Mafio-oligarkët zhvatin milionat përmes tenderëve të prokurimit elektronik
Drejtues të KRRPP-së kanë njoftuar se prokurimi elektronik ka dështuar në ndaljen e tenderomanisë kriminale në Kosovë, ngase, sipas tyre, sërish korrupsioni dhe krimi i organizuar kanë vazhduar në Kosovë, edhe pse procedurat u modernizuan. Ndërkaq, shifrat tregojnë se nga 2000 zyrtarë publikë që hetohen çdo vit, askush nuk dënohet në fund nga drejtësia inekzistente në Kosovë.
Në mbledhjen e radhës të Komisionit për Buxhet dhe Financa, që u mbajt të enjten e kaluar, kryetari i Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP), Safet Hoxha, theksoi se platforma elektronike e Prokurimit Elektronik nuk i ka realizuar pritjet për luftimin e korrupsionit, edhe pse kur u proklamua kjo platformë u tha se dallimi mes prokurimit të deritashëm dhe atij elektronik është i madh, sepse ky i fundit siguron kursime, ka siguri më të madhe dhe qëndrueshmëri në procesin e konkurrimit. Ai theksoi se duhen edhe masa të tjera për të luftuar korrupsionin, pasi që prokurimi elektronik nuk i realizon pritjet e KRPP-së për të luftuar atë. Hoxha sqaroi se madje 97 për qind e të gjitha procedurave zhvillohen në prokurim elektronik. Ai shtoi se vlera më e madhe e kontratave janë në KEK, me 10 milionë e 500 mijë, dhe Postën e Kosovës, me 6 milionë.
Istogu: Paratë e qytetarëve po vidhen sërish
Deputeti i opozitës në Kuvendin e Kosovës, Salih Salihu, për gazetën “Kosova Sot” është shprehur se kur bëhet fjalë për problematikën e prokurimit publik në Kosovë, pa marrë parasysh se ai bëhet në metodologjinë e vjetër apo me metodologjinë e re të futur në përdorim, e-prokurimi, nëse ka vullnet të mirë tek përgjegjësit dhe kompetentët që punojnë në këtë sektor, në asnjë mënyrë nuk mund të bëhen keqpërdorime dhe të ketë krim të organizuar dhe korrupsion. Ai shton se i fundit që e shtyp sustën e llogaridhënies dhe kostos së një tenderi sërish është faktori njeri.”Andaj nëse nuk ka vullnet të mirë te përgjegjësit e kësaj fushe në synimin e tyre që ta kryejnë një punë si duhet, sërish do të ketë keqpërdorime në këtë fushë, sikurse që ka pasur më parë kur janë keqpërdorur me qindra miliona euro përmes metodës klasike të prokurimit”, është shprehur ai. Eksperti i ekonomisë, Zekim Istogu, për gazetën”Kosova Sot” theksoi se të dhënat e paraqitura ditë më parë nga drejtuesit aktualë të KRRPP-së (Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik të Kosovës), se edhe me prokurimin elektronik në Kosovë ka pasur dështime në ndaljen e tenderomanisë kriminale, vërtet janë shqetësuese, ngase i fundit që vendos për këto shuma është faktori njeri dhe jo makinat elektronike.”Aq më tepër këto fakte janë për keqardhje,pasi, ndonëse procedurat e prokurimit janë modernizuan, për fatin e keq të qytetarëve tanë, sërish taksat e tyre po vidhen, ngase korrupsioni dhe krimi i organizuar vazhduan me ritmin e vjetër, duke i vjedhur miliona euro edhe me këtë metodologji të prokurimit elektronik”, është shprehur ai.
Grapci: Nuk ka vullnet për luftimin e tenderomanisë
Eksperti i ekonomisë, Dardan Grapci, thotë për gazetën”Kosova Sot” se po shihet qartazi se edhe te pushtetarët tanë të tashëm të fushës së prokurimit, sikurse edhe te ata të kaluarit, po mungon dëshira për të luftuar fenomenin e tenderomanisë. Grapci theksoi se është vërtet për t’u habitur nga heshtja e institucioneve të drejtë- sisë, ngase edhe pse nga 2000 zyrtarë publikë që hetohen gjatë një viti kalendarik gati askush nga ta nuk dënohet fare në fund, kurse drejtësia bëhet inekzistente. Eksperti i ekonomisë, Mustafë Kadriaj, theksoi për “Kosova Sot” se fusha e prokurimit publik është alfa dhe omega e krimit në Kosovë, pra përmes prokurimit njerëzit e politikës së bashku me sponsoruesit e tyre e keqpërdorin çdo ditë paranë e Kosovës.”Pra, të gjitha ato institucione që janë krijuar, të gjitha janë vënë në shërbim të tyre, kështu që edhe nëse u dështon ndonjë tender përmes institucionit të ankesave dhe parashtresave e vonojnë nënshkrimin e kontratës së biznesit që e ka fituar i zgjatin procedurat pa mbarim, duke e bërë biznesin fitues që të heqë dorë nga tenderi i caktuar”, është shprehur ai. Kadriaj ka theksuar se po ashtu edhe drejtësia në vend nuk bën asnjë veprim përderisa t’i jepet drita e gjelbër nga mafio-oligarkia në vend, kështu që në Kosovë korrupsioni funksionon në mënyrë mjeshtërore dhe sistemore. Ai thotë se me këtë nivel të lartë të korrupsionit Kosovës nuk do t’i hapen rrugët drejt agjendës evropiane, por duke qenë dëshmitarë që shtetet në rajon kanë vendosur njerëzit e politikës, para drejtësisë, ka shpresë se po ndizet drita në fund të tunelit.
Neziraj: Keqpërdorimet më të mëdha, përmes tenderëve
Ish-deputeti Xhevdet Neziraj për gazetën”Kosova Sot” theksoi se korrupsioni dhe keqpërdorimet më të mëdha në vendin tonë janë bërë përmes dhënies së tenderëve kompanive të caktuara, që janë të ndërlidhura me individë të caktuar. Ai theksoi se asnjë tender nuk mund ta marrë ndonjë kompani, si në nivelin qendror ashtu edhe atë lokal, pa qenë të ndërlidhura me strukturat e caktuara që merren me çështjen e dhënies së tenderëve, pavarësisht modernizimit të prokurimit.”Për këto marifete që po bëhen me tenderë e kemi këtë gjendje në vend, andaj po t’i shikosh rrugët e asfaltuara nuk zgjasin më shumë se një mandat zgjedhor, pastaj shkollat e ndërtuara pas një viti pune bëhen që të rinovohen, barnat që merren janë më të shtrenjtat në rajon edhe shumë gjëra të tjera që po bëhen nëpërmes tenderëve po e shkatërrojnë buxhetin e vendit”, është shprehur ai. Shton se ndonëse ka akuza që sa vite me radhë ende ose shumë pak ka njerëz që janë dënuar për këtë çështje. “Edhe pse ka institucione që duhet të merren me këtë çështje, si KRRPP-ja dhe OSHPja, asnjëra nga këto institucione nuk e kanë kryer detyrën e vet për çka janë themeluar. Të gjithë e dinë në vendin tonë se pa dhënë ryshfet është vështirë që dikush të marrë ndonjë tender në bazë të meritave dhe kushteve që parashihen me tender”. Neziraj vlerëson se në secilin institucion të vendit njerëzit më me ndikim janë zyrtarët e prokurimit, sepse ata janë personat që dinë të bëjnë allishverishe dhe t’i japin tenderin asaj kompanie që dëshirojnë, duke mos përfillur asnjë kriter, ngase kriteret janë vetëm sa për mbulesë ligjore dhe asgjë tjetër. Ndërsa, afaristi Ramadan Maloku, ndryshe anëtar i Kryesisë së Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, për gazetën “Kosova Sot” theksoi se përderisa në Kosovë nuk ka sundim të ligjit, edhe në fushën prokurimit publik, qoftë ai i formës së prokurimit të thjeshtë apo prokurimit elektronik, ne do të kemi këtë gjendje.”Arsyeja se përse po ndodh kështu qëndron në faktin se kemi mungesë të gjyqtarëve që janë edhe trima, por edhe profesionistë, që duhet të merren me këtë lëmi. Prandaj, është koha e fundit që të ndërmerren masa urgjente nga institucionet tona dhe të ndalen keqpërdorimet, që po bëhen në këtë fushë”. Mirëpo, sipas Malokut, gëzon fakti se ka qenë kryeministri Ramush Haradinaj që ditë më parë deklaroi se do të hetohen të gjithë ata që kanë keqpërdorur me tenderët milionësh, të cilët e kanë dëmtuar buxhetin e vendin. Ai shton se pa një qeverisje me duar të pastra Kosova nuk ka ardhmëri të ndritshme.
(Kosova Sot)


