar pasuri në vlerë 31 milionë euro. Njohësit e fushës së ekonomisë ju sugjerojnë krerëve të tanishëm të shtetit të Kosovës, në veçanti atyre të gjyqësisë dhe prokurorisë, që urgjentisht të bëhet bllokimi i të gjitha xhirollogarive bankare, i të gjitha atyre bizneseve që dyshohet se janë të lidhura këmbë e krye me qeverinë dhe me bosët e politikës. Ata kanë dhënë shembullin se si kanë vepruar shtetet e tjera, më konkretisht Kroacia, e cila e ka burgosur ish-kryeministrin Ivo Sanader që ishte akuzuar dhe më pas edhe është dënuar për zhvatje dhe vjedhje të parave të taksapaguesve kroatë. Analistët thonë se vetëm atëherë shteti i Kosovës dhe qytetarët e saj mund të shohin një dritë të vogël shprese në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar që e ka kapluar shoqërinë kosovare të pasluftës. Ndërkaq, koordinatorët kombëtarë në luftimin e krimit ekonomik kanë njoftuar se për ta bërë këtë paraprakisht nevojitet që të ketë dyshime të bazuara dhe fakte se personat apo subjektet juridike kanë kryer vepër penale.

Shtohen konfiskimet

Shqipdon Fazliu, koordinator kombëtar për luftimin e krimit ekonomik, thotë se për të bllokuar llogaritë bankare duhet që të ketë dyshim të bazuar se personi apo subjekti juridik ka kryer vepër penale.“Nëse kemi hetim apo dyshim se dikush është i involvuar në vepër penale dhe se ka bazë juridike për të bllokuar llogaritë bankare, atëherë kjo do të ndodhë në secilin rast dhe nuk ka rëndësi nëse janë biznese apo persona fizikë dhe kush me kë është i lidhur ”, thotë ai. Fazliu ka folur për punën që po e bëjnë institucionet e Kosovës në luftimin e krimeve të kësaj natyre. Ai tha se në vitin e parë të funksionimit të saj vlera e sekuestruar përkohësisht e pasurisë në vitin 2014 nga ana e institucione të drejtësisë arrin shifrën rreth 31 milionë euro, ndërsa ajo që është konfiskuar me vendim përfundimtar arrin shifrën rreth 500 mijë euro. “Viti 2014 definitivisht mund të themi që është vit i frytshëm në fushën e sekuestrimeve dhe konfiskimeve dhe këtë do ta dëshmojmë me faktin se gjatë vitit 2013 për shembull shifra e sekuestrimeve ka qenë vetëm 1 milion e gjashtë qind mijë euro, kurse në vitin 2014 kemi një pasuri të sekuestruar në vlerë prej rreth 31 milionë euro”, ka thënë Fazliu.

Të merret model rasti i Sanaderit

ARKATANA

Ndërkaq, alarmin se nuk po luftohet qëllimisht krimi ekonomik nga ana e shtetit e ka dhënë analisti i ekonomisë dhe i doganave, Lutfi Rexhepi. Ai thotë se pushtetarët tanë nuk po e luftojnë qëllimisht krimin ekonomik dhe këtë e bëjnë për interesa të tyre, sepse një pjesë e tyre edhe ka dyshime të mëdha se janë të involvuar me këto krime.“Si shembull për Kosovën duhet që të shërbejë më konkretisht Qeveria e Kroacisë, e cila e ka burgosur ish-kryeministrin Ivo Sanader me akuzat dhe më pas edhe me çminimin për zhvatje dhe vjedhje të parave të taksapaguesve kroatë”. Rexhepi tha Sanaderit i janë bllokuar të gjitha kontot e tij personale, por edhe llogaritë e bizneseve që kanë bashkëpunuar e kanë qenë të lidhura me të. Rexhepi ka njoftuar se prokurori, Shqipdon Fazliu, ka dërguar për periudhën prill-qershor 2014 në Këshillin Prokurorial një lëndë për rastin“Fan” të Podujevës, ku janë të dyshuar 11 persona dhe përfshihet edhe një deputet i Kuvendit të Kosovës, të cilët janë të dyshuar në çështjen e privatizimit të ish-Fabrikës së Armaturave në Podujevë. Eksperti Rexhepi thotë se prokurori i rastit nuk ka dhënë urdhra për ngrirjen e xhirollogarive të personave të dyshuar dhe kjo gjë mund të ndikojë drejtpërdrejt në këtë rast. “Urdhrat për ngrirje të xhirollogarisë fatkeqësisht nuk po zbatohen si duhet”, tha ai.

Bosët e politikës, burim i të këqijave

Ndërsa, analisti Faik Krasniqi, njohës i çështjeve ekonomike, thotë se bllokimi i llogarive të bizneseve të lidhura me Qeverinë, apo më mirë të themi me bosët e politikës, duhet të ndodhë, edhe atë sa më parë, sepse këto biznese kanë qenë burim i të gjitha të këqijave në Kosovë, duke filluar nga monopoli, informaliteti, shkatërrimi i ekonomisë, pasurimi i paligjshëm etj.“Tek atëherë dhe me një hetim pak më të thellë do ta kuptojë edhe opinioni se kush fshihet prapa këtyre bizneseve të pista, që tash e 16 vjet kanë qenë katalizatorët për shkatërrimin e ekonomisë së Kosovës dhe pasurimit të paligjshëm të dhjetëra politikanëve dhe bishtave të tyre” ka thënë ai. Petrit Balija, kryetar i Shoqatës së Bankave të Kosovës, tha se sa i përket luftës kundër pastrimit të parave, bankat në Kosovë punojnë sipas Ligjit për parandalimin e pastrimit të parave dhe parandalimin e financimit të terrorizmit, me ç’rast ato raportojnë me rregull të gjitha transaksionet e dyshimta te Njësia për Inteligjencë Financiare e Kosovës.

(Kosova Sot)