LVV: Qytetin tim e ka kapluar terri

/ 6 minuta lexim
Uji Dea

Gjilan – “Se sa terr bëhet natën nëpër rrugët e Gjilanit tanimë është bërë një kohë e gjatë që ajo po vërehet. Si prindërit ashtu edhe fëmijët, por edhe gjithë qytetarët janë të shqetësuar dhe të frikësuar nga kjo situatë, që tashmë është bërë ankth për qytetarët, mirëpo qeverisja komunale duket se nuk qanë kokën për këtë hall”- kështu ka thënë aktivisti i Lëvizjes në Gjilan Luan Aliu, në konferencën e mbajtur sot, lidhur me mungesën e kahershme të ndriçimit publik në qytetin e Gjilanit.

Mjafton të bësh një gjiro nëpër rrugët dhe lagjet e qytetit, por edhe nëpër rrugët kryesore të qytetit dhe do të shohësh gjendjen reale të ndriçimit publik në qytetin tonë. Lagjet nëpër të cilat mbizotërojnë qentë endacakë dhe terri i pafund. Në qytetin tonë kemi rrugë që janë kryesore, siç është rruga e Ferizajt, e cila as 20 vjet pas luftës nuk ka ndriçim publik.

Çka është edhe më e frikshme, është se ndriçimi mungon edhe ne rrugët pranë shkollave, institucioneve tjera edukativo-arsimore. Nëpër disa rrugë sheh se qytetarët në mënyrë vetanake kanë ndriçuar rrugët, ku jetojnë pasi që nuk presin më që një gjë ta bëjë drejtoria e shërbimeve publike. Pra lirisht mund të themi se mbi 50% të rrugëve dhe lagjeve të qytetit tonë janë pa ndriçim.

“Si përfundim, qytetin tonë e ka kapluar terri si në aspektin politik ashtu edhe në atë real e praktik, ndërsa vetëlavdërimi, krekosja dhe mirënjohjet e eksportuara, vazhdojnë të mbeten deviza e vetme e këtij pushteti”, ka thënë në fund Aliu, i cili bashkë më këshilltaren komunale Arbëreshë Kryeziu Hyseni, kanë nxjerrë foto nga secila rrugë dhe lagje e qytetit, foto këto që janë ekspozuar sot edhe para mediave, e që e tregojnë gjendjen reale, atë të mungesës së ndriçimit ngado në qytet.

KKVITI

Çështjen e mungesës së mirëmbajtjes së ndriçimit publik në qytet, e ka trajtuar edhe Arbëreshë Kryeziu Hyseni, gjatë seancës së rregullt në Kuvend, një tender që ka shtatë muaj që nuk po përfundon akoma, e manipulimet me të po rriten çdo ditë e më shumë.
“Tenderi për Sanimin dhe Mirëmbajtjen e Ndriçimit Publik në Qytet, është publikuar më 26 shkurt të këtij viti, ofertat për të cilin i kanë dorëzuar 8 operatorë ekonomik. Nga këto 8, janë përzgjedhur 4, të cilat kanë pasur çmimin më të ulët, ndërsa më 11 maj është shpallur fitues kompania Viva Print. Pas ankesave të njërit operator ekonomik, se kjo kompani nuk i përmbushë kriteret e tenderit, më 8 qershor është dhënë njoftimi për anulimin e tenderit. Ndërkohë, gjatë kësaj kohe, është bërë një lojë, në të cilën me sa duket po dalin të jenë të përfshirë shumë persona. Kanë filluar të qarkullojnë fjalët që me anë të një marrëveshje të brendshme, fituesi i tenderit është kompania EL-BAU, çmimi i së cilës na del të jetë sa dyfishi e bile edhe më i lartë, se i Viva Print-it dhe kompanisë tjetër TONI që ka parashtruar ankesën gjatë fazës së parë. Më 28 qershor janë njoftuar dy kompanitë, që njëra nuk i ka përmbushë kriteret për shkak të mungesës së kapacitetit teknik, që mesa duket ka qenë vetëm arsyetim, sepse po të kishte ekzistuar në të vërtetë, do të njoftohej qysh në fillim dhe nuk do të kualifikohej si kompani e përgjegjshme dhe tjetrën si të pasuksesshme, e që është Viva Printi.
Pra, tani na del që janë dy kompani të pakënaqura dhe që kanë parashtruar ankesë deri edhe në OSHP, e që janë Viva Print dhe Toni.

Ndërsa, së fundi, OSHP ka dhënë vendimin e saj dhe e ka kthyer tenderin në ri-vlerësim, që do të thotë ky tender do të kalojë dhe një herë nëpër të gjitha procedurat e vlerësimit”, ka thënë Kryeziu Hyseni.

“Unë si këshilltare komunale, kam kërkuar të kem qasje në dokumentet zyrtare që ndërlidhen me këtë tender, por edhepse fillimisht më është thënë se ke të drejtë dhe të lejohet, më pas kam marrë përgjigjen se nuk kanë pasur një kërkesë të tillë asnjëherë më parë dhe nuk po dijnë si të veprojnë karshi kësaj, duke më konsideruar si palë të tretë që mund të shkaktojë konflikte gjatë fazës së re të vlerësimit. Por, ne të gjithë, jemi dëshmitarë të asaj që po ndodhë në Zyren e Prokurimit, e për të cilën vet kryetari Lutfi Haziri, ka thënë se është para mbylljes. Ai gjithashtu e ka pranuar që as drejtori dhe as punëtorët e tjerë (pos njërës), nuk janë të çertifikuar, duke shtuar se të gjithë të tjerët janë nën akt-akuzë. Vet kryetari i Komunës Lutfi Haziri ka thënë qe
problemi i njëjtë i së kaluarës po vazhdon, duke iu referuar ish shefit te prokurimit. Ai madje tha se e dënon aktin e ish shefit të prokurimit duke e cilësuar atë si pengesë në zhvillimin e Komunës së Gjilanit.

Por, pavarësisht se e dimë që prokurimi na del të jetë njëri nga dikasterët më me rëndësi në Komunë, por ajo që realisht ndodhë, është që vazhdueshëm kemi eksperienca të dëmshme për komunën, me personat që emërohen në krye të Prokurimit, nëpër të cilën zyre kalojnë dhjetëra e qindra tenderë shumë të rëndësishëm për zhvillimin e komunës tonë, por që përcillen me dhjetëra e qindra parregullsi dhe manipulime”, ka thënë në fund Kryeziu Hyseni./rajonipress/