LVV deshti të kontrabandonte rendin e ditës, seanca në mungesë të kuorumit ndërpritet

Gjilan – Pushteti i LVV kurrsesi të mbajë një seancë si duhet. Edhe sot në mungesë të kuorumit seanca është ndërprerë për shkak se qeverisja e LVV donte ta kontrabandonte rendin e ditës. Sipas opozitës, në rend dite janë përfshirë edhe pika të cilat nuk kanë kaluar në KPF.

Kuvendi Komunal i Gjilanit, në mungesë të kuorumit e ka ndërprerë seancën e sotme, pasi opozita (LDK, AAK, Vatra, LS) e ka braktisur sallën e mbledhjeve, me arsyetim se nuk mund të thirret seancë e re pa u mbyllur ajo paraprake.

Arianit Sadiku, kryesues i Kuvendit, ka thënë se pikat e mbetura nga seanca e tetë, e cila ishte ndarë në dy pjesë, janë bartur në këtë seancë dhe do të shqyrtohen në fillim dhe pastaj do të vazhdohet me pikat tjera, të rekomanduara nga KPF-ja për seancën e nëntë të Kuvendit.

‘Ligjërisht jemi në rregull sa i përket rendit të ditës së Kuvendit, sepse bëhet fjalë për pikë të mbetura nga seanca e kaluar’, ka thënë kryesuesi Arianit Sadiku, duke kërkuar nga opozita që të jetë bashkëpunuese ashtu siç kishte premtuar në fillim të këtij mandati.

Sipas opozitës, në rend dite janë përfshirë edhe pika të cilat nuk kanë kaluar në KPF.

Përndryshe, në rend dite të kësaj seanca ishin këto pika: Kërkesa nga Policia e Kosovës për dhënien në shfrytëzim të objektit të ish-QKMF-së, Raporti i punës i Kryetarit të Komunës për periudhën janar-qershor 2022, raporti i punës për vitin 2021 i Komisionit Komunal të aksionarëve në KRM “Higjiena”, në NPL “Stacioni i Autobusëve” dhe “Tregu”, propozim vendimi për emërimin e anëtarëve të Komisionit komunal të aksionarëve në NPL “Stacioni i Autobusëve”, “Tregu” dhe KRM “Ecohigjiena”, propozim vendimi për shpalljen e interesit publik për pjesën e parcelës nr.309-O ZK Stublinë, propozim buxheti i Komunës për vitin 2023, propozim vendimi për themelimin e Komisionit për zgjedhjen e Këshillave lokale, informata për korrje-shirjet, informata e Komisionit për ndarjen e bursave./rajonipress/

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS