ARKATANA

Mafio-politikanët instaluan shtetin e Shantazhit

/ 9 minuta lexim
ARKATANA

Duke parë lidhjen e ngushtë të politikës me krimin dhe korrupsionin, që nga zanafilla e krijimit të institucioneve të para të pasluftës, nën administrimin ndërkombëtar, dhe mosveprimin e drejtësisë për të shkëputur këto lidhje, analistë vlerësojnë se jo vetëm në fazën e administrimit të UNMIK-ut, por edhe pas shpalljes së pavarësisë, Kosova si shtet i ri ka vazhduar të ndërtohet dhe funksionojë si një shtet i krimit dhe shantazhit.

PA DEKRIMINALIZIM, KOSOVA DO TË MBETET VRIMË E ZEZË

Prapaskenat dhe dallaveret dominojnë politikën

Politologu Gurakuq Kuqi pohon se janë kryesisht institucionet kyçe të shtetit, si gjykatat, doganat, shërbimet publike, sektorët e prokurimit dhe gjithçka në Kosovë, që janë prekur nga krimi, korrupsioni dhe shantazhi. Përkundër që ka ligje të forta kundër korrupsionit, ai thotë se nuk ka një sistem gjyqësor për t’i zbatuar ato

Duke parë lidhjen e ngushtë të politikës me krimin dhe korrupsionin, që nga zanafilla e krijimit të institucioneve të para të pasluftës, nën administrimin ndërkombëtar, dhe mosveprimin e drejtësisë për të shkëputur këto lidhje, analistë vlerësojnë se jo vetëm në fazën e administrimit të UNMIK-ut, por edhe pas shpalljes së pavarësisë, Kosova si shtet i ri ka vazhduar të ndërtohet dhe funksionojë si një shtet i krimit dhe shantazhit. Kjo mënyrë e shtetndërtimit jofunksional po vazhdon, ngase sipas analistëve politikë, protagonistët e këtyre viteve janë mësuar me shantazhe, kërcënime, prapaskena, dallavere e mashtrime, prandaj edhe shantazhi është bërë model pune ne shtetin e brishtë të Kosovës. Tani edhe emërimet e ndryshme, kur janë bërë nga mafio-oligarkët e pushtetit, gjithnjë janë bazuar në mundësinë e shantazhit, sepse kjo klase politike është mësuar të shantazhojë rivalët, të shantazhojnë bile edhe njëritjetrin, për interesa të ngushta, për tenderë, për para, për pushtet, duke e bërë të shantazhuarit mënyrën e të menduarit e jetesës, formë qeverisjeje, sindromë të pashërueshme dhe të metastazuar në shoqërinë kosovare, ngase politikanët e inkriminuar këtë formë veprimi, shantazhin, e kanë të vetmen mënyrë për të mbetur në pushtet.

Kur sundon ligji i xhunglës

Sipas analistit politik, Albrim Badallaj, kur në një vend mungon forca e ligjit, ajo realisht edhe zëvendësohet me ligjin e të fortit apo siç njihet ligjin e xhunglës, prandaj në Kosovë kjo formë ka ardhur si rezultat edhe i keqmenaxhimit nga UNMIK-u, por edhe nga pala vendore, duke e injoruar ligjin dhe duke qenë ithtar të kleptokracisë. “Këtu përmendim ndërkombëtaret, meqë ata janë garancia e funksionimit të shtetit tonë, të çështjes së sigurisë territoriale, por edhe të çështjeve të brendshme, përmes misioneve të caktuara të tyre, sidomos në sferën e ligjit. Edhe diskursi politik tek ne ka qenë i ulët dhe fyes, gjë e cila ka bërë që ky komunikim të përcillet edhe në instanca më të ulëta dhe ndërmjet qytetarëve”, tha Badallaj. Sidoqoftë ai konsideron se megjithatë Kosova nuk mundet të jetë si Shqipëria e viteve ’97, ku të fortët udhëheqin qytete, e ku ligji nuk vlente për ta, e as shantazhet nga të fortët e politikës, sepse shqiptarët asnjëherë nuk janë identifikuar si popull që kanë frikë dhe që përulen para kërcënimeve dhe shantazheve, sidomos kjo në ato familje e grupime në të cilat ka vlejtur dhe vlen kanuni, si ligj i pashkruar, por që ata njerëz të politikës kanë ditur dhe kanë zgjedhur se kënd duhet ta shantazhojnë apo edhe kërcënojnë. “Shantazhi është një veti e ulët dhe një shprehi, e cila shpie në fiksim e sindromë dhe si e tillë shumë politikëbërës e zgjedhin si formën më të lehtë për të arritur qëllimet e tyre. S’po flasim për shantazhe dhe kërcënime të rënda, por edhe për ato për largim nga puna apo për ndërprerje kontratash, të cilat janë presion për ata individë dhe indirekt edhe për qytetarët në përgjithësi”, u shpreh ai. “Politikanët të cilët përdorin shantazhin si formën më të lehtë për të arritur qëllimet e tyre të ngushta, definitivisht përfaqësojnë një politike provinciale dhe mesjetare dhe siç duket qytetari dalëngadalë është duke i ndëshkuar individët e tillë me votë, meqë drejtësia vendore dhe ajo e EULEX-it, le për të dëshiruar ende, në këtë drejtim”, tha Albrim Badallaj për “Kosova Sot”.

