RCCOLA

Mafia kriminale në Kosovë po i rrezikon themelet e shtetit

/ 16 minuta lexim
Eco Higjiena

Analistët politikë, duke parë faktin se si u katandis sistemi i drejtësisë në Kosovë, në atë mënyrë që njerëzit e krimit të organizuar, pushtetarët dhe zyrtarët e lartë të korruptuar të institucioneve të ndryshme politike, mafio-oligarkë të inkriminuar thellë në krimin e organizuar, të gjithë të jenë mbi ligjin dhe nuk kanë frikë se do të procedohen penalisht, pasi që sistemin e drejtësisë e kanë në duart e tyre, konsiderojnë se edhe Gjykata Speciale iu imponua Kosovës si një krijesë e veçantë e drejtësisë e menaxhuar dhe kontrolluar krejtë- sisht nga ekspertët e sundimit të ligjit, prokurorë e gjykatës, të përcaktuar e zgjedhur vetëm nga faktori ndërkombëtar.

Duke marrë parasysh faktin se arrestimet e para nga Gjykata Speciale pritet të bëhen menjëherë pas 17 shkurtit, sipas pritjeve të analistëve politikë dhe ekspertëve të kësaj fushe, pritet që përsëri të kemi edhe “performanca” të tjera televizive, ku vrasësit me pagesë do të deklarohen për shumë vrasje dhe krime të pandriçuara për 19 vjet në Kosovë! Kjo për faktin se mund të jetë kështu pasi që po shihet ashiqare që oligarkët e politikës, të cilët janë bërë NJË me mafio-oligarkët e nëntokës kriminale, e të cilët edhe mund të jenë të akuzuar potencialë në proceset gjyqësore të Speciales, po i përdorin të gjitha levat që i kanë në dispozicion, për të dalë të larë në këtë histori të pazbardhur ende.

Ndryshe është krijuar bindja që kjo drejtësi që kemi është definitivisht një mjerim i vërtetë, dhe këtë e shpjegon më së miri se pse e kemi sot Gjykatën Speciale, edhe se Kosovës dhe qytetarëve të Kosovës iu duhet urgjentisht madje edhe zgjerimi i kompetencave të kësaj gjykate, për t’u marrë me të gjitha krimet politike dhe ekonomike në Kosovë deri më sot. Gazetari, edhe pse ka provuar të marrë përgjigje edhe nga Baton Haxhiu dhe Xhavit Haliti, ata nuk i kanë kthyer përgjigje. Përgjigje nuk ka kthyer as Prokuroria Speciale.

Preteni: Gjykata Speciale do të jetë shumë e pavarur në trajtimin e të gjitha rasteve të dyshuara

Analisti Naim Kelmendi thotë se vrasjet dhe krimet e pasluftës në Kosovë ende nuk i ka zbardhur drejtësia kosovare, kur dihet se ato kanë ndodhur, tani shtrohet me të drejtë pyetja se si mund të jetë efikase një drejtësi sikur është drejtësia kosovare, derisa ajo është drejtësi e kapur.”Kështu që njerëzit e krimit të organizuar, pushtetarët e inkriminuar apo zyrtarë të lartë të korruptuar në institucionet e ndryshme politike të shtetit, mafiooligarkë të inkriminuar në krim të organizuar e korrupsion, qëndrojnë mbi ligjin dhe nuk kanë frikë që do të procedohen penalisht për t’u përballur me drejtësinë, pasi që fatkeqë- sisht sistemin e drejtësisë e kanë në duar të tyre. Prandaj, gjendja e kësaj drejtësie në Kosovë është një mjerim i vërtetë, mbase vetë kjo gjendje e drejtësisë kosovare, duke qenë e pa fuqishme dhe e padenjë në luftën ndaj krimit, ka rezultuar tashme me Gjykatën Speciale, por mendoj se do të ishte me interes për qytetarët e Kosovës sikur të zgjeroheshin kompetencat e kësaj gjykate, për t’u marrë me të gjitha krimet e natyrës më të rëndë, edhe ato politike të pasluftës e deri më sot”, theksoi Naim Kelmendi për gazetën “Kosova Sot”.

Ish-shefi i Agjencisë Antikorrupsion, tani drejtor ekzekutiv i Qendrës për Etikë dhe Transparencë, Hasan Preteni, beson që më në fund Gjykata Speciale do të jetë shumë e pavarur në trajtimin e të gjitha rasteve të dyshuara dhe kërkon që këtë shembull ta marrin për të mirë edhe gjykatat e rregullta në nivel vendi dhe Prokuroria e Shtetit e ajo Speciale e Kosovës. “Ashtu siç pritet që të veprojë Gjykata Speciale, ashtu duhet të veprojnë edhe gjykatat shtetërore. Nëse për të parën ka shumë paqartësi edhe mospajtueshmëri, për të dytën të supozuar, pritshmëria është 100%. Krimi i organizuar dhe korrupsioni fatkeqësisht në Kosovë realizohen sipas metodologjisë që në një masë u prezantua para disa netëve në “Tv Klan”, drejtësia vepron me të njëjtën metodë, prokurorët iu frikësohen dhe i neglizhojnë informatat, policia i shkatërron provat, gjykatat japin dënime me kusht. Nuk ka vullnet e as guxim për të vepruar. Fatkeqësia është se kjo gjendje është e paqëndrueshme dhe e pashpresë. Deri atëherë të veprohet lirshëm, keqbërja e liberalizuar. Paranë publike nuk po e keqpërdorin vetëm ata të paktit që kanë integritet dhe atdhedashuri”, theksoi analisti Hasan Preteni për “Kosova Sot”.

Bytyçi: Në Prishtinë është krijuar një oligarki politiko-financiare

Eksperti Enver Bytyçi thotë se ai edhe në librin “E drejta e Vetëvendosjes: Rasti i Kosovës”, botuar dhe në gjermanisht në vitin 2007, ka shkruar që edhe nëse u lejohet të gjithë liderëve të shteteve të botës të korruptohen, këtë nuk guxojnë ta bëjnë politikanët e Kosovës, sepse kjo dukuri rrezikon themelet e shtetit. “Asokohe dhe sot i përmbahem idesë se korrupsioni në Kosovë ve në pikëpyetje shtetësinë e saj. Fatkeqësisht kjo frikë e imja ndodhi. Ata që erdhën në pushtet pas luftës, sidomos pas pavarësisë, e panë pushtetin si mjet për ta sunduar Kosovën e jo si detyrim për qeverisje të mirë. Erdhën në pushtet njerëz të hurit e të litarit, njerëz që spekuluan me luftën, njerëz që në emër të meritave i dhanë vetes të drejtën ta trajtojnë territorin e Kosovës si plaçkë të tyre, si feudin e tyre. Kjo lloj psikologjie e trajtesës dhe ushtrimit të pushtetit i çoi një grup politikanësh të paditur që jo vetëm të korruptohen, por edhe të grabisin pasuritë e Kosovës, sidomos ato shoqërore ose shtetërore. Grabitja është krim, ashtu si dhe korrupsioni. Në Gjermani përdoret shpesh herë një shprehje: “Ein Mal Kriminael, immer Kriminael”, që do të thotë “Po u bëre njëherë kriminel, mbetesh gjithmonë i tillë”. Prandaj kjo racë politikanësh të inkriminuar e thelluan krimin, deri te vrasjet politike. Kështu kanë krijuar një kënetë, kanë hyrë në një batak të madh, prej ku nuk dalin dot”, është shprehur ai.

Hidromorava

Ka shtuar pohuar se korrupsioni dhe krimi i organizuar janë një, nuk ndahen dot.”Të dy këto krijojnë një oligarki. Sepse politikanët grabitqarë e të korruptuar kanë nevojë për njerëz të fuqishëm, biznesmenë, njerëz të medieve, madje dhe për të rekrutuar si atentatorë , pengmarrës dhe kërcënues. Kështu në Prishtinë është krijuar ajo oligarki politiko-financiare që zor të ndëshkohet nga një prokurori dhe gjyqësor i kapur ose i trembur. Gjykata Speciale ka pikërisht këtë mision. Përpjekja për ta adresuar atë si gjykatë kundër luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është një përpjekje e politizuar dhe djallëzore, që kriminelët me e pa pushtet t’i shpëtojnë drejtësisë. Në këtë grupim oligarkësh përfshihen edhe media të caktuara, staf mediatikë ose moderatorë, që pompohen se janë “kapotë ose siç i quajmë ne me pa të drejtë “VIP-at e mediet”! Këta bëjnë shërbimin e caktuar. Intervista e një krimineli të dënuar me 30 vite burg për vrasje e para pak ditëve ishte një intervistë spekulative, jo se dëshmitari nuk thotë të vërtetat, por thotë të vërteta që e akuzojnë një krah dhe mbrojnë një krah tjetër. Nuk ishte intervistë pa një prapavijë në mbrojtje të krimit të organizuar të veshur me pushtet. Nëse ky dëshmitar akuzonte një isheksponent të Fondit “Vendlindja Thërret” e pa asnjë lloj pushteti, intervista e tij mbron aktorë të tjerë me pushtet. Prandaj në përpjekjet kundër Gjykatës Speciale janë bërë një politikanë, oligarkë financiarë, njerëz të medieve, persona të fuqishëm”, theksoi analisti Enver Bytyçi për gazetën “Kosova Sot”.

Ai konsideron se drejtësia në Kosovë, ashtu si në Shqipëri, është e kapur, është sundimi i padrejtësisë, prandaj zgjerimi i kompetencave të Gjykatës Speciale edhe për krimet tjera ordinere të patrajtuara deri tani do të ishte një shpresë për vendosjen e drejtësisë në vend.”Prandaj Kosovës i duhet Gjykata Speciale, Shqipërisë i duhet SPAK-u, DEA amerikane dhe FBI-ja. Gjykatës Speciale i duhen dhënë kompetenca që të ndëshkojë krimin në rrënjët e veta. Nëse ndodh kjo, të jemi të bindur se Kosova pranohet shumë shpejt si shtet në OKB. Nëse do të bindeshin SHBA-të, Gjermania, Britania e Madhe, Franca e shtete të tjera të fuqishme, nuk do të kishte forcë ta ndalonte Kosovën të bëhej anëtare e OKB-së. Shpeshherë ne themi se kjo zvarritje e proceseve në Kosovë ndodh se “ata nuk na duan”, ndodh se “Serbia po reagon kundër”, ndodh se “Rusia përdor veton në KS të OKB-së”! Përralla janë të gjitha! Nëse Prishtina do të dëshmonte e do të dëshmojë korrektësi, ndershmëri dhe aftësi qeverisëse, Fuqitë e Mëdha Perëndimore do ta kishin kryer këtë proces”, potencoi Enver Bytyçi.

KELMENDI: DREJTËSINË NË KOSOVË PO E BËJNË KLANI I ‘DEVOLLIT’ ME BATON HAXHIUN

Profesori i së drejtës, Muhamet Kelmendi, pohon se në kuadër të luftës për të ruajtur interesat individuale, madje qoftë edhe duke e çuar vendin në shkatërrim total, ka kohë që ka filluar një logjikë e tillë e angazhimit të mafiopolitikës.”Një luftë speciale e grupeve më destruktive dhe kriminale në Kosovë. Fakti se kemi polici politike dhe të kontrolluar nga klani i Hashim Thaçit, Baton Haxhiut e Xhavit Halitit, sikundër edhe prokurori dhe gjyqësor, është shkuar deri atje sa drejtësinë në Kosovë po e bëjnë klani i ‘Devollit’ me Baton Haxhiun, nëpërmjet Klan Kosovës. Kemi kështu një sistem të organizuar nga klani “Pronto”, drejtori i Policisë së Kosovës, prokurori i shtetit dhe sistemi gjyqësor, nëpërmjet të cilit po krijohen konflikte dhe situata të renda dhe tipike konfliktuoze për vendin. I takon Qeverisë së Kosovës të kërkojë përgjegjësi nga policia për gjendjen e fushën e sigurisë, nga KGjK-ja, pse lejon segmentet e dënuara për të deklaruar në ‘TV Klan’, kur çështjet janë, nëse janë, për hetime prokuroriale. Kapja me problemin, si rasti i Astrit Deharit, ku nga prokuroria dhe policia iu dhanë TV Klanit regjistrimet e jetës në burg, sikundër tash me gjoja dëshmitarin e krimeve, tregon se mekanizmi i policisë, i prokurorisë dhe i gjyqësorit, ka dështuar dhe pa ndërmarrë masa juridike dhe penale mbi udhëheqësit e tyre, kjo gjendje nuk shërohet. Kush është TV Klani? Ajo është juridikisht vetëm shtëpi mediatike?… e pse i lejohen të dhënat e tilla?.. Ku do me dalë kështu sistemi i drejtësisë? Kjo të bën të dyshosh se mos kështu po tregohet se klika rreth “Prontos”, me Batonat, Hashimat e Xhavitat, të përkrahur dhe të organizuar nga Devollët, e kanë kapur sistemin dhe tash thjesht bëjnë punën e armiqve të përbetuar të kombit shqiptar. Jam shumë i bindur, pavarësisht faktit se Gjykata Speciale ka anë negative, se pikërisht asaj duhet zgjeruar kompetencat edhe ndaj kriminelëve serbë, sikundër edhe ndaj krimeve tjera në Kosovë. Nuk duhet lejuar që këta kriminelë të lejohen edhe më tepër në pushtet dhe në metoda në formën e gjyqtarit, të policit dhe të prokurorit, madje edhe të psikologut, të luajnë sikundër po e luan detyrën Baton Haxhiu”, është shprehur Kelmendi. Ai tutje thotë se në luftën kundër tyre i takon kryesisht kryeministrit të veprojë. “Ai duhet të ndalojë veprimet monstruoze dhe tipike antikombëtare të Baton Haxhiut dhe të klanit “Pronto”.

Skenari për likuidim

Sipas njohësit të këtij realiteti të zymtë në drejtësinë kosovare, Ibrahim Kelmendit, Kosova po i vuan pasojat e mëdha në këtë sistem pasi e mbrapshta e ka zanafillën që nga koha e UNMIK-ut dhe nuk është riparuar kurrë. Sipas tij, formimi i “gjykatës speciale” është për të gjykuar pothuajse vetëm krimet që duhet t’i kenë bërë pjesëtarët e UÇKja gjatë lufte dhe pas lufte, por nuk ka informacion nëse ndonjë krim ta ketë kryer UÇK-ja me kriminelë të paguar. Ai thotë se rasti i vrasjes së vrasjes së Ibush Kllokoqit, i cili tashmë është gjykuar dhe vrasësi e shoqëruesit e tij po e vuajnë dënimin, dëshmon se asnjëri nuk ishte vrasës mercenar, por i komanduar, në rastin konkret nga Azem Syla, që në opinion është i prezantuar rrejshëm si komandant i përgjithshëm i UÇK-së, por për motive personale.”Unë e kam përcjell një proces gjyqësor të një “grupi” me 13 persona, që akuzohej për organizim të trazirave të marsit 2004. U prezantua si proces bombastik. Vendimi i trupit gjyqësor ishte, nuk ishte fare grupi i organizuar dhe prandaj të gjithë u shpallën të pafajshëm. Në atë proces doli në sipërfaqe se kuadrot e Serbisë, kryehetusit Fadil Syleviq dhe Gojart Kelmendi, kishin përzgjedhur burgaxhinj kriminelë për ta dresuar si dëshmitar të rrejshëm, ose për t’u profilizuar të zot, ose se ashtu ishin komanduar, për të komprometuar atë rebelim. E, nga përvoja edhe e përkthyesit në sistemit të drejtësisë në Gjermani, di që kriminelët kanë fantazi të zhvilluar për të realizuar veten e tyre. Prandaj, edhe tani, do të kemi raste, kur burgaxhinj kriminelë do të provojnë të përfitojnë favore, si rasti i vrasësit Shkumbin Mehmeti, që si shpërblim ia kanë emigruan familjen në Perëndim dhe pret favore tjera, qoftë edhe amnisti nga presidenti kuisling. Të tillë dëshmitarë të mbrojtur do të jenë telenovela argëtuese për mediet, por në fund do të dekonspirohen e diskreditohen, si në rastin gjyqësor në Dubravë, që e prezantova. Megjithatë, po shpresoj hetuesia e këtij mekanizmi të ri të drejtësisë, të quajtur gabimisht “gjykatë speciale”, nuk do të shpërdoron të tillë dëshmitarë kriminelë, të dresuar, për të arsyetuar angazhimin e suksesin e tyre”, theksoi analisti Ibrahim Kelmendi për “Kosova Sot”.

Kelmendi thotë se tani nuk po e kupton, pse po anashkalojmë “arsyen” e formimit të imponuar të “gjykatës speciale” – vetëm gjykimi i krimeve të luftës të UÇK-së dhe jo gjykimi i të ashtuquajturave vrasje politike, derisa në anën tjetër, kur t’i kemi parasysh viktimat e vrasjeve “politike”, respektivisht të qasjes selektive të mediave dhe kuadrove të LDK-së, sikur qenkëshin vrarë vetëm pjesëtarë e LDK-së, kur dihet se shumë herë më i madh është numri i të vrarëve të ish-pjesëtarë të UÇKsë, që gjithashtu nuk janë zbardhur. Ndryshe ai ka edhe dyshimet e tij të tjera rreth asaj pse u vranë disa figura të LDK-së dhe nga kush mund të ketë ndodhur përgatitja e skenarit të likuidimit të tyre. “Mua nuk më rezulton se duhet të kenë qenë vrasje politike, meqë asnjë nga viktimat nuk ishte kuadër që paraqiste rrezikim politik të “krahut të luftës”. E formulova kështu, meqë orkestrimi i akuzave është se “krahu i luftës” qenkësh komanduar për vrarë kuadro të LDK-së, që paskësh penguar “krahun e luftës” të vijë në pushtet. Po të analizohen rast për rast, rezulton se kjo akuzë e orkestruar nuk qëndron. I kam analizuar tri raste më karakteristike, ai i vrasjes se Enver Malokut, Xhemal Mustafës dhe Smajl Hajdarit, si personalitete më të afirmuara. Të tre duhet të jenë vrarë në momentin kur po bënin një si katarsis, që do të thotë Enver Maloku po kalonte nga “krahu pacifist” në krahun çlirimtar (prandaj ia ndalën edhe financimin e QIK-ut), Xhemal Mustafën po e neveriste pritja e NJËSHIT pas lufte dhe riciklimi i tij, sërish si NJËSH, Smajl Hajdari, si ish-komandant i UÇK-së, qe rebeluar KUNDËR në mbledhje të grupit parlamentar të LDK-së, ku NJËSHI donte t’i bindte deputetët e LDK-së që jenë dakord me votim edhe nga deputetët nacionalistë serbë të “povratakut”, meqë pa votat e tyre NJËSHI nuk kishte vota të bëhej president kuisling i UNMIKistanit. Duke pasur parasysh këto “kthesa” të tyre, “krahu i luftës” nuk duhet të kishte arsye politike t’i vriste këta, por duhej t’i gëzohej katarsisit të tyre. Disa herë kam shkruar, Beogradit duhet t’i ketë interesuar më se shumti t’i vret këta tre, për t’u hakmarrë për angazhim të tyre çlirimtar dhe për t’i disiplinuar, që të rrinë gatitu në rresht pas NJËSHIT. Por, ja që analistët në Kosovë tashmë janë dresuar e orkestruar për të menduar ndryshe, siç po mendojnë, se domosdoshmërish paskëshin qenë vrasje politike nga “krahu i luftës”. Uroj të zbardhen këto vrasje, tashmë edhe për inat të këtij zhurmimi të orkestruar, segregacionisht, të shpërdoruara kaq vulgarisht në kuadër të luftës partiake për pushtet”, theksoi Kelmendi për “Kosova Sot”. Ndryshe ai konsideron se drejtësia që tani kemi në Kosovë është pasqyra e vetë shtetit.”Drejtësia që kemi është drejtësia që meritojmë – si shoqëri pa kapacitete për të bërë sistem më të mirë. Po e përsëris, formimi i imponuar i “gjykata speciale” nuk është për të bërë drejtësi, respektivisht për të kompensuar mungesën e drejtësisë në Kosovës, por është gjykatë politike, segregacioniste, që e ka imponuar Serbia me miq të saj në Këshillin Evropian (me një votë më shumë se gjysma). Megjithatë uroj të jetë operative kjo “gjykatë speciale”, t’i shqyrtojë shpejt akuzat shpifëse që përmbante raporti akuzues i raportuesit Dik Marty, që të çlirohemi prej tyre, sepse Serbia dhe armiqtë e Kosovës po i shpërdorojnë ato”, është shprehur analisti Ibrahim Kelmendi.

(Kosova Sot)