Lutfi Haziri takon task-forcën për përgatitjen e vitit të ri shkollor 2020/21

Gjilan – Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri ka takuar sot task-forcën për përgatitjen e fillimit të vitit të ri shkollor 2020/21, duke shqyrtuar të gjitha mundësitë dhe angazhimin e personelit të drejtorisë komunale, të personelit të shkollës, këshillin e prindërve dhe asistencën mjekësore.

“Komuna e Gjilanit duke u bazuar në udhëzimin e qeverisë, është duke u përgatitur për tri opsione për fillim të vitit të ri shkollor. Në veçanti jemi duke punuar në aspektin teknik, dezinfektues dhe sanitar për përgatitjen e procesit. Njëkohësisht, një përkujdesje dhe përgatitje është duke i kushtuar pjesëmarrjes së nxënësve në shkollë, masave parandaluese, distancës dhe mjeteve mbrojtëse që fëmijët duhet të përdorin për parandalim të infeksionit. Qëllimi është që fëmijët dhe mësimdhënësit të komunikojnë drejtpërdrejtë në shkollë, por gjithashtu të kombinohet edhe me mësimin online, nëse është e nevojshme, si pjesë mbështetëse”, ka thënë Haziri.

Ai më tej, në konferencën për media, ka thënë se kujdes i veçantë do t’u kushtohet fëmijëve në institucionet parashkollore, çerdheve, fëmijëve me nevoja të veçanta.

“Gjilani ka rekomanduar që mësimi të mbahet direkt në shkollë dhe jo në opsionin e dytë apo të tretë. Kjo për shkak se nuk kemi kapacitete, nuk ka mundësi dhe nuk jemi të përgatitur të mbajmë mësimin nga distancë dhe përmes teknologjisë. Në anën tjetër, gjendja sociale e prindërve dhe e gjithë komunitetit tonë është e njëjtë dhe nuk ka ndryshuar, përkundrazi nga marsi i këtij viti, ka degraduar si pasojë e impaktit ekonomik gjatë kohës së pandemisë”, ka thënë ai.

Nazim Gagica, drejtor i Arsimit në Gjilan, ka thënë se kanë koordinuar të gjitha institucionet edukativo-arsimore, dhe rekomandohet që nxënësit të kthehen në shkolla, derisa lajmi i mirë është se me rekomandim të kryetarit Haziri, shkollat do të kenë edhe ekipet ambulantive të stafit mjekësor.

“Rekomandimi i Gjilanit është që nxënësit të kthehen në shkolla, sepse në bazë të vlerësimit dhe ekspertëve që monitorojnë procesin e mësimit, klasa e parë dhe e dytë, e pesta dhe e gjashta, klasa e dhjetë dhe shkollat profesionale, janë më të ndjeshme dhe duhet organizim i mësimit në shkollë, për çka edhe jemi fokusuar direkt në këtë drejtim”, ka thënë drejtori Gagica.

Modaliteti i Gjilanit nga ky takim ka dalë me rekomandimin që i ofrohet mundësia çdo nxënësit të jetë në shkollë, me formulë të zbatueshme, me kujdestari dhe kujdes ambulantor të Qendrës së Mjekësisë Familjare, duke i lidhur mjekun, mësimdhënësin dhe prindërit, kjo për edukimin e fëmijëve në mbajtje të maskave, masave mbrojtëse dhe ruajtjen e distancës./rajonipress/

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS

Vërejtje!

RajoniPress.com nuk do të botojë shkrime që nuk i përmbushin kriteret dhe standardet profesionale të gazetarisë bashkëkohore. Nuk do të ketë për askënd mbyllje apo censurë, por jemi të fokusuar që në këtë agjenci, lajmi, shkrimi, raporti, intervista dhe opinioni të plotësojnë kriteret profesionale. Gjithashtu opinionet, analizat, komentet, nuk duhet të shkelin parimet etike (gjuhën e urrejtjes, fyerjet, diskriminimet e çfarëdoshme).