Fundamenti

Mafio-oligarkët kosovarë, pjesë e parajsave fiskale

/ 7 minuta lexim
Eco Higjiena

SKANDALI I RADHËS, “PARADISE PAPERS”

Prokuroria Speciale e Shtetit duhet të hetojë transferimin e dyshuar të pasurive

“Se kosovarët janë pjesë e makinacioneve mafioze, kjo nuk do koment, janë pjesë e të gjitha atyre organizatave mafioze që i përmendët edhe ju, duke mos e anashkaluar edhe ‘Panama Papers’. Kanë pasuri në gjithë Evropën, Azinë dhe Amerikën”, thotë për gazetën “Kosova Sot” analisti Hasan Preteni.

Këtë të diel është publikuar edhe dosja e radhës, ‘Paradise Papers’ (Letrat e Parajsës), e cila ekspozon skemat e evazionit fiskal të elitës botërore, për mashtrimet me para të politikanëve të nivelit të lartë dhe oligarkëve nga vendet e ndryshme. Mirëpo, akoma mbetet një pikëpyetje e madhe se kur do të zbardhen edhe pasuritë e vjedhura e të zhvatura nga populli i Kosovës nga elita politike kosovare, e të gjitha partive, si në nivelin qendror po ashtu edhe në atë lokal, bashkë me mafio-oligarkët kosovarë, siç janë edhe vëllezërit Devolli dhe jo vetëm ata, të cilët kanë hapur kompanitë në parajsat fiskale, siç janë Malta, ‘British virgin Islands’, Karaibe e shumë të tjera.

Analistët politikë akoma e shohin me pikëpyetje të madhe dhe një dozë rezerve mundësinë e shpejtë që edhe Prokuroria e Shtetit të Kosovës të nisë hetimet për të zbardhur faktet se cilët zyrtarë politikë kosovare, që kanë udhëhequr shtetin nga paslufta deri më sot, janë përfshirë në skandalet e parajsave fiskale, e që dyshohet se shumica prej tyre i kanë fshehur pasuritë e tyre së bashku me e mafiooligarkët është dëshmuar tek vëllezërit Devolli, të cilët të gjitha pronat i kanë kaluar dhe fshehur në parajsa fiskale.

Gazeta i ka dërguar pyetje Prokurorisë së Shtetit gjatë ditës së djeshme, por nuk ka marrë përgjigje. Sidoqoftë, ekspertët e fushës së të drejtës dhe analistët politikë konsiderojnë se edhe nga institucionet e shtetit të Kosovës një hetim i kësaj natyre dhe konfiskim i pasurisë së vjedhur nga populli duhet të ndodhë, herët a vonë, përndryshe edhe shumë kohë Kosova do të mbetet vend i izoluar nga BE-ja.

Pasuritë e paligjshme të konfiskohen

HW

Njohësi i kësaj fushe, Hasan Preteni, thotë se Kosova tashmë e ka ligjin bazë për hetimin e kësaj çështje dhe duhet të veprohet mbi bazën e këtij ligji.”Në Kosovë për fillim mjafton Ligji për Prejardhjen e Pasurisë, secili nga personat që nuk mund të dëshmojë burimin e të mirave materiale me të cilat e ka blerë pasurinë, e njëjta të konfiskohet. Se kosovarët janë pjesë e makinacioneve mafioze kjo nuk do koment, janë pjese e të gjitha atyre organizatave mafioze që i përmendet edhe ju, duke mos e anashkaluar edhe “Panama Papers”. Kanë pasuri në gjithë Evropën, Azinë dhe Amerikën”, tha Preteni për “Kosova Sot”.

Ndërsa analisti politik Blerim Burjani tha për “Kosova Sot” se nuk përjashtohet mundësia që edhe nga Kosova të ketë ndonjë rast të dërgimit të parave të vjedhura në Parajsat Fiskale, ndonëse deri më tash nuk ka pasur ndonjë zbardhje të rasteve të shumta të pasurimit pa bazë në Kosovë, pavarë- sisht që ka pasur përplot skandale në të gjithë sektorët, duke filluar nga institucionet qendrore e deri tek ato lokale.”Nuk ka pasur deri tash asnjë veprim serioz që zbardh rastet e shumta të skandaleve, asnjë aktgjykim i vetëm që tregon se dikush në këtë shtet është i korruptuar dhe pikërisht për këtë arsye BE-ja ka vu kushte ultimative ose bëni këto detyra ose nuk ka liberalizim, e tash institucionet e Kosovës janë të bllokuara nga iniciativat për të ecur përpara në integrime evropiane, pra BE-ja nuk do të merret me Kosovën derisa të tregojë realisht se ka bërë ndryshim në këtë temë ose së paku ka gatishmërinë për të luftuar korrupsionin duke ndërmarrë masa të gjithmbarshme në të gjithë sektorët, prej arsimit e deri te gjykatat, deputetët, kryetarët e komunave, por që kuptohet gjithmonë bazuar në fakte materiale dhe formale e jo veç sa për të treguar gjoja interesim”, u shpreh Burjani për “Kosova Sot”.

Nuk ka të dhëna të sakta

Për vlerësimin e analistit Ali Hertica përfshirja eventuale e qytetarëve të Kosovës në parajsat fiskale dhe evazioni fiskal i krijuar në vend mbetet e paqartë. “Aktualisht për shkallën e evazionit fiskal në Kosovë, përmes parajsave fiskale, askush nuk mund të tërheqë një paralele të saktë, përpos vlerësime të supozuara, përderisa nuk ka mundësi të verifikohet. Për evazionin fiskal mund të flitet vetëm atëherë kur subjekti që u është shmangur obligimeve të jetë kapur në flagrancë si një veprim i bërë në mënyrë të qëllimshme, që mund të jetë identifikuar dhe që u është nënshtruar procedurave të caktuara me ligj”, u shpreh ai.”Tatimpaguesit konsiderohet që të jenë një hap përpara institucioneve kur janë në pyetje dukuritë e tilla devijante dhe gjithsesi shkakun e ndodhjes duhet kërkuar në analizë të mirëfilltë që mund t’i bëhet hapësirës dhe rrethanave në të cilën veprojnë dhe punojnë subjektet afariste, përfshirë këtu edhe sektorin publik”, vlerësoi Hertica.”Aktualisht në Kosovë nuk është bërë akoma mjaft rreth krijimit të politikave të mirëfillta, të cilat do të pamundësonin rritjen e evazionit fiskal në shkallën në të cilën mendohet se është. E tëra kjo nënkupton procesin që nga politikat mbi regjistrimin e bizneseve e deri te mbikëqyrja e tyre dhe administrimi i tatimeve nga organet kompetente”, potencoi Ali Hertica.

Politikanët kosovarë, të zhytur në luks

Njohësi i fushës së politikave ekonomike, Mustafë Kadrijaj, rreth kësaj çështje ka potencuar se shteti i Kosovës asnjëherë deri më tani nuk ka qenë më keq sesa vitet e fundit, e sidomos në këtë vit që po e lëmë pas, sepse institucionet janë akoma më të brishta dhe aspak funksionale e transparente në këtë fushë.”Dosja ‘Letra nga Parajsa’ gjithsesi që do të lidhë në mënyrë direkte ose indirekte edhe politikanët e Ballkanit. E në këtë rast edhe të Kosovës, por përderisa nuk kemi ende diçka konkrete, nuk mund të pohojmë apo të mohojmë. Këtu do të duhej që të vepronte Prokuroria e Shtetit, që të interesohet nëse në dosjen e parajsës ka edhe politikanë kosovarë, por që institucioni më sensitiv, siç është prokuroria, edhe vetë po kalon në ditët më të vështira, e ku i pari i prokurorisë po akuzohet e dyshohet për manipulim vështirë të mund të ndodhin procese të tilla hetimore të atij niveli”, u shpreh ai. “Mirëpo, pyetja se a ka korrupsion dhe evazion fiskal e zhvatje të buxhetit nuk do shumë koment dhe konstatime, sepse mund të shihet jeta prej luksi e politikanëve tanë me shtëpi, vetura gardëroba dhe konsum super luksoz, me edukim të fëmijëve të tyre në kolegje private të një niveli më të avancuar. Pra, ata bëjnë krejtësisht një jetë përrallore përderisa qytetari dhe votuesi i tyre është më i varfëri në rajon e ndër më të varfrit në nivel botëror”, ka thënë Kadrijaj. Sipas tij, këtu pra mungojnë vetë guximi dhe vullneti për të nisur hetime të tilla, sepse thierrza ekonomike shumë lehtë do të vendoste në pah zhvatësit e parasë publike.

(Kosova Sot)

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.