Uji Dea

Investitorët ikin nga haraçi

Politologu Gurakuq Kuqi pohon se janë kryesisht institucionet kyçe të shtetit, institucionet shtylla, si gjykatat, doganat, shërbimet publike, sektorët e prokurimit dhe gjithçka në Kosovë, që janë prekur nga krimi, korrupsioni dhe shantazhi. Përkundër që ka ligje të forta kundër korrupsionit, ai thotë se nuk ka një sistem gjyqësor për t’i zbatuar ato. “Nuk mund të punësohet askush as në gjykata e as në vendin më të thjeshtë të punës pa partitë politike e ato vende mbesin bosh kur ka përplasje politike. Raporte të organizatave ndërkombëtare informojnë se katër në dhjetë qytetarë raportojnë se u është dashur të ofrojnë ryshfet gjyqtarëve ose u është kërkuar një gjë e tillë, dhe për më keq gjykatat vazhdon të ketë afro gjysmë milioni lëndë të pazgjidhura. Njerëzit vdesin e rastet gjyqësore kurrë nuk zgjidhen”, theksoi ai. “Kemi rastet e shumta, që investitorët ikin nga Kosova për shkak të haraçit, madje rastin e fundit e kemi me një kompani farmaceutike që iku nga Kosova për shkak të haraçit dhe shkoi në Maqedoni, pa haraç dhe me taksa zero”, vijoi më tutje Kuqi. “Një raport tjetër thotë se gjysma e kompanive në Kosovë raportojnë se duhet të japin haraç dhe dhurata zyrtarëve të qeverisë për të siguruar kontrata publike, e ka një numër më të madh që nuk raportojnë. Pastaj ka shumë biznese që puna u ka mbetur në gjysmë, për shkak se u është kërkuar haraç qoftë në para dhe pronë të paluajtshme. Të gjitha këto vijnë nga partitë politike, të cilat e formojnë pushtetin dhe nuk janë dorë e padukshme, por njerëz që ne jemi dëshmitarë për pasurimin e shpejtë të tyre, krimet, interferimet në çdo gjë, dhe të gjitha këto janë sekrete publike”, tha Gurakuq Kuqi për “Kosova Sot”.

Lufta u harrua, triumfoi lakmia

Sipas analistit politik, Ali Hertica, kjo formë e keqqeverisjes së vendit është njolla me e zezë që po e nxin shtetin e ri të Kosovës, që akoma po vuan plagët e luftës, sepse askush nuk e ka menduar që në ditët e para të çlirimit, kasta politike do të marrë një model të tillë të mbrapshtë të shtetndërtimit të tipit mafioz. “U desh më shumë sakrificë të bëhej një luftë e përgjakshme, e cila dukej se do të jetë edhe pas mbarimit një adut i fortë i ruajtjes së unitetit dhe vazhdimit të shtetndërtimit serioz, të drejtë e me duar të pastra. Mirëpo, tani mbas kësaj katrahure që përpiu Kosovën nga furtunat sllavo-çetnike del se politikëbërësit paskan qenë të etur vetëm për pushtet dhe interesa personale, për pasurim me çdo mënyrë dhe mjet, dhe për marrje e mbajtje të pushtetit deri me shantazhe dhe krim të organizuar, për të ruajtur dhe pasur gjithçka për vete dhe klanet e tyre kriminale, për grupet që veprojnë dhunshëm me prapaskena, kërcënimet dhe mashtrime e tyre kriminale, duke i harruar të gjitha ato që i përjetoi populli si tërësi, qytetari i padjallëzuar”, tha Hertica për “Kosova Sot”.

Sipas tij, tani qytetari i zakonshëm është bërë objekt normal i mashtrimit tradicional, sepse në shtetin e varfër të Kosovës është bërë trend ditor, që në të gjitha sferat e funksionimit të shtetit, të punësimit etj, shantazhi apo ryshfeti të përdoret si mjet.

“Të fortët” e nënshtruan shtetin

Analisti Jeton Kelmendi thotë se tani Kosova e ka humbur betejën me të “fuqishmit” e politikës dhe para politikës tash e 17 vjet. “Natyrisht se shantazhet janë forma më e zakonshme në raste të tilla si puna e Kosovës me këta njerëz të inkriminuar në shkelje ligjore dhe abuzime me paratë publike. Fat i keq është se nuk po mund të çlirohet ky popull nga këta njerëz, edhe pse secili e di pak a shume se kush janë abuzuesit, por kjo është rast për studim. Nuk mund ta kuptoj logjiken e shoqërisë kosovare se si edhe e di se nga kush po vijnë të këqijat dhe sërish po hesht para të keqes”, ka theksuar ai. “Në emër të lirisë dhe të së ardhmes këta njerëz po ia shtypin të ardhmen këtij populli dhe këtë më shume vetëdije, mirëpo akoma nuk janë kah fundosen këta njerëz dhe strukturat e tyre. Tragjikomikja më e madhe është se e ashtuquajtura drejtësi në Kosovë po bën politikë dhe herë liron kriminelë, e herë burgos dhe kush s’e merr vesh se ku është e vërteta. Këtu çdo gjë është bërë lojë dhe humor dhe pothuajse asgjë nuk ka ngelur serioze, madje as atdheu i shenjtë nuk ka mbetur më serioz, sepse veç i teket shefit të shtetit Hashim Thaçi dhe e fut në pazar me Vuçiqin dhe as nuk respekton as ligje as institucione, bash asgjë”, u shpreh Jeton Kelmendi për “Kosova Sot”

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Nëse e çaktivizoni këtë cookie, ne nuk do të jemi në gjendje t'i ruajmë preferencat tuaja.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.