ARKATANA

Mafia i ka lëshuar thellë rrënjët e veta në Kosovë

/ 7 minuta lexim
FIDANISHTJA

Analistë ekonomie, specialistë të kësaj fushe, por edhe deputetë të dikurshëm të Kuvendit të Kosovës, janë të mendimit se Qeveria e udhëhequr nga Ramush Haradinaj për njëqind ditëshin e parë ka bërë shumë pak për ekonominë e brishtë të vendit.

Monopoli kriminal u vazhdua,borxhet u falën paligjshëm, detyrimet u shtuan

“Sa i përket luftës kundër monopoleve në ekonomi, krimit të organizuar, sundimit të ligjit dhe funksionimit të gjykatave dhe Prokurorisë duhet që të veprohet më shpejt nga ana e Qeverisë me mekanizmat e saj, si janë: Autoriteti i Konkurrencës, Doganat, Administrata Tatimore, Policia e krimeve ekonomike, si dhe Prokuroria dhe gjykatat, me qëllim që të shihen rezultate konkrete. Edhe pse në ekonomi mafia ka lëshuar rrënjët e veta, presim që Qeveria të veprojë më shpejt dhe t’i dërgohen sinjale të qarta secilit në këtë vend, se askush nuk është mbi ligjin”, tha Xhevdet Neziraj për gazetën “Kosova Sot”

Analistë ekonomie, specialistë të kësaj fushe, por edhe deputetë të dikurshëm të Kuvendit të Kosovës, janë të mendimit se Qeveria e udhëhequr nga Ramush Haradinaj për njëqind ditëshin e parë ka bërë shumë pak për ekonominë e brishtë të vendit.

Ata ankohen se ekzekutivi iu fali me miliona euro borxhe prodhuesve të ujit, por edhe ua zgjati jetën monopoleve kriminale në disa fusha të ekonomisë, e sidomos në homologim, ndërsa nuk e përmirësoi fare ambientin konkurrues të bërjes së biznesit. Nga gabimet e tjera, që i faturohen kësaj Qeverie, janë edhe vendimi për të nënshkruar një marrëveshje për ndërtimin e TC-së “Kosova e Re”, me të cilën pritet të shtrenjtohet rryma, por edhe të shtohet ndotja e ambientit. Shumica e analistëve vlerësojnë se ekonomia dhe qytetarët e Kosovës nuk kanë përfituar asgjë në 100 ditëshin e parë të Qeverisë. Sipas tyre, ende çdo gjë po vazhdon që të mbetet në duart e mafio-oligarkëve të inkriminuar, pa marrë parasysh se kush e udhëheq Qeverinë.

Gabimet dominojnë listën

Eksperti i ekonomisë, Lulzim Beqiri tha për “Kosova Sot’, se njëqind ditëshi i qeverisjes se kryeministrit Haradinaj në planin ekonomik mund të karakterizohet më shumë negativ sesa të shquhet për diçka pozitive, sepse falja e borxhit prej 58 milionë eurove mashtruesve të ujit nuk ka kurrfarë justifikimi. “Sipas ligjeve në fuqi, Qeveria nuk ka kompetenca për të falur borxhe, as për të futur askënd në borxhe, ngase është Kuvendi i Republikës organi që e ka këtë kompetencë, andaj mendoj se kryeministri ka shkelur ligjin, por e keqja është se edhe gjithashtu ka legjitimuar mospagesën e obligimeve, sepse qytetarët tashmë janë bindur se pas një kohe vjen një udhëheqës dhe ua fal borxhin,që paraqet një mesazh të keq e negativ për tregtinë e lirë dhe obligimin qytetar për ta paguar atë që e kanë shfrytëzuar dhe janë pasuruar nga kjo pasuri e shtetit”, u shpreh ai. “Pastaj vjen edhe detyrimi për t’i paguar miliona euro kompanisë turkoamerikane ‘Bechtel-Enka’, si penallti e mosefikasitetit dhe mosmenaxhimit të duhur të marrëveshjes, ndërsa nuk dua që të përmend shkarkimet e bordeve të Ndërmarrjeve Publike, premtimit të banorëve të Shipitullës, e deri te fjalët kërcënuese të Haradinajt në Kuvend, pastaj numri i madh i zëvendësministrave, që ka arritur më shumë se 70 sish, dhe nga një numër i tillë aq i lartë dëmtohet jashtëzakonisht ekonomia e vendit”, vijoi më tej Beqiri.

Mobi Casa

Ai ka edhe vlerësime të tjera për Qeverinë. “Janë edhe disa të arritura, të cilat, ndonëse me probleme serioze, kanë karakterizuar këtë 100 ditësh të punës së kryeministrit. Ajo është nënshkrimi i kontratës për TC ” Kosova e Re” me kompaninë amerikane ‘Contour Global’, që e jep një mesazh pozitiv për investitorët e huaj se megjithatë Kosova ka filluar t’i kthejë investitorët, por edhe pse kemi shumë benefite nga kjo kontratë qytetarët do të preken nga rritja e çmimit të energjisë çka edhe ka për ta vështirësuar edhe më shumë jetën e tyre, sepse një ngritje e çmimit të energjisë, veç tjerash, i dëmton rëndë edhe bizneset, aq më tepër kur dihet se në Kosovë në asistencë sociale janë mbi 25 mijë familje, me rreth 100 mijë anëtarë”, potencoi Beqiri.

Kryeministri dinamik, por ministrat të ngathët

Analisti Mustafë Kadriaj thotë për “Kosova Sot’, se kjo Qeveri megalomane e rekordmene për zëvendësministra, nuk po arrin të tërheqë investime. “Kryeministri i ka duart e lidhura, sepse fuqia e kryeministrit karshi koalicionit është e dobët”, theksoi ai. Sipas tij, vazhdimi i licencës për homologim të njëjtit operator tregon se monopolet e kanë nënshtruar edhe këtë Qeveri. “Si përfundim, kjo Qeveri do të llogaritet si Qeveria më e dobët si për nga numrat e deputetëve dhe performancës së ministrave, por njëherësh do të mbahet mend për ngarkesë në administratë”, u shpreh më tutje ai. Ndërsa ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Xhevdet Neziraj, për gazetën”Kosova Sot”, tha se qytetarët e vendit e kanë vështirë të shohin se çka ka bërë Qeveria “Haradinaj” në 100 ditëshin e saj, sepse nga qeverisjet e kaluara është degraduar çdo gjë, saqë duhet më shumë kohë që të ndryshojë gjendja ekonomike dhe sociale. “Ne duhet të jemi më realistë në disa qasje, sepse ekonomia nuk mund të ndryshojë me shkop magjik për një afat të shkurtër. Në këto 100 ditë qeverisje, dua të them lirisht nga z.Haradinaj shihet një qeverisje e re, dinamike,vendimmarrëse,kompetente dhe më e fuqishme sesa që ishin qeveritë e kaluara”, u shpreh ai. “Kam pritur më shumë nga disa ministra që të reagojnë më shpejt në disa lëmenj të caktuar, por për një analizë më të thellë do të shohim pas një viti për të arriturat e kësaj Qeverie”, vijoi më tutje Neziraj. Ai vlerëson se qeverisja e Haradinajt duhet të përmendet për të mirë në rastin e ultimatumit që kreu i ekzekutivit dha me rastin shpronësimit në fshatrat Hade dhe Shipitullë dhe shumë shpejt pritet që ekskavatorët të fillojnë punën, për të mos ardhur në krizë energjetike në këtë kohë dimri, ndërsa qeveritë e kaluara për dy mandate nuk kanë arritur që ta zgjedhin këtë problem.”Është shumë pozitive edhe nënshkrimi i kontratës së Qeverisë me kompaninë amerikane për ndërtimin e TC-së ‘Kosova e Re’, që do të ndikojë në stabilitetin energjetik në vend dhe përkundër disa vërejtjeve të disa ekspertëve të mjedisit, lirisht e them se është një veprim i mirë i kësaj Qeverie për ndërtimin e këtij termocentrali, sepse Kosova nuk ka resurse të tjera, përveç thëngjillit për energji, që do të kushtojë më lirë për qytetarin e vendit”, shtoi Neziraj.

Efektet e vendimeve qeveritare

Përveç kritikave, ka edhe vlerësime pozitive për Qeverinë për këtë 100 ditësh. Bankieri Milazim Abazi tha për “Kosova Sot”, se Qeveria “Haradinaj” për njëqind ditë ka arritur ta përmirësojë klimën e biznesit dhe të bëhet partner mbështetës i prodhuesit vendor. “Kryeministri ka marrë vendime të shpejta dhe të favorshme për zhvillimin ekonomik të Kosovës, siç janë fillimi i zbatimit të Ligjit për ‘Trepçën’, rregullimi i problemeve të aktivizimit të minierës së thëngjillit në fshatrat Shipitullë dhe Hade”, potencoi ai.Veç saj, Abazi tha se kjo Qeveri e bëri faljen e borxheve prodhuesve të ujit dhe lëngjeve, heqja e doganës për makineri, lëndë të para dhe gjysmëprodukte për të gjithë prodhuesit vendorë, shkarkimi i disa drejtorëve të 9 kompanive publike, për shkak të konfliktit të interesit dhe së fundi nënshkrimi i kontratës për ndërtimin e TC-së “Kosova e Re”.

(Kosova Sot)

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.