ARKATANA

Mafia politike dërrmon biznesin, mijëra kompani falimentojnë

/ 9 minuta lexim
Mobi Casa

Ekonomia, edhe ashtu e brishtë e Kosovës, edhe këtë vit po vazhdon që ta ketë të lartë numrin e bizneseve që po shuhen. Vetëm për 10 muajt e parë sivjet janë shuar hiç më pak se 1389 biznese. Ky trend nuk dallon shumë nga ai i vitit të kaluar, pasi nga 12 muaj të 2017-ës, janë raportuar 1589 biznese të mbyllura.

Sipas analistëve, edhe kjo flet se në Kosovë nuk mund të mbijetojnë bizneset që nuk janë të lidhura me pushtetarët e inkriminuar dhe që nuk janë pjesë e nëntokës kriminale të mafio-oligarkëve, të cilët po sundojnë në Kosovë dhe janë mbi ligjin e Kushtetutën. Me gjithë pyetjet e gazetarit të dërguara në adresën elektronike të ARBK-së për temën që po trajtohet, zyrtarët e tyre nuk kanë dhënë përgjigje për gazetën.

Ndërsa, lideri i AKB-së(Aleanca Kosovare e Bizneseve) Agim Shahini, për gazetën ” Kosova Sot “, thotë se trendi i të bërit biznes në Kosovë nga viti në vit ka pasur luhatje pozitive dhe negative, por trendi i investimeve të huaja në këta muajt e fundit të këtij viti ishte mbi 100 milionë euro më pak”, theksoi ai. Sipas Shahinit, rënia e kësaj shifre na tregon se në Kosovë ende ka nevojë për përmirësim të ambientit të bërjes së biznesit.

Konkurrenca e padrejtë i çon kompanitë në falimentim

Eksperti i ekonomisë dhe ligjëruesi universitar Nehat Maxhuni, për gazetën “Kosova Sot”, thotë se arsyeja e shuarjes së bizneseve në Kosovë me numër kaq të madh është pamundësia e disa prej tyre të gjenden në pozita të barabarta me bizneset e tjera ekzistuese në vendin tonë. “Thjesht, është e pamundur të ekzistojnë në një treg jo të barabartë, siç është vendi ynë”, u shpreh ai. “Shumë biznese të regjistruara dhe që kanë veprimtari të caktuara, e të cilat janë nën ombrellën e pushtetitpushtetarëve, të privilegjuara në çdo aspekt, u pamundësojnë bizneseve të tjera ekzistencën e tyre dhe si të tilla fati i tyre është shuarja. Një praktikë e tillë, ku biznese të caktuara kanë monopol në tregun e Kosovës, po ekziston sot e kësaj dite dhe bizneset apo ndërmarrësit e kanë të pamundur të hyjnë në tregun e Kosovës, i cili thuhet se është liberal, por në realitet nuk është”, vlerësoi Maxhuni. Analisti Maxhuni thotë se bizneseve qysh në fillim u caktohen barriera nga ana e pushtetit. “Asnjë tender nuk mund të merret nga këto biznese, sepse në kushtet e përcaktuara për pjesëmarrje në tender si kriter janë; afati 3-vjeçar i operimit dhe qarkullimi i madh financiar, ku bizneset e kanë kriter dhe është e vështirë që këtë kriter ta plotësojnë bizneset që nuk janë të lidhura me pushtetin. Tregu jo i lirë dhe mënyra e funksionimit të politikës kosovare në raport me ndërmarrësit ekzistues dhe atyre potencialë, që mendojnë të kyçen në biznes është faktori kryesor i shuarjes së bizneseve në numër kaq të madh”, shpjegon ai. Sipas Maxhunit, statistikat nuk e tregojnë realitetin, sepse nuk përfshijnë edhe numrin e bizneseve të falimentuara brenda vitit, të cilat për shkak të borxheve nuk kanë mundësi të aplikojnë në ARBK për shuarje. “Nëse numrit 1389 biznese të mbyllura brenda vitit 2018 i shtohet edhe numri i bizneseve që kanë falimentuar, por që zyrtarisht nuk figurojnë si të mbyllura, atëherë ky numër është edhe 3- 4 herë më i madh”, ka thënë ai.

Korrupsioni, burokracia, mungesa e energjisë elektrike, tenderomania, pengesë në të bërit biznes

Ndërsa, anëtari i Kryesisë së Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës Ramadan Maloku, për gazetën ” Kosova Sot”, thotë se ambienti biznesor në Kosovë deri me këtë Qeveri nuk ka qenë sa duhet në funksion të zhvillimit dhe perspektivës. “Ndaj, jam i mendimit se për këtë vit dhe vitin e shkuar arsyeja kryesore e shuarjes së bizneseve ka qenë dominimi i agjendës politike përballë asaj ekonomike, që ka qenë në margjina. Veç saj, arsye tjetër e shuarjes së bizneseve ka qenë dhe mbetet edhe mungesa e sundimit të ligjit, sikurse edhe kamatat e larta të kredive bankare, pengesat e shumë bizneseve për qasje në financa alternative, rënia e fuqisë blerëse dhe konkurrueshmëria”, theksoi ai.

Sipas Malokut, sektori privat nuk ka nevojë vetëm për mbështetje, por edhe për mbrojtje të bizneseve dhe se në këtë drejtim vetë numri aq i madh i shuarjes së bizneseve sikur po na tregon se ka pasur një dështim institucional, ku shuarja e bizneseve është me përmasa shqetësuese. “Prandaj, vlerësoj se nevojitet të gjenden format e kredive të buta për kategoritë e bizneseve që po rrezikojnë të shuhen në aspekt afatgjatë me qëllim që biznesi të ketë frymëmarrje, në të kundërtën, ardhmëria e Kosovës do të jetë e zymtë dhe në qoftë se nuk do të ketë zhvillim ekonomik, nuk mund të ketë stabilitet ekonomik dhe social dhe as përshpejtim të proceseve integruese”, shtoi më tutje ai. “Veç këtyre indikatorëve, vlerësoj se nga pengesat kryesore për të bërë biznes kanë qenë edhe korrupsioni, burokracia dhe prokurimi publik, ndërsa në këtë drejtim një ndihmesë për të keq e ka dhënë edhe mungesa e energjisë elektrike dhe furnizimi me energji elektrike, bazuar në një çmim të lartë, i cili ndikon në dëmtimin e sektorit prodhues në Kosovë”, ka shpjeguar Maloku. Sipas tij, performanca jo e mirë e afarizimit të bizneseve, si dhe mbyllja e një numri aq të madh të tyre, po ndikon me të madhe në humbjen e vendeve të punës dhe rrjedhimisht do të shkaktojë probleme financiare në vend.

Mobi Casa

PA MBËSHTETJEN E NËNTOKËS, NUK KA AFARIZËM

Analisti i ekonomisë Dardan Grapci, për “Kosova Sot”, ka thënë se nuk duhet që të çuditemi fare se përse e kemi një numër aq të madh të mbylljes së bizneseve. “Ngase, një gjë duhet ditur dhe duhet thënë qartë se në Kosovë nuk mund të mbijetojnë bizneset e ndershme dhe ato biznese që nuk janë të lidhura me pushtetarët e inkriminuar dhe nuk janë pjesë e nëntokës kriminale të mafio-oligarkëve, të cilët po sundojnë në Kosovë dhe që janë mbi ligjin e Kushtetutën. Andaj, kompanitë e vogla janë në mbyllje e sipër, dhe kjo ka bërë që asnjë nga kompanitë e vogla nuk kanë pasur sukses në Kosovë, për shkak se kompanitë e mëdha monopoliste janë nën mbrojtjen e pushtetarëve”, u shpreh ai. “Pa e bërë njëherë e përgjithmonë këtë shkëputje nga ekonomia e mafio-oligarkëve politikë dhe mafiozëve biznesmenë, asnjëherë nuk do të kemi rritje të mirëfilltë të zhvillimit ekonomik në Kosovë. Kjo po ndodh, ngase sundimi i ligjit nuk është duke u trajtuar siç duhet, sundimi i ligjit tek bizneset e mafio-oligarkëve aspak nuk po zbatohet dhe as nuk po mundohen qeveritarët që t’i ndalojnë këta biznesmenë që e kanë kapur shtetin”, theksoi Grapci.

GAXHERRI FAJËSON POLITIKËN

Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga opozita, Besa Gaxherri (LDK), për gazetën ” Kosova Sot”, thotë se deputetët gjithmonë i kanë bërë analizat për shkaqet që çuan në shuarjen e bizneseve paraprake. “Mendoj se neve si Kuvend kemi bërë legjislacion të mjaftueshëm, në mënyrë që Kosova të jetë e hapur dhe transparente për vendet e interesuar që të bëjnë biznes dhe të investojnë në Kosovë”, u shpreh ajo. “Për shuarjen e madhe të bizneseve fajtorë është klima politike në vend, që e kanë sjellë presidenti i vendit dhe Qeveria aktuale, që është në pushtet. Këta individë e kanë sjellë një klimë të pafavorshme për të gjitha vendet e rajonit dhe të botës në raport me Kosovën. Shikoni liderë të tillë që flasin për ndryshim të kufijve dhe shkëmbim territoresh dhe në bazë të kësaj secili shtet serioz ka skepticizëm dhe stepet e frikohet që të investojnë në një vend ku as liderët e vet institucionalë nuk ia pranojnë sovranitetin shtetit të vet. Kjo do të thotë shumë, sepse fundja neve kemi nevojë për shtete serioze që të investojnë në Kosovë. Por, nuk kemi nevojë për biznese të tilla të huaja, që bashkëpunojnë me personat përgjegjës të shtetit duke përdorur mitë dhe korrupsion, që e dëmtojnë qoftë biznesin, qoftë Republikën e Kosovës”, potencoi ajo.

MIJËRA VENDE PUNE U SHUAN

Sipas Agim Shahinit, shuarja e bizneseve nga viti në vit është e njëjtë, por edhe regjistrimi bizneseve të reja nuk dallon shumë nga ato që po shuhen. “Është shqetësuese për AKB-në që edhe nëse vetëm një biznes shuhet ne jemi shqetësuar se ku kanë mbetur ata njerëz dhe ata punëtorë. Ngase, nëse flasim se rreth 1400 biznese sivjet janë shuar për 10 muaj dhe të cilët kanë pasur të paktën nga 2 të punësuar, atëherë kjo vërtet është shqetësuese se janë shuar mbi 3 mijë vende pune. Ndërsa, nëse merret parasysh se sa biznese të reja janë regjistruar po në të njëjtën kohë edhe se janë hapur vende të reja pune. Prandaj, ky trend mbetet për një studim që AKB-ja do ta bëjë në fund të vitit”, u shpreh ai për “Kosova sot”. I pyetur se a është vështirë të bësh biznes pa pasur lidhje me politikanët, Shahini tha se perceptimet në Ballkanin Perëndimorë janë se vështirë është të bësh biznes pa lidhje me politikën dhe ky mbetet një tregues shqetësues edhe për AKB-në.

(Kosova Sot)