Lutfi Haziri paralajmëron vlerësim të performancës së Bordit të drejtorëve
Gjilan – Kreu i Gjilanit ka paralajmëruar që në javën e dytë të majit do të ketë rishikim dhe vlerësim të punës së bordit të drejtorëve, duke thënë se nuk do të ketë dhurata sa i përket pozitave dhe se ata që nuk i kanë arritur objektivat do të shkarkohen.
“Pas vlerësimit të punës për katër muaj dhe krejt angazhimet që kanë ndodhur në administratë, unë po paralajmëroj që në javën e dytë të majit do të ketë rishikim dhe vlerësim të punës së Bordit të Drejtorëve dhe do të merren parasysh të gjitha sukseset, vërejtjet dhe mangësitë që janë gjetur dhe do të punohet në përmirësimin e performancës, e cila, në Gjilan është pjesë e punës sonë. Nuk ka dhurata në këtë administratë sa i përket pozitave, do të punohet deri në fund të realizimet e objektivave. Të gjithë ata që i kanë arritur objektivat do të jenë pjesë e ekipit, ndërkaq ata që nuk u kanë arritur, do të jemi të detyruar të shkaktojmë ndryshime”, tha Haziri.
Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri paralajmëroi themelimin e një Task Force në Gjilan, ku përfshihen edhe organet e rendit, për ta goditur ndërtimin ilegal.
“Prioritet gjatës kësaj faze do të jenë masat që do të merren në rrënimin e objekteve ilegale, tashmë të përmbaruara edhe nga organet e drejtësisë. Task Forca që do e bëjmë, përfshinë jo vetëm administratën komunale, por edhe organet tjera të rendit për parandalimin e kësaj problematike. Gjilani nuk është në vija të alarmit, por është njëra prej tri komunave që e ka industrinë më të madhe të ndërtimit. Këto dy vite kemi lëshuar të gjitha llojet e lejeve që kanë kërkuar nga investitorët dhe pronarët, duke dashur që industria e ndërtimit në Gjilan të marrë formë sepse nuk është vetëm prosperitet, por edhe zhvillim e punësim. Të gjitha ndërtimet janë në tokë private”, tha Haziri.
“Task Forca do të merret edhe me fabrikën e bukës, e cila nuk ka leje nga ana e Komunës për rrënim. Ne nuk do të lejojmë të rrënohet, pa i kryer borxhet që ka ndaj Komunës. Nuk po them që nuk duhet të rrënohet sepse, sipas pronarit, objekti është i degraduar dhe duhet të rrënohet, por po them që pronari i ka borxh Komunës. Por, tendenca me manipulu pronën private dhe të tentohet të kapitalizohet politikisht, është injorancë”, ka përfunduar Haziri./rajonipress/


