Mafio-oligarkët shpëlajnë miliona, prokuroria në gjumë
Të gjithë analistët dhe ekspertët njëzëri pajtohen se është për keqardhje heshtja e deritashme e Prokurorisë së Shtetit përballë fenomenit, që ka zënë rrënjë në Kosovën e pasluftës, atë të pastrimit të parave të pista, që po e bëjnë politikanët dhe qeveritarët tanë.
Dyshime të forta se pas kësaj skeme kriminale qëndrojnë pushtetarët
Të gjithë analistët dhe ekspertët njëzëri pajtohen se është për keqardhje heshtja e deritashme e Prokurorisë së Shtetit përballë fenomenit, që ka zënë rrënjë në Kosovën e pasluftës, atë të pastrimit të parave të pista, që po e bëjnë politikanët dhe qeveritarët tanë.
Analistët thonë se të gjitha këto punë të pista pushtetarët tanë po i bëjnë përmes disa djemve të rinj, që janë kryesisht të moshave prej 30 deri 40-vjeçarë, të cilët po ua pastrojnë paratë e pista. Sipas tyre, ky pastrim i parave të pista po bëhet sidomos në sektorin e ndërtimtarisë, por edhe në biznesin e derivateve të naftës, qoftë me shumicë apo edhe me pakicë.
Analistët thonë se ky pastrim i parave të pista po bëhet edhe në disa biznese të tjera, që janë shumë të fuqishme, por edhe janë monopoliste, ndërsa për mbi 10 vite rresht askush nuk po guxon që t`ua prishë monopolin antiligjor dhe antikushtetues. Analistët e shtrojnë në diskutim çështjen se përse edhe në Kosovë, ashtu siç e vërtetuan edhe përgjimet e bëra ndaj klanit “Pronto”, ku të gjithë thonë se pa ua larë fytin e thatë politikanëve të lidhur me nëntokën e inkriminuar, nuk ka shans të përparosh dhe as të mbetesh në biznes. Ndërkohë drejtësia vazhdon të heshtë. Me gjithë pyetjet e bëra në adresë të Prokurorisë Speciale të shtetit dhe Prokurorisë së Eulex-it, zyrtarët e tyre nuk kanë dhënë ndonjë përgjigje, për skemat kriminale të pastrimit të parave të pista.
Kompanitë e dyshimta, nën protektoratin politik
Analisti Nehat Emrullahu tha për “Kosova Sot” se korrupsioni dhe krimi i organizuar ekonomik duket se nisi me ardhjen e UNMIK-ut. “Në fakt kjo sëmundje ngjitëse nuk është diçka e re për shtetet postkomuniste dhe aq më tepër për Kosovën, kur këtu nëpërmes UNMIK-ut erdhi ‘i hunit dhe i konopit’, sigurisht që këta kërkuan dhe përkrahën ‘avangardën’ politike, e cila paturpshëm në emër të ‘drejtimit dhe zhvillimit të shtetit’ plaçkitën gjithçka që ishte e mundur”, u shpreh ai. Ai thotë se me këtë instaluan “biznesmenët” e pangopur me ose pa profil përkatës, por që ditën të dëgjojnë dhe të notojnë në ujërat biznesore kosovare. “Për miliona euro lexon dhe dëgjon në medie dhe gjykatë, sikur të flitet për 100 ose 1000 euro. Kishte edhe shantazhime dhe humbje pronash-shtëpi”, theksoi analisti Emrullahu. “Tash ka kompani multimilionere, që u zhvilluan në biznese shumë profitabile si furnizimi me mallra specifike institucionet shtetërore, industria e ushqimit, ndërtimtari, naftë me derivatet e saj. Sigurisht që këto kompani janë nën protektorat të figurave të mëdha politike”, vijoi më tutje ai. “Pastaj shpresa venitet edhe më shumë, kur shohim se kjo ndodh pothuajse te të gjitha subjektet politike”, ka thënë Emrullahu.
Ndikimi i ekonomisë joformale
Eksperti i kësaj fushe, Besart Qerimi, tha për “Kosova Sot” se fenomeni i pastrimit të parave në Kosovë mund të konsiderohet të jetë i përhapur, pavarësisht progresit të shënuar nga institucionet shtetërore të Kosovës. “Institucionet e sundimit të ligjit, që janë përgjegjëse për luftimin dhe parandalimin e pastrimit të parave nën përkrahjen e BE-së, janë duke punuar fuqishëm që të forcojnë në masë edhe më të madhe zotimin e tyre, që rastet e paraqitura si të dyshuara për pastrim të parave dhe financim të terrorizmit të adresohen nga ana e prokurorisë dhe gjykatave. Dukuria e pastrimit të parave në Kosovë konsiderohet të jetë e përhapur, kryesisht nga fshehja e detyrimeve tatimore, nëpërmjet dorëzimit të dokumenteve false, kompanive fiktive etj., gjë të cilën kohëve të fundit është paraqitur edhe në publik. Po ashtu ekonomia joformale në Kosovë ka zhvilluar një ambient të përshtatshëm për fenomenin e pastrimit të parave. Shkalla e ekonomisë joformale në Kosovë llogaritet të radhitet nga 30% deri në 35% të BPV-së totale”, është shprehur ai. “Pastrimi i parave është një aktivitet kriminal afatgjatë dhe i vazhdueshëm, që kryhet zakonisht në grup, shpeshherë nga më shumë se një person dhe ka një skopë më të gjerë ndërkombëtare dhe për këtë arsye Kosova ka ngecje në këtë pikë. Por, me inkuadrimin e Kosovës si pjese e ‘Egmont Group’, kjo po besoj që do të na ndihmojë”, vijoi më tej Qerimi. Sipas tij, problem i pastrimit të parave janë edhe çështja e kompanive ‘off-shore’. “Juridiksionet ‘off-shore’ që përdoren edhe nga vendet në zhvillim ushtrojnë një sekret relativisht të lartë në lidhje me pronësinë përfituese të kompanive të regjistruara në këto vende, si dhe të llogarive bankare të tyre”, është shprehur ai.
Konkurrenca e shkelur nga monopolet
Eksperti fushës së financave, Xhevat Meha, tha për “Kosova Sot” se edhe në Kosovë kemi një shkallë tepër të lartë të pastrimit të parave. “Kjo shkallë e lartë sigurohet nga konsolidimi i gjendjes së moszbatushmërisë së ligjit. Kjo gjendje e moszbatushmërisë së ligjit është efektive për më tepër se 10 vite”, theksoi ai. Meha foli edhe në lidhje me mungesën e konkurrencës së lirë, duke thënë se Kushtetuta e Kosovës e garanton ekonominë e konkurrencës së lirë të tregut. “Ndërkaq funksionimi i monopoleve, duopoleve dhe oligopoleve është shkelje e Kushtetutës së Kosovës. Kuptohet se përveç Kushtetutës, janë edhe ligjet e tjera përcjellëse, që sigurojnë konkurrencën e lirë”, u shpreh ai. Ndërsa, si shembull për të keq analisti Meha e mori monopolin e homologimit, ku shumë më e dobishme edhe për qytetarët dhe edhe për Kosovën do të ishte sikur në secilën komunë të kishte nga së paku dy qendra homologimi. Sipas tij, monopolet janë të krijuara nga individë, që janë të lidhur me zyrtarët e lartë të shtetit dhe ndajnë fitimet ndërmjet veti. “Zyrtarët e lartë shtetërorë janë në poste politike që një kohë të gjatë. Këta kanë siguruar mosfunksionim të institucioneve të drejtësisë dhe përmes kësaj kanë siguruar fuqizimin e monopoleve dhe në këtë mënyrë kanë siguruar fitime të larta për vete, krejt këto në kurriz të qytetareve dhe në kurriz të Kosovës”, u shpreh ai.
Shpëlarja e parave, në duart e mafio-politikanëve
Analisti Florim Rudhani tha për “Kosova Sot” se fenomeni i qarkullimit të parave me prejardhje të paligjshme apo si njihen në opinion me emrin si para të pista, është një dukuri tejet e përhapur e krimit të organizuar në shoqërinë bashkëkohore, sidomos në vendet që janë në tranzicion. Andaj, këtij fenomeni nuk i ka shpëtuar as Kosova si shteti më i ri në Evropë. “Në këtë dukuri përfshihen biznese të pista transaksione dhe aktivitete kriminale të ndryshme, që i bëjnë pushtetarët e të gjitha niveleve, nga të cilat janë fituar paratë e tilla të pista. Së këndejmi për t’i humbur gjurmët e mënyrës së krijimit të kapitalit financiar fillestar që ka origjinë të pistë, ato para kryesisht po investohen fusha të ndryshme, si në fushën e ndërtimtarisë, pasurive të paluajtshme, në sektorin bankar, biznesor, etj”, u shpreh ai. Analisti Rudhani tha se me depozitimin dhe me investimin e këtyre parave të pista në këto fusha, këto para më pastaj po përdoren si ‘para të lara’, dhe pasqyrohen se gjoja janë para të fituara nga veprimtaritë e ligjshme. “Në këtë mënyrë formohen edhe kompanitë, të cilat paratë e ‘shpëlara’ i përdorin vetëm si mbulesë për aktivitetet e tyre biznesore”, u shpreh ai. Sipas tij, në veçanti që nga pavarësia e deri më sot në Kosovë asnjëri nga ato biznese që nuk është pjesë e klanit “Pronto”, nuk ka asnjë shans që të kesh një sukses të mirëfilltë me biznes, ngase këtu çdo gjë është në duart e mafio-politikanëve, që po pastrojnë paratë e tyre të pista, duke i dërguar ato edhe jashtë shtetit dhe nëpër parajsat fiskale. Ai thotë se në këto punë të pista bëhet fjalë për pjesëmarrës që kanë lidhje me njerëz të pushtetshëm, të cilët njërën këmbë e kanë në shtet, e tjetrën këmbë e kanë biznesin. “Kjo po ndodh, ngase edhe shteti qëndron pas njerëzve të pushtetshëm dhe pasi edhe shteti qëndron pas tyre, sepse në një mënyrë këta njerëz me këto biznese janë pjesë e shtetit”, potencoi Rrudhani.
Pasuritë e mafiozëve duhet të konfiskohen
Ekonomisti Dardan Grapci tha për “Kosova Sot” se politikanët dhe qeveritarët tanë pastrimin e parave nuk po e bëjnë vetëm përmes të rinjve tek mosha 30- 40 vjeçare, por edhe tek më të rinjtë, ku në mesin e tyre ka madje edhe shumë adoleshentë të moshës 16-22 vjeçarë, që po punojnë në ndërtimtari me orar të zgjatur dhe vetëm me një pauzë 30-minutëshe sa për të ngrenë vetëm një herë ushqim. Ai sugjeron që Prokuroria e Shtetit duhet që të fillojë t’i hetojë këto ndërmarrje ndërtimore, që po i shkelin të drejtat e punëtorëve. Sipas Grapcit, po deshe të jetosh në Kosovë, të kesh një biznes të suksesshëm doemos duhesh që të kesh më pas lidhje me dikë që e ka krahun e fortë dhe është i lidhur me pushtetin , përndryshe biznesi juaj do të dështojë ose do të kërkojnë haraç. Ndërkaq, i pyetur se si do të konfiskohet pasuria e kësaj kategorie mafiozësh, analisti Grapci tha se zgjidhja më e shpejt kishte me qenë ‘Vetingu’. “Prandaj, qeveria e re në asnjë mënyrë nuk duhet që ta harrojnë ‘Vetingun’, por përkundrazi duhet që urgjentisht të aprovohet Ligji anti-mafia, të bëhet pastrimi i gjykatave dhe prokurorive, por edhe policisë dhe organeve të hetuesisë”, u shpreh ai. “Prokuroria e Shtetit në këto raste, si edhe zbardhjen e tyre e ka përgjegjësinë kryesore dhe në një- farë forme ajo ka qenë dhe është në dijeni të të gjitha këtyre skandaleve, ndërsa ka raste, kur prokuroria ka qenë pjesë e këtyre makinacioneve”, ka thënë Dardan Grapci.
(Kosova Sot)


