Lutfi Haziri mori certifikatën e lindjes për 30 sekonda përmes shërbimit më të ri “E-kiosqet”

Gjilan – Lutfi Haziri ia bëri sot sefte projektit më të ri të Komunës së Gjilanit “E-kiosqet”, duke marrë certifikatën e lindjes për 30 sekonda.
E-Kioska është vendosur para objektit të administratës dhe kryetari Haziri tha se ky është test-program dhe do të zgjerohet në të gjitha lagjet dhe fshatrat e mëdha, në mënyrë që secili t’i ketë shërbimet sa më afër.
“Sot Gjilani shënon hapin e pestë të modernizimit të administratës së saj të shërbimeve civile. “E-kiosqet” janë në shërbim të të gjithë qytetarëve të saj që dëshirojnë të kenë shërbime 24 orë. Falë këtij aplikimit edhe të këtij shërbimi, qytetarët nuk kanë nevojë as të presion e as të kontaktojnë sportelet tona. Ky është test-program dhe do të zgjerohet në të të gjitha lagjet dhe fshatrat e mëdha të komunës së Gjilanit, në mënyrë që secili t’i ketë shërbimet sa më afër”, ka deklaruar kryetari Haziri, pasi e mori certifikatën.
Ai tha se në Gjilan do të vendosen dhe dy kiosqe informative për nevojat e qytetarëve, sikurse edhe një kiosk që do të jetë një formë e kartelës shëndetësore që pacienti të lidhet me mjekun drejtpërdrejt.
“Janë programe që po i avancojmë e po i realizojmë me shumë sukses dhe besojmë shumë që Gjilani edhe këtë vit do të shënoj hartën e suksesit dhe efikasitetit të realizimit të programeve në shërbim më të mirë ndaj qytetarëve”, ka shtuar Haziri.
Ndërsa, drejtori i Administratës së Përgjithshme, Nazim Gagica, tha se pas këtij dhe projekteve të tjera, Komuna e Gjilanit prin me inovacion, shërbime më të mira dhe kreativitet në nivel vendi.
“Ne sot po e realizojmë edhe këtë projekt të fundit, me të cilin po i përmbushim të gjitha kriteret për të krijuar një administratë moderne, krahas shumë projekteve tjera që janë realizuara në Gjilan, duke filluar prej aplikimeve online, “Telework”, “One Stop Shop” dhe regjistrit online të procedurave administrative. Sot po i fusim në përdorim këtë “E-Kiosk”, të cilat do të jenë 24 orë në dispozicion të qytetarëve, duke rritur cilësinë e shërbimeve për dokumentet e gjendjes civile. Gjilani prin me inovacion dhe kreativitet në nivel vendi”, u shpreh Gagica.
Menjëherë pas kryetