Uji Dea

Mafio-oligarkët po i dëbojnë investitorët

/ 9 minuta lexim
Mobi Casa

Analistët dhe ekspertët e fushës së ekonomisë theksojnë se politikat fiskale janë tepër të pafavorshme për diasporën, si pengesë e parë, dhe nga ana tjetër, ato frikësohen të investojnë, edhe pse kemi një diasporë të fortë ekonomikisht, sepse është krimi i organizuar dhe politika e haraçit nëpër të cilat duhet të kalojë një investitor nga diaspora për të vendosur të bëjë këtu biznesin e tij.

Mungojnë lehtësirat, nuk funksionon shteti ligjor

“Një rast është në magjistralen Prishtinë – FushëKosovë, ku ishin në plan të punësohen deri 4900 punëtorë. Shteti e pengoi dhe ai filloi investimin në Maqedoni. Tani, shtrohet pyetja se çfarë ka shteti maqedonas, që nuk kemi ne? Ata i siguruan një hektar tokë falas dhe 5 vjet të punojë investitori pa tatime. Pse edhe ne të mos përdorim lehtësira të tilla fiskale? Jemi vend i vogël dhe nëse investimet do t’i joshnim me një politikë fiskale të favorshme, për 10 vjet do të mund ta ndryshojmë gjendjen e rëndë ekonomike me trendë shumë të prekshëm pozitivë”, thotë Prof. Dr. Artan Haziri, njohës i fushës së ekonomisë

Sado që diaspora kosovare vazhdon të vlerësohet si një infuzion i rëndësishëm për ruajtjen e balancës dhe të mirëqenies së qytetarëve të Kosovës, krijimi i klimës për investimet e diasporës në Kosovë, në shtetin e tyre, sipas analistëve të fushës së ekonomisë dhe ekspertëve, nuk është as minimal. Vetëm në vitin 2017 diku, sipas statistikave të përafërta, kanë qenë më shumë se 740 milionë euro vlerë e remitancave dhe sipas vlerësimeve të tjera diku rreth 300 milionë të tjera si shpenzime që nuk kanë kaluar nëpër sisteme bankare e janë shpenzuar në Kosovë. Nga ana tjetër, ka shumë firma të forta të shqiptarëve, në Gjermani, në Zvicër, në Austri, në Suedi, e të mos flasim në SHBA, por asnjëra nga këto kompani akoma nuk po vjen që të investojë në Kosovë.

Analistët dhe ekspertët e fushës së ekonomisë theksojnë se politikat fiskale janë tepër të pafavorshme për diasporën, si pengesë e parë, dhe nga ana tjetër, ato frikësohen të investojnë, edhe pse kemi një diasporë të fortë ekonomikisht, sepse është krimi i organizuar dhe politika e haraçit nëpër të cilat duhet të kalojë një investitor nga diaspora për të vendosur të bëjë këtu biznesin e tij.

Politikat fiskale, të pafavorshme Prof. Dr. Artan Haziri, njohës i fushës së ekonomisë, thotë për “Kosova Sot” se diaspora nuk po investon në Kosovë shkaku i politikave fiskale te dështuara. Ai thotë se edhe ata pak kosovarë që kanë investuar, kanë ikur nga Kosova. Një nga faktorët që po ikën, për investimet nga diaspora, pengesat janë fillimisht ato doganore dhe më pastaj edhe tatimet jofleksibile. “Një rast është në magjistralen PrishtinëFushë -Kosovë, ku ishin në plan të punësohen deri 4900 punëtorë. Shteti e pengoi dhe ai filloi investimin në Maqedoni. Tani, shtrohet pyetja se çfarë ka shteti maqedonas, që nuk kemi ne? Ata i siguruan një hektar tokë falas dhe 5 vjet të punojë investitori pa tatime. Pse edhe ne të mos përdorim lehtësira të tilla fiskale? Jemi vend i vogël dhe nëse investimet do t’i joshnim me një politikë fiskale të favorshme, për 10 vjet do të mund ta ndryshojmë gjendjen e rëndë ekonomike me trendë shumë të prekshëm pozitivë”, u shpreh ai. “Shteti ynë, për të krijuar kushte të favorshme për investime, duhet që investitorëve të interesuar prej diasporës t’u krijohen kushte të veçanta, psh. tokë pa pagesë, tatime pas një periudhe 3 ose 5 vjet, lehtësira doganore dhe po ashtu krijimin e kushteve të mira dhe të lehta edhe për eksport”, potencoi Haziri për “Kosova Sot”.

Sipas njohësit të kësaj fushe Dardan Grapcit, pengesa më e madhe e thithjes së investimeve të huaja nga ekonomia e Kosovës, e posaçërisht atyre nga diaspora, është kërkimi i mitës dhe haraçi, pra korrupsioni klasik. “I vetmi problem që po e pengon diasporën e Kosovës që të investojë në Kosove është haraçi. E dimë nga vitet e kaluara kur shumë investitorë shqiptarë nga diaspora kanë dashur të investojnë, por zyrtarët komunalë ua kërkonin një grumbull dokumentacionesh, nënshkrimesh, etj., që do të thotë ua zvarritnin punët investitorëve, ku në fund troç ua thoshin, që nëse duan të investojnë, duhet të shtinë diçka në xhepat e tyre. Ka shumë investitorë edhe të huaj që janë nga SHBAja, Izraeli, Gjermania etj., që kanë dëshirë të investojnë, por ajo se çka po i ndal, është politika e inkriminuar dhe kriminaliteti i lartë që po ndodh në vendin tonë”, tha Grapci për “Kosova Sot”.

Remitancat nuk shkojnë në investime Analisti i ekonomisë politike, Mustafë Kadriaj thotë se një injorim i tillë i diasporës do t’i kushtojë shumë shtetit të Kosovës në perspektivën e vet zhvillimore. “Kontributi i diasporës ka qenë në çdo kohë, por tani ka ndryshuar koncepti i remitancave, sepse gjenerata e re, në mungesë të mundësive për të investuar në biznese, investojnë në shtëpi banimi e të ngjashme. Pra, duke mos pasur hapësirë, diaspora mjetet ose i deponon në banka komerciale ose në objekte banimi. Pra, është e pafalshme që remitancat çdo vit kanë rritje dhe bllokohen në banka si rezultat i kushteve jo të favorshme për investime. Andaj, si rezultat i nivelit të lartë të korrupsionit, infrastrukturës së dobët dhe mafio- oligarkisë në vend po mbetët jashtë investime një vlerë prej 700 milionë euro, pra sa gjysma e buxhetit të Republikës së Kosovës”, u shpreh ai për “Kosova Sot”.

Mobi Casa

“Diaspora nuk investon, sepse nuk e lejon politika jonë që ta ngritë mirëqenien sociale për qytetarët e Kosovës. E, mirëqenia e mirë e qytetarit të Kosovës do të thotë kundër qëndrimit të tyre në skenën politike të Kosovës”, ka pohuar Florim Rrudhani për “Kosova Sot”

Sipas njohësit tjetër të fushës së ekonomisë Florim Rrudhanit, arsyeja pse diaspora e Kosovës, nuk ka interesim të investojë në Kosovë, është pikërisht qasja e gabuar e institucioneve të shtetit në trajtimin me taksa. “Arsyeja pse diaspora e Kosovës nuk investon në Kosovë është, sepse ne kemi një shtet mafioz, ligji nuk funksionon, nuk krijon asnjë siguri shteti i Kosovës për investitorët e diasporës së Kosovës, që ata të investojnë. Klasa politike nuk dëshiron që ky popull ta ketë një shportë më shumë e më mirë, dhe kjo klasë politike pothuajse e kriminalizuar nuk dëshiron që diaspora e Kosovës të investojë në Kosovë, sepse mirëqenia sa më e mirë për qytetarët e Kosovës do të thotë për këta është kërcënim, dhe bëhet problem si të blihen votat pastaj me 20 euro apo me mbushje”, potencoi Rrudhani për “Kosova Sot”.

Ai po ashtu thekson se përgjegjësia është te klasa jonë politike, jo te firmat e forta shqiptare, të cilat janë shumë të suksesshme në Gjermani, në Zvicër, në Austri, në Suedi, e mos të flasim në SHBA. “Logjika e klasës së korruptuar politike të Kosovës punon që qytetari i Kosovës të jetojë vetëm për mbijetesë, sepse vetëm kështu këta qëndrojnë të pushtetshëm politikisht dhe financiarisht. Diaspora investon në Kosovë, por investon në familjet tona, por që nuk dalin jashtë kornizave të familjeve të tyre nuk është faji i diasporës, por i politikës së Kosovës, e cila ka politika kundër mirëqenies sociale të qytetarëve të Kosovës. Le të më tregoj dikush… nga afera “Pronto” është burgos dikush?! Askush, e pse duhet të investojë diaspora në Kosovë, kur ligji nuk zbatohet? Pse ata duhet të paguajnë politikën tonë për investimet e tyre? Qytetari duhet të zgjohet nga gjumi që kjo klasë politike, e cila është armiku numër një i popullit të Kosovës që t’i largojmë sa më shpejt që është e mundur”, vlerësoi Rrudhani.

Korrupsioni galopant, pengesë e madhe Sipas analistit Ragip Guraziu, mungesa e investimeve të diasporës shqiptare në shtetin e Kosovës vjen si pasojë e korrupsionit enorm, i cili është i pranishëm kryesisht në rrjetin e institucioneve të shtetit, të cilat duhet të jenë kontakti i parë i komunikimit me investitorët potencialë. “Është e tmerrshme që një shtet i kapur për krimin e organizuar frikon diasporën për të investuar”, u shpreh ai. “Një shtet si Kosova, e udhëhequr nga mafio- oligarkë të nëntokës kriminale, pengon diasporën e Kosovës për të investuar në Kosovë, edhe pse ka shumë firma të forta të shqiptarëve si në Evropë e deri në Amerikën e largët asnjë nga këto kompani të forta askush nuk i beson këtij shteti, sepse ata janë në dijeni se u kërkohet ryshfet dhe nuk janë fare të sigurt në investimet e tyre, dhe kjo po lë një gjurmë të keqe për shtetin e tyre derisa udhëhiqet me këtë klasë aktuale politike”, tha Guraziu për “Kosova Sot”.

“Askush nuk u beson këtyre pushtetarëve, sepse ata në vend se t’i përshëndesim për investim, atyre u kërkohet ryshfet dhe hise në kompani”, tha Bislim Aliu për “Kosova Sot”

Ndërsa, analisti Bislim Aliu thotë për “Kosova Sot” se demotivimi i diasporës për të investuar në Kosovë vjen si pasojë e mosfunksionimit total të shtetit ligjor. “Situata tejet e brishtë dhe jostabile në Kosovë, por edhe krimi i organizuar dhe korrupsioni i lartë dhe i pandalshëm, janë disa të dhëna reale që po e pengojnë diasporën e Kosovës, që të investojë në Kosovë. Dhe, sigurisht ka shumë firma të forta të shqiptarëve, në Gjermani, në Zvicër, në Austri, në Suedi, e të mos flasim në SHBA, por asnjëra nga këto kompani, akoma hezitojnë që të investojnë në Kosovë”, theksoi ai.

Sipas Aliut, vërtet kemi një diasporë shumë të fuqishme ekonomike, megjithatë, bashkatdhetarët tanë po frikësohen që të investojnë në Kosovë, meqë situata për të investuar është shumë e pafavorshme.

(Kosova Sot)