LVV: Ndalimi i aktivistëve, me urdhra të Hysenit

Lëviza “Vetëvendosje” ka kërkuar përgjigje nga drejtuesit e institucioneve shtetërore se kush ka urdhëruar ndalimin e aktivistëve të saj për të hyrë në Kosovë.
Shefi i grupit parlamentar të Lëvizjes “Vetëvendosje”, Glauk Konjufca, në një konferencë për media, të mërkurën, ka thënë se ka shtruar disa pyetje për autoritetet e vendit, në të cilat ka thënë se kërkojnë përgjigje urgjente.
“Kush e dha urdhrin për ndalimin e Dejona Mihalit që ajo të hyjë në Kosovë? Kujt i konvenon që të mos lejohen aktivistët e Shqipërisë që të jetojnë dhe të veprojnë në Kosovë? Kush është përgjegjës për persekutimin e aktivistëve nga Shqipëria vetëm e vetëm për shkak të bindjeve të tyre politike? Kush po i pengon gjykatat që të mos punojnë sipas ligjeve meqë ato qëllimisht nuk po e shqyrtojnë padinë që e kanë bërë këta aktivistë, edhe pse e kanë obligim që këtë çështje ta shqyrtonin brenda 60 ditësh”, është shprehur Konjufca, shkruan sot gazeta “Zëri”.
Ai madje ka thënë se Qeveria “Mustafa” po i trajton aktivistët e saj siç i trajtonte Qeveria e Serbisë aktivistët e Shqipërisë gjatë viteve të 90-ta.
“Kjo Qeveri po i trajton ata, njësoj siç i ka trajtuar Qeveria e Serbisë më parë aktivistët e Republikës së Shqipërisë që vinin në Kosovë në vitet ’90 e më parë”, ka shtuar Konjufca.
Kurse deputetja e këtij subjekti, Albulena Haxhiu, ka thënë se zyrtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme kanë zbatuar urdhra kryekëput politik të shefit të kësaj Ministrie, Skender Hysenit dhe të kryeministrit, Isa Mustafës.
“Boiken Abazit, Arbër Zaimit dhe Dejona Mihalit i janë shqiptuar masa të ndalimit të lirisë së lëvizjes mbi halucinacionin e kësaj Qeverie, për shkak se as në vendimet e lëshuar nuk specifikohen shkaqet konkrete me të cilat do të ishin vërtetuar pretendimet e tyre”, ka potencuar Haxhiu.
Ndërsa në lidhje me paditë e ngritura nga Boiken Abazi dhe Arbër Zaimi, Haxhiu tha se gjyqtarët nuk e kanë ndërmarrë asnjë hap, edhe pse kanë pasur nga 60 ditë afat ligjor.
“Te rasti i Boiken Abazit, gjykata është dashur që ta zgjidhte çështjen deri më 13 qershor 2016, dhe për rastin e Arbër Zaimit të vendosë deri më 21 qershor 2016. Për këtë arsye, pas kësaj konference, në cilësinë e Kryetares së Komisionit për Legjislacion të Kuvendit të Republikës së Kosovës, do t’i drejtohem Kryesuesit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, që të jetë në dijeni për shkeljen dhe abuzimin e të drejtave themelore të mbrojtura me Kushtetutë dhe akte ndërkombëtare”, ka deklaruar Haxhiu, duke thënë se do të kërkojë nga KGjK-ja që të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme, që ta ndalojë mohimin dhe shkeljet brutale të të drejtave të secilit nga ta./zeri/