Mafio – oligarkët e kanë kapur shtetin, korrupsioni po e mbyt ekonominë
Sipas të dhënave të BQK-së, mësohet se investimet e huaja direkte sivjet në Kosovë kanë rënë për 34 për qind krahasuar me një vit më parë. Për këtë shkak ekonomia po i vuan pasojat e jostabilitetit, që burim kryesor aktualisht e kanë presidentin e Kosovës, të ndihmuar kuptohet edhe nga një qeveri e paqëndrueshme, zhvatëse dhe e paaftë, si dhe një drejtësi e korruptuar dhe e pafuqishme për ta luftuar krimin e organizuar dhe mafinë politike.
Ndaj këtë situatë të brishtë dhe rënie drastike të investimeve ekspertët e kësaj fushe akuzojnë krerët e shtetit, përkatësisht Qeverinë, se janë fajtorët dhe përgjegjësit kryesorë të rënieve të investimeve të huaja. Lidhur me këtë Qeveria “Haradinaj” nuk po reagon dhe nuk po flet fare për këtë krizë në investime të huaja. Por, sipas analistëve të ekonomisë, nuk mund të ketë investime as të huaja e as vendore, pa pasur partnerë pushtetarët e inkriminuar në të dyja nivelet, duke i pamundësuar kështu mafio-oligarkëve përmes monopoleve kriminale të zhvatin qindra miliona euro nga qytetarët.
Lajçi: Nuk kemi funksionim të duhur të institucioneve që kanë vetëm 53 vota
Deputeti opozitar në Kuvendin e Kosovës, Ali Lajçi (VV), për gazetën “Kosova Sot” thotë se këtë gjendje të rëndë ekonomike e politike në vend e kanë sjellë pushtetarët e papërgjegjshëm, duke shtuar se nuk kemi një funksionim të duhur të institucioneve që kanë 53 vota që nuk japin ndonjë cilësi të vendimeve as në Kuvendin e Kosovës. “E kemi një tendencë që vazhdimisht ka qenë se qeveritë tona nuk e kanë synuar një shtet të fortë ligjor, për arsye se përmes tij mund të bëhen më shumë keqpërdorime dhe allishverishe në ato vende kur nuk ka një shtet ligjor. Prandaj, objektivi i pushtetarëve tanë na del se në Kosovë nuk duhet që të kemi një shtet ligjore, ngase pa një shtet ligjor nuk mund të kemi as investime të huaja, nuk ka rritje ekonomike, nuk kemi punësime dhe prodhime vendore dhe për pasojë e kemi vetëm një ekonomi tregtare çfarë nga paslufta po dominon në vendin tonë”, është shprehur ai. Lajçi shton se po shtohet korrupsioni i drejtpërdrejtë dhe qendror, prandaj investitorët e huaj po kin gjithnjë dhe nuk po vijnë për shkak të situatës negative dhe mosfunksionimit të shtetit në Kosovë.”Krimi i organizuar, korrupsioni e shteti joligjorë dhe jofunksional nuk krijojnë kushtet për ekonominë dhe në veçanti nuk krijojnë kushte për investime. Ndërkaq e tëra kjo po ndodh ngase Qeverisë aktuale “Haradinaj” nuk po i intereson fare tjetër gjë, por vetëm e vetëm që të qëndrojnë sa më gjatë në pushtet dheqë të zhvatin sa më shumë që munden paratë e popullit e të buxhetit”, është shprehur ai. Ndërsa anëtari i Kryesisë së Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Ramadan Maloku, për gazetën “Kosova Sot” thotë se në Kosovën e pasluftës kemi një mungesë të madhe të funksionimit të drejtësisë dhe organeve të rendit.”Prandaj, është shkalla e lartë e krimit të organizuar dhe korrupsionit fajtori kryesor që me të madhe po i largon investitorët seriozë ndërkombëtarë, por edhe këta vendorë. Prandaj, edhe nuk duhet që të çuditemi fare se përse nuk mund të ketë investime as të huaja e as vendore, pa pasur partnerë pushtetarët e inkriminuar në të dyja nivelet, duke i pamundësuar kështu mafio-oligarkëve përmes monopoleve kriminale të zhvatin qindra miliona euro nga qytetarët”, është shprehur ai. Sipas Malokut, për këtë situatë të brishtë dhe rënie drastike të investimeve është i drejtë vlerësimi i ekspertëve të kësaj fushe, të cilët i akuzojnë krerët e shtetit, përkatësisht Qeverinë, se janë fajtorët dhe përgjegjësit kryesorë të rënieve të investimeve të huaja.
GRAPCI: FAKTOR I RËNIES SË INVESTIMEVE ËSHTË EDHE SITUATA E RËNDË POLITIKE
Eksperti i ekonomisë, Dardan Grapci, për “Kosova Sot” thotë se investimet e huaja kanë filluar të bien shkaku i tatimit të lartë që po e merr shteti. “Prandaj, presidenti i Kosovës, kryeministri dhe ministri i Financave, duhet t’i marrin shumë seriozisht këto statistika, që lirshëm e themi se janë alarmante, por nëse vazhdohet me këtë ritëm edhe viteve në vazhdim, në të ardhmen investimet e huaja do të shënojnë rënie edhe më të madhe. Një faktor tjetër i rënies së investimeve është edhe situata e rëndë politike, e cila ka stagnuar shkaku i mosliberalizimit të vizave dhe kjo ka qenë një pengesë për mosfunksionimin e ligjit dhe drejtësisë në masën e duhur, në veçanti në këta muajt e fundit më shumë është folur për dialogun me Serbinë sesa që është diskutuar nga ana e Qeverisë “Haradinaj” për qytetarët e Kosovës dhe rënien e investitorëve vendorë dhe atyre të huaj”
BEQIRI: KOMPANITË E SHTETEVE MIKE INVESTIMET E TYRE I KANË ORIENTUAR NGA SERBIA “Kosovës i duhet një ndërrim i metodologjisë udhëheqëse. Kjo garniturë aktuale nuk ka kapacitete të rrisë interesimin e investitorëve të huaj, për këtë vendit i duhet një sistem tjetër i zhvillimit ekonomik. Jemi dëshmitarë se si kompanitë e shteteve mike investimet e tyre i kanë orientuar nga Serbia, për shkak të klimës më të mirë të të bërit biznes dhe kjo aspak nuk po i shqetëson politikanët kosovarë. Bizneset që veprojnë në Kosovë përballen me vështirësi të shumta dhe nga më të ndryshmet, si procedurat burokratike, konkurrenca jolojale, kamatat e larta, mungesa e energjisë elektrike, moszgjidhja e shpejtë e kontesteve gjyqësore dhe shumë probleme tjera. Numri i bizneseve që shuhen për një vit është shumë i madh dhe është shumë shqetësues për bizneset në përgjithësi dhe për ekonominë e vendit. Shuarja e bizneseve është një fakt që tregon se në Kosovë nuk ka kushte të favorshme për biznes dhe se bizneset nuk përkrahen sa duhet, pra nuk kanë lehtësime që do të duhej t’i kishin në veprimtarinë e tyre”, thotë për gazetën “Kosova Sot” eksperti i ekonomisë, Lulzim Beqiri
Beqiri: Serbia po përdor çdo metodë për ta diskredituar ekonominë e Kosovës
Eksperti i ekonomisë, Lulzim Beqiri, për gazetën “Kosova Sot” thekson se investimet e huaja direkte konsiderohen një nga mënyrat e zhvillimit ekonomik të Kosovës dhe hapjes së vendeve të punës.”Por në këtë aspekt Kosova vazhdon të ketë bilanc negativ. Pra, interesimi i investitorëve të huaj vazhdon të bjerë nga viti në vit. Ky është një lajm shumë i keq për zhvillimin ekonomik në përgjithësi, por edhe për mirëqenien e qytetarëve të Kosovës”, është shprehur ai. Beqiri shton se e gjithë kjo po ndodh edhe pse Kosova konsiderohet me potenciale të mjaftueshme dhe atraktive për investitorët potencialë, por u mbetet institucioneve kompetente që të krijojnë një ambient të mirë për t’i tërhequr investitorët, e jo të bëjnë të kundërtën.”Shteti i Serbisë po përdor çdo metodë për ta diskredituar ekonominë e Kosovës dhe se ka pasur shumë raste kur shteti serb ka ndërhyrë në sovranitetin e shtetit të Kosovës, duke dhënë mesazhe negative në mediat ndërkombëtare, kemi rastin e Brezovicës, ‘Trepçës’, pastaj mosanëtarësimi në UNESCO, propaganda serbe dhe ruse në OKB etj. Pra, e keni parasysh që Kuvendi i Kosovës është bërë arenë e “gladiatorëve”, thuajse aty bëhet luftë, në njërën anë opozita dhe në anën tjetër kryeneçësia e qeverisë”, është shprehur ai.
Analisti i ekonomisë, Mustafë Kadriaj, për gazetën “Kosova Sot” thotë se një rënie prej 34 për qind e investimeve të huaja direkte në Kosovë tregon për një jostabilitet ekonomik dhe keqqeverisje në vend, duke reflektuar pasiguri tek investitorët rrjedhimisht ky është treguesi më i qartë se ekonomia në vend ka marrë tatëpjetën pra ora e ekonomisë ka filluar të numërojë prapa.”Elita politike duhet ta këtë të qartë se ka humbur sensin e të ekzistuarit në vend, sepse si rezultat i kësaj elite politike dhe keqqeverisjes, Kosova çdo ditë e më shumë po dëmtohet politikisht dhe ekonomikisht, duke bërë që investitorët e huaj mos të kenë interesim për investime në Kosovë për shkak të kërkim mitës nga njerëzit e fortë në Kosovë dhe për fat jo të mirë po presin ekonomia në vend, duke reflektuar në moszhvillim ekonomik, e cila njëherësh reflekton me rritje të papunësisë dhe uljen e mirëqenies tek qytetarët. Pra, kjo keqqeverisje është bërë e papërballueshme për qytetarin e Kosovës që si rezultat i papunësisë së lartë dhe mosperspektivës në vend çdo ditë e më shumë kemi ikje të rinisë nga Kosova”, është shprehur ai.
Ndërsa analisti i ekonomisë, Hazbi Kadriu, për “Kosova Sot”, thotë se pa diskutim se investimet e huaja në vend janë një faktor shumë i rëndësishëm dhe se ndikimi i tyre në ekonominë e vendit është ndikim direkt në rritjen dhe zhvillimin ekonomik të vendit.”Ndikimi do të jetë pozitiv në shumë aspekte, duke filluar nga numri i të punësuarve në vend e deri tek forcimi dhe zhvillimi i ekonomisë në përgjithësi. Nëse në vendin tonë ka pas rënie të investimeve të huaja pra të IHD-së, atëherë ajo normalisht se do të ndikojë shumë keq në ekonominë e vendit në përgjithësi dhe për një zhvillim të ardhshëm në veçanti”. Sipas Kadriut, nëse në vend nuk ka çdoherë rritje të investimeve të huaja, pa dyshim që edhe rritja e ekonomisë është më e ngadalshme dhe se fuqia ekonomike e vendit vërehet edhe nga ky lloj faktori i rëndësishëm i ekonomisë së vendit.
(Kosova Sot)


