Fundamenti

Mafia shqiptare komandon futbollin çek

/ 4 minuta lexim

Mafia shqiptare komandon futbollin çek. Ky është lajmi që ka tronditur Federatën Çeke të Futbollit dhe që më pas e ka detyruar kreun e këtij institucioni, Miroslav Pelta, që të pohojë se informacioni është i vërtetë.

Ngjarja

Dy ditë më parë, presidenti i klubit të Spartës së Pragës, Daniel Kretinski, një biznesmen shumë i fuqishëm në vendin e tij, ka paraqitur në federatë një dosje me të dhëna, që sipas tij tregonin qartë se mafia shqiptare komandonte shumë ndeshje të futbollit çek, madje edhe ato të disa skuadrave elitare.

Kjo gjë, sipas të përditshmes çeke “isport.cz”, bëhej e mundur nëpërmjet korruptimit me shifra të majme të gjyqtarëve vendës çekë. Kretinski ka shpërthyer në akuza ndaj gjyqtarëve, menjëherë pas ndeshjes mes Viktoria Plzenit dhe Spartës së Pragës. Një ditë më pas ai ka depozituar dosjen në federatë.

Lojtarët

Sipas një burimi anonim që ka folur për të përditshmen “isport.cz”, nuk janë vetëm gjyqtarët të korruptuar, por ata shpeshherë vepronin në bashkëpunim edhe me futbollistët. Kjo ndodhte në shumë raste, madje edhe për baste që në dukje duken disi të rëndomta.

Gjyqtarët dhe futbollistët bashkëpunonin jo vetëm për rezultatin e një ndeshjeje, por edhe për kartonin e parë të verdhë, kornen e parë, apo për baste të tjera të kësaj natyre. Sipas burimit të gazetës, i cili ka dashur të mbetet anonim, një ndeshje së fundmi e luajtur në baste dhe e komanduar nga mafia ka qenë e luajtur që deri në minutën e 75 nuk do të kishte asnjë gol dhe, më pas, do të realizoheshin tre gola për 15 minuta, pasi kështu koeficienti do të ishte akoma më i lartë.

Korruptimi

Uji Dea

Xhirohen shuma të mëdha parash, që përgjithësisht luhen nëpërmjet internetit. Në pjesën më të madhe bastet vihen jashtë Evropës dhe Azia është vendi më i preferuar. Të ardhurat janë marramendëse, ndaj edhe shumat me të cilat janë korruptuar arbitrat çekë, janë të larta. Mësohet se korrupsioni dhe ndikimi i mafies shqiptare ka arritur deri në nivele të larta të sektorit të arbitrimit në Çeki.

Reagimi

Hetim i menjëhershëm dhe i thelluar. Ky ka qenë reagimi i policisë dhe i prokurorisë, pasi janë vënë në dijeni të këtij skandali. Sipas medias çeke, në krye të hetimeve është shefi i Antikorrupsionit në Pragë, Tomas Martinec, i cili është njohur gjatë kësaj kohe me faktet dhe me të dhënat që kishte paraqitur në gjykatë Kertinski.

Presidenti i Federatës: E shëmtuar, por e vërtetë

Presidenti i Federatës Çeke të Futbollit, Miroslav Pelta, pasi ka marrë dosjen, ua ka paraqitur atë organeve kompetente. Pas ekspertizës së parë dhe pas konsultimeve me organet hetimore, Pelta ka dalë dje pasdite në konferencë për shtyp dhe ka pohuar se në këtë mes kishte diçka të vërtetë.

“Është e trishtueshme, por duhet të pranojmë se disa fakte janë të vërteta. Kjo është shumë e rëndë dhe krejtësisht e papranueshme për vendin tonë, për imazhin tonë dhe për futbollin tonë. Sapo jam vënë në dijeni të të dhënave që më ka paraqitur zoti Kretinski, unë u jam drejtuar organeve kompetente dhe, nga informacionet e para, rezulton se kemi të bëjmë me fakte shumë të rënda dhe situata është vërtet e trishtueshme. Gjithsesi, dua të përfitoj nga rasti dhe të përshëndes gjestin e Kretinskit”, ka thënë Pelta.

Gjatë konferencës për shtyp, ai u ka premtuar mediave se gjithçka do të bëhet transparente dhe se të gjitha detajet e reja që do të dalin mbi hetimet në ditët e ardhshme do të bëhen publike.

“Jemi në një situatë ku duhet transparencë totale, ndaj edhe ju siguroj se publiku do të informohet mirë mbi këtë ngjarje. Çdo detaj dhe çdo e dhënë do të publikohet, sepse e kuptoj kureshtjen dhe revoltën e publikut. Megjithatë, do të kërkoja mirëkuptimin e të gjithëve dhe gjithashtu ju kërkoj durim. Drejtuesit e lartë të policisë më garantuan se do të nisin një ofensivë hetimesh gjithëpërfshirëse dhe unë kam besim tek organet e drejtësisë”, ka thënë Pelta. /Panorama Sport/