LVV: Kontrabandimi i deputetëve sjell qeverisje të korruptuar
Deputetja e lëvizjes “Vetëvendosje”, Donika Kadaj-Bujupi, ka thënë se kontrabandaimi i deputetëve nuk do të sjellë asgjë, përpos një qeverie të korruptuar.
“Konsiderojmë se ky koncepti i kontrabandimit të deputetëve nuk do të prodhojë asgjë tjetër, përveç se do të vazhdojë një qeveri eventuale nëse arrin ta bëjë me një mendësi të korruptuar dhe kriminale, siç është edhe vetë klani ‘Pronto’ nën ombrellën e të cilit vepron tani edhe z. Haradinaj”, ka deklaruar ajo për “Zërin”.
Andaj, sipas saj, “Vetëvendosja” nuk do ta përkrahë qeverinë e PAN-it.
“Prandaj, nga lëvizja ‘Vetëvendosje’ nuk do të ketë asnjë përkrahje”, është shprehur ajo tutje, transmeton zeri.info.
Kurse Artan Murati, hulumtues në Institutin Demokrati të Kosovës (KDI), ka konsideruar se sigurimi i votave për PAN-in mbetet mjaft sfidues, pasi që LVV-ja dhe LAA-ja janë deklaruar kundër bashkëpunimit me të. Mirëpo, për të arritur t’i formojë institucionet ai ka konsideruar se duhet patjetër që të merren deputetë nga po këta taborë.
“Tash dihet nëse do të ketë sukses zgjedhja e Veselit ose Haradinajt, do të duhen deputetë të zgjedhur nga partitë e tjera për t’ia dhënë votën. Të paktën prej emrave që kanë qarkulluar në publik se mund ta votojnë Haradianjn, shumica prej tyre janë prej LAA-së, prej LVV-së nuk është që ka qarkulluar ndonjë”, ka theksuar ai. /Zeri/


