RCCOLA

LVV: Luta të ofroj dorëheqje, e ka degraduar dhe futur në telashe të mëdha Gjilanin

/ 7 minuta lexim
Mobi Casa

Gjilan – Në Lëvizjen Vetëvendosje! Qendra në Gjilan, sot u mbajt konferencë për media, ku u fol për besimin e qytetarëve në Lëvizjen, që po rritet çdo ditë e më shumë, gjë që po dëshmohet edhe me numrin e anëtarësimeve të reja. Ndërkaq u kërkua dorëheqja e kryetarit Lutfi Haziri, si pasojë e degradimit dhe telasheve të mëdha që i ka shkaktuar qytetit tonë.

Në këtë konferencë folën ushtruesi i detyrës së kryetarit të Qendrës së LVV-së në Gjilan Nehat Osmani dhe anëtari i kryesisë së Qendrës, Fehmi Sylejmani.

Nehat Osmani tha se të gjithë ata që deri dje ishin në përkrahje të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, sot janë të bindur më tepër se asnjëherë se lëvizja VETËVENDOSJE! po ecën drejt, ashtu sikur eci përgjatë gjithë rrugëtimit të saj – edhe pastër.
“Të gjithë ata që deri dje besuan në pastërtinë e Lëvizjes VETËVENDOSJE! besuan para së gjithash në pastërtinë e vet. Duke qenë vetja, ata njëkohshëm ishin edhe VETËVENDOSJA!, prandaj edhe përpjekjet për të njollosur vlerat e pastërta të lëvizjes ishin përpjekje dëshpëruese dhe pjesë e një projekti tashmë të dështuar. Ngase, besimi në Lëvizjen VETËVENDOSJE! si ide dhe Albinin si model politik ishte më i madh se sa orteku i rrokullisur brenda organizatës sonë që synonte të lëkund themelet e një lëvizjeje që së shpejti do shndërrohet në themelet e Republikës sonë.

Madje, është e çuditshme se si vetë oponentët e Vetëvendosjes, e parakuptojnë si të pastër e avangarde imazhin e lëvizjes në përpjekjet e vazhdueshme për t’i gjetur e shpikur njolla. Por, lëvizja nuk ka ndryshuar, as në aspektin konceptual, as ideologjik e as të diskursit politik, kanë ndryshuar vetëm disa individ me ambicie personale që tanimë nuk janë pjesë e jona.

Ngado dhe kurdo, në terren, në çdo celulë të organizimit tonë, vërejmë qartazi se vullneti i pashterur i përkrahësve në rritje është më i madh se dëshpërimi i përkohshëm. Ngado dhe kurdo, gatishmëria e përhershme për të shiquar e ecur para është më e madhe se hutia momentale, mbi të gjitha zotimi për angazhim të dyfishtë me ata që sot janë me ne e sidomos me ata që do na bashkëngjiten neve, është shumë më i madh se ngecja në dukje të parë, tashmë veç kalimtare.

Por, cila është kundërvënia më e mirë e këtyre hamendësimeve të fabrikuara dhe mirë të sinkronizuara edhe në këtë moment – janë kërkesat e pandalura për anëtarësime të reja të anëtarëve të rinj.

Cilat janë argumentet për të dëshmuar vazhdimësinë dhe lojalitetin e palëkundur ndaj konsistencës shtetërore, kombëtare e zhvillimore – janë dëshira dhe gatishmëria për të ndjekur rrugën e përbashkët të lëvizjes përmes anëtarësimeve të reja.
Përkrahja e shfaqur kohëve të fundit përmes interesimit të shtuar për anëtarësime në lëvizjen tonë është ndjenjë e një freskie mbase të nevojshme, të mbushur me elan, të etur për aksion, për sfida, sidomos për fitore.

Tani me një përvojë më tepër, por të çliruar, të relaksuar ama të vendosur, të hapur dhe kooperative me gjithsecilin prej jush që kanë nevojë ta shohin idenë dhe shpresën, por kuptimplote dhe përmbajtësore.

Uji Dea

Prandaj edhe përmes kësaj konference për media i bëjmë thirrje të hapur të gjithë të rinjve, grave e burrave që t’i bashkohen këtij karvani të gjatë të LVV përmes anëtarësimeve të reja në mënyrë që bashkërisht të ndryshojmë vetveten për së mbari, por sidomos të ndryshojmë pushtetin në komunën tonë. Sepse këta të pushtetit mendojnë se Gjilani ka ndryshuar, sepse ATA kanë ndryshuar vetveten duke ndryshuar luksin e tyre dhe duke ndryshuar standardin e familjeve të tyre. Nga pikëpamja e tyre ATA tashmë kanë ndryshuar, por ne kemi nevojë t’i ndryshojmë vet ata në mënyrë që ta ndryshojmë edhe Gjilanin e ta ndryshojmë krejt Kosovën.

Ejani pra me lëvizjen sepse ne ende kemi shumë për të dhënë, kemi ende shumë për të bërë, kemi ende shumë për të kontribuar”, ka thënë në fund Osmani.

Haziri të dorëhiqet nga paaftësia për të udhëhequr komunën

Ndërkaq, Fehmi Sylejmani, ka thënë se premtimet boshe e demagogjike, mungesa e investimeve, degradimi i skajshëm i qytetit, paaftësia për të krijuar qeverinë lokale për të udhëhequr komunën dhe mos konstituimi i komiteteve për më tepër se pesë muaj nga zgjedhjet e nëntorit të vitit të kaluar si dhe shumë defekte të tjera që po e përcjellin në vazhdimësi komunën e Gjilanit, kryekëput rëndojnë mbi kryetarin aktual Lutfi Haziri, të cilit tashmë taktizimet dhe justifikimet e tija të njëjta po dalin boje.

“Komuna e Gjilanit tashmë po përballet me telashe të ndryshme, duke filluar nga degradimi i skajshëm i qytetit, mungesa e projekteve ideore, mungesa e barnave esenciale, hapësirat e gjelbërta të pa-mirëmbajtura, pastërtia në qytet larg asaj të dëshiruarës, keqpërdorimeve të ndryshme në procedurat tenderuese, aktakuza e tre zyrtarëve të lartë komunal, mangësi dhe shkelje të ndryshme ligjore në arsimi, mungesa ujësjellësit dhe kanalizimeve në fshatra, keqpërdorime dhe abuzime të ndryshme, mos trajtimi i duhur ndaj bujqve, e shumë e shumë defekte tjera.
Ku u tretën dhe u avulluan fjalët bombastike të Lutfi Hazirit, se do ta depolitizojmë arsimin. Sot arsimi është më së i politizuar se kurrë më parë dhe me një udhëheqje tejet dëshpëruese, humben orët mësimore me javë dhe askush nuk jep llogari, pranohen mësimdhënës mbi baza partiake e nepotiste, nuk shpallen me kohë rezultatet e konkursit, ndërpriten bursat për studentë , nuk ka shujta për nxënës, shkollimi falas për femra, ndërtimi i çerdheve, përveç një në Dardani, vendosja e kamerave në të gjitha shkollat, nuk ka investime ne kabinete shkollore, kopshte dhe hapësira gjelbëruese nuk po shohin qytetarët, se të gjitha klubet sportive do ta kenë buxhetin e ndarë vjetor, ndërkohë që jemi në fund të muajit të katërt dhe klubet sportive fatkeqësisht shumë pak kanë marrë nga ajo që ju është ndarë në kuvendin komunal, teksa ndarja e tyre më shumë është bërë në baza partiake, e ku kemi klube sportive që pikërisht për shkak të mos ndihmës financiare i kanë braktisur edhe garat, duke e shuar edhe aktivitetin e tyre sportive, përkrahje më e madhe bujqve dhe bizneseve e shumë e shumë premtime tjera.

Prandaj duke i parë këto defekte dhe premtime të parealizuara të kryetarit Haziri, që çdo ditë e më tepër po i bën dëm komunës dhe buxhetit të saj, Ne si Lëvizje Vetëvendosje kërkojmë dorëheqjen e tij të menjëhershme, si paaftësi për të menaxhuar komunën, meqë qytetarët gjilanas meritojnë një tretman dhe kujdes shumë më të mirë e veçmas vepra konkrete e jo retorikë boshe.

Qytetarët e kësaj komuna njihen si një nga taksapaguesit më të disiplinuar në Republikën e Kosovës, andaj edhe projektet duhet orientuar më shumë në dobi dhe shërbim të tyre dhe në zhvillim e prosperim të komunës. Gjilani ka mbet zorrë qorre e këtë më së shumti po e paguajnë qytetarët e kësaj ane si kundër edhe bizneset gjilanase”, ka përfunduar Sylejmani./rajonipress/