KKVITI

MacShane: Pasionet nacionaliste po e pengojnë zhvillimin e shteteve në Ballkan

/ 4 minuta lexim
Mobi Casa

Ish-ministri përgjegjës për Ballkanin dhe BE-në në qeverinë e Tony Blair, Denis MacShane, në një editorial të tij, rajonin e Ballkanit Perëndimor e ka quajtur “Zonë e mumjeve” e BE-së, ku të vdekurit dhe urrejtja e së kaluarës shfaqen më të gjallë se të gjallët.

Ai ka shkruar se kjo është pjesë e dështimit të paimagjinueshëm të Ballkanit Perëndimor për t’u përshtatur me botën bashkëkohore pas luftërave një dekadëshe në vitet 1990-ta, që e shpërbënë Jugosllavinë në shtatë shtete të vogla evropiane.

MacShane ka vlerësuar se politika e jashtme e BE-së po e jep maksimumin për çlirimin nga urrejtja dhe se kryediplomatja aktuale e BE-së, Federica Mogherini dhe paraardhësja e saj, baronesha Catherine Ashton, i kanë kushtuar më shumë kohë çlirimit nga urrejtja në mesin e popujve dhe shteteve të Ballkanit Perëndimor, se çfarëdo çështjeje tjetër. Por, ai ka thënë se mbetet fakti që, pesëmbëdhjetë vite pas përfundimit të luftimeve, Ballkani Perëndimor, nga Athina e deri në Alpe, është bllokuar nga pasionet nacionaliste që pengojnë zhvillimin normal të shteteve të tyre.

Megjithatë, ish-ministri përgjegjës për Ballkanin dhe BE-në në qeverinë e Tony Blair, ka qenë edhe kritik ndaj politikës së jashtme të BE-së. “Bashkimi Evropian nuk mund të këndellë shtetet e shkatërruara të Irakut, Libisë dhe Sirisë, por nëse Brukseli, Berlini, Parisi dhe Londra janë aq të paafta për të injektuar n jë dozë sado të vogël të maturisë në Ballkanin Perëndimor, përfshirë Greqinë, a ekziston fare një politikë e jashtme e BE-së?”, ka pyetur MacShane.

Ai ka theksuar se për shkak të pasioneve nacionaliste dhe mosbashkëpunimit të shteteve të Ballkanit Perëndimor, ku ato nuk ia njohin as kufijtë njëra-tjetrës dhe nuk bashkëpunojnë në fushën e policisë dhe inteligjencës, bën që në këtë rajon të lulëzojë kriminaliteti dhe korrupsioni, sepse kjo përbën edhe biznes fitimprurës.

UBT

Për ta ilustruar mendësinë e politikëbërjes në Ballkanin Perëndimor, MacShane ka tërhequr edhe paralele me liliputët në prozën “Udhëtimet e Guliverit”, të cilët janë nisur për të luftuar mes atyre që donin të thyenin një vezë nga maja e ngushtë dhe atyre që donin ta thyenin nga maja e gjerë.

MacShane ka thënë se edhe shtetet e Ballkanit Perëndimor nga Greqia drejt veriut janë më të suksesshme në gjetjen e arsyeve për të kundërshtuar njëra-tjetrën, se sa për të bashkëpunuar.

“Pjesa tjetër e botës qesh me pretendimin e maqedonëve se heroi i Greqisë së lashtë, Aleksandri i Madh, ka diçka të bëjë me shtetin e sotëm sllavo-shqiptar të Maqedonisë. Por, njëlloj qeshë edhe me pretendimin e Serbisë se Kosova është vetëm një krahinë e shkëputur, që një ditë do të shohë dritën dhe do të kthehet nën sundimin e Beogradit. Këto pasione nacionaliste populiste kanë një efekt jashtëzakonisht negativ dhe dobësues në zhvillimet normale ekonomike”, ka shkruar MacShane.

Gërthitjet e pafundme për ndëshkim për zhvendosjen masive të serbëve pas dhënies fund të sundimit të Beogradit në Kosovë, sipas tij, gjithashtu parandalojnë pajtimin, tregtinë dhe zhvillimin ekonomik.

Ish-ministri përgjegjës për Ballkanin dhe BE-në në qeverinë e Tony Blair, ka thënë se kjo është e njëjtë sikur më 1965, Franca dhe Gjermania të mos kishin pasur marrëdhënie diplomatike, të kishin diskutuar vetëm për krimet e luftës dhe të kishin ndalur bashkëpunimin ekonomik e shkëmbimin e studentëve.