Eko Higjiena

Mafio-politika, oligarkët e monopolet zbehin shpresën ekonomike

/ 8 minuta lexim
ARKATANA

Sundimi i egër, pengesë për zhvillimin e vendit

“Bizneset e ndershme, që nuk kanë lidhje me pushtetarët e tashëm, do ta kenë shumë të vështirë që të mbijetojnë. Mungesa e sundimit të ligjit dhe veç saj edhe ajo e energjisë elektrike do të jenë mesazhi më i keq që Kosova mund t’u dërgojë investitorëve të huaj, aq më tepër kur dihet se që nga pavarësia e këtej ka pasur një rënie drastike të investimeve të huaja. Çdo ditë, sa më shumë që mbetet në pushtet kjo garniturë e sundimtarëve të Kosovës, do të jetë fatale për ekonominë e vendit ” , thotë deputeti Salih Salihu për “Kosova Sot”

Analistë të ekonomisë dhe deputetë të opozitës kanë bërë një sërë akuzash në adresë të Qeverisë së Kosovës se nuk ka kurrfarë shpresash në planin ekonomik për këtë vit 2019. Nga njohësit e kësaj fushe me të drejtë thuhet se edhe ky vit do të jetë një vit i harxhimit të pakontrolluar të parasë publike. Analistët theksojnë se Qeveria “Haradinaj” do të vazhdojë edhe këtë vit monopolin kriminal në biznes pa konkurrencë dhe pa një treg të lirë, meqë ky pushtet aktual nuk dha asnjë shenjë gjatë vitit të shkuar se do të luftojnë monopolet.

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Salih Salihu(PSD) ,për gazetën “Kosova Sot”, thotë se nga përvoja e deritashme e sundimit të kësaj Qeveria glamuroze është shumë i sigurt se me Qeverinë e tashme të Kosovës nuk ka kurrfarë shpresash në planin ekonomik për këtë vit 2019. “Kur e them këtë bazohem në faktin se edhe ky vit do të jetë një vit i harxhimit të pakontrolluar të parasë publike”, u shpreh ai. Sipas Salihut, ajo që do të jetë më e keqja është fakti se nga Qeveria “Haradinaj” do të vazhdojë edhe këtë vit monopoli kriminal në biznes pa konkurrencë dhe pa një treg të lirë, meqë ky pushtet aktual nuk dha asnjë shenjë gjatë vitit të shkuar se do të luftojnë monopolet.

Vështirësi të mëdha për të bërë biznes

Kurse, analisti i ekonomisë Dardan Grapci, për gazetën “Kosova Sot” thotë se që nga pas lufta Kosova ballafaqohet me shumë sfida e probleme dhe njëri nga kryesorët është zhvillimi ekonomik, pasi bizneset kosovare po ballafaqohen me shumë barriera, në mesin e tyre edhe ndikimi i politikës në veprimtarinë e tyre afariste. “Ky ndikim po i dëmton tej mase bizneset që nuk kanë krah dhe si pasojë e ndikimit politik ato biznese po detyrohen që t’i zgjidhin dy rrugë, ose të mbyllin aktivitetin e tyre ose të japin përqindjen e kërkuar nga disa grupe mafioze”, u shpreh ai. Grapci tha se vendi ynë e ka një krizë të paparë, pasi çdo qeveri që vjen në pushtet po i ndryshon politikat ndaj bizneseve, çka edhe janë detyruar shumë biznese që ta mbyllin aktivitetin e tyre afarist, rreth 12.5 për qind e bizneseve të regjistruara deri më tani. “Ende ka probleme me fiskalizim, shumë biznese nuk janë fiskalizuar duke kontribuar në ekonominë informale dhe sigurisht me bekimin e politikës, sepse pa një mbështetje nuk do të kishim një gjendje e tillë”, potencoi ai.

Grapci shton se nga qindra aktakuza, në fund prapë po shpallen si të pafajshëm dhe gjithë ato keqpërdorime po kthehen në pikën fillestare, pa ndonjë fajtor. “Biznesmenët kosovarë kanë edhe qindra vështirësi të tjera, kamatat e larta, nepotizmin, korrupsionin, ekonomia informale, haraçin, mosfunksionimin e gjykatave e shumë parregullsi të tjera, të cilat po e vështirësojnë veprimtarinë ekonomike në vend. Kjo po ndodh, ngase janë politikanë të korruptuar, të profilit të lartë, dominojnë tregun në vend. Shumica nga politikanët kosovarë kanë biznese dhe këto biznese në shumicën e rasteve për çudi janë fituesit e tenderëve, përfitojnë grante”, vijoi më tej Grapci. Sipas tij, që këtë vit të kemi një zhvillim ekonomik të qëndrueshëm së pari na duhet një efikasitet i gjykatave dhe themelimi i një task-force të policisë ekonomike për t’i luftuar këta zhvatës me letra.

Papunësi alarmante

Mobi Casa

Ndërsa, deputeti i mëhershëm i Kuvendit të Kosovës, Xhevdet Neziraj, për “Kosova Sot’, tha se qytetarët janë të dëshpëruar me të gjithë rrjedhën politike dhe ekonomike të vendit, sepse mbi 50 për qind janë pa punë. “Por, që këtë vit kjo Qeveri të ketë suksese dhe ndryshime për të mirë, përfshirë edhe ekonominë, në radhë të parë duhet të mbizotërojë sundimi i ligjit dhe veprime konkrete dhe efikase, sepse të gjithë nga BE – ja po kërkojnë lufte të ashpër kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”, u shpreh ai. “Për të arritur këtë në radhe të parë është lufta ndaj atyre individëve që kanë krijuar një rrjet të fuqishëm ekonomik jo me punë dhe djersë, por duke i shfrytëzuar mangësitë ligjore dhe tranzicionin ekonomik më shumë i kanë shkaktuar dëme vendit sesa kanë ndikuar në ndërtimin e vendit. Në këtë vend duhet të ketë sundim të ligjit dhe askush të mos jetë mbi ligjin, as biznesmenë e as politikanë, por të vlejë ligji në mënyrë të barabartë për të gjithë dhe veç në këtë mënyrë mundemi të bëhemi pjesë e familjes së gjerë të BE-së”, vijoi më tej Neziraj. “Në vitin 2019 , Qeveria ‘Haradinaj’ duhet të ndërmarrë masa të shpejta për një zhvillim të hovshëm ekonomik pa monopole dhe oligarkike, sepse është koha e fundit që qytetari i vendit të jetojë me dinjitet dhe në perspektivë”, ka thënë ai.

Ekonomia e krimit

Ndërsa, afaristi Ramadan Maloku, anëtarë i Kryesisë së Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, ka thënë për gazetën “Kosova Sot”, se me këtë lloj të qeverisjes si kanë qenë deri më tash edhe nuk është pritur se do të kemi zhvillim ekonomik dhe investime të huaja apo vendore,po qe se këto biznese nuk janë pjesë e skemave mafioze dhe kriminale. “E themi lirshëm se pa dyshim edhe në Kosovë ekziston një ekonomi me elemente të krimit, me ryshfet dhe zhvatje dhe për pasojë e kemi situatën që po i largon investitorët e huaj”, vlerësoi ai.

Sipas Malokut, edhe kjo ka bërë që një pjesë të madhe të ekonomisë e zotërojnë mafio-oligarkët dhe nëntoka mafioze, të cilët e kontrollonin si politikën, ashtu edhe drejtësinë dhe gjithë dikasteret e shtetit. “Nëse edhe kjo Qeveri nuk e ndal këtë dukuri, atëherë Kosovën e qytetarët e saj i presin ditë shumë të vështira. Kjo, sepse në të gjitha ato shtete kur ekonomia e atij vendi është në duart të njerëzve të fuqishëm ekonomia në atë shtet i ka ditët e vështira’, ka theksuar Maloku.

Qeveria të mos harrojë lehtësirat e premtuara

Ndërsa, lideri i Aleancës Kosovare të Biznesit(AKB), Agim Shahini, për gazetën “Kosova Sot”, tha se në vitin që e lamë pas ekonomia e Kosovës mezi ka mbijetuar. “Qeveria do të jetë shumë më vigjilente se ka paralajmëruar dhe ka marrë vendim se që nga 1 janari 2019 do të ketë shumë lehtësira për bizneset dhe na mban shpresa se do të bëhet kthesë e madhe. Kjo kthesë duhet të shoqërohet edhe me luftën kundër informalitetit që si luftë nuk është e lehtë, por ajo luftë më në fund duhet që të fillojë një ditë. Qeveria ‘Haradinaj’ nëse do të ketë prioritete një gjë të tillë ajo mundet që ta bëjë. Ka monopole dhe bazuar në deklarimet e Haradinaj, se Qeveria e Kosovës do të krijojë barazi për të gjitha bizneset, presim se kjo do të ndodhë”, theksoi Shahini.

Me amatorë nuk qeveriset vendi

Eksperti i ekonomisë Sejdi Halimi, për gazetën “Kosova Sot” vlerësoi se që të ketë sukses në synimet e saj, Qeveria “Haradinaj” duhet të jetë e vendosur që të shkëputet nga mentaliteti i udhëheqjes i deritashme i qeverisjes që ka qenë në institucionet dhe dikasteret kyçe dhe në ministritë të parandalohen metodat e vjetra, duke emëruar në poste kyçe njerëz ekspertë dhe profesionistë dhe jo sikurse deri më tani, militantë partiakë. “Prandaj, vlerësoj se në këto dikastere kyçe qeverisëse dhe ministritë ku janë të vendosur militantët partiakë aty nevojiten të emërohen ekspertë të fushave përkatëse. Qeveria do të bëjë ndryshime të mëdha krahasuar me qeveritë e kaluara, duke e parandaluar mundësinë që në institucione dhe dikastere, të cilat janë bartëse të zhvillimit ekonomik, të udhëhiqen nga njerëz të aftë dhe profesionistë, që garantojnë suksese. Kjo politikë duhet të vlejë edhe për drejtësinë “, potencoi Halimi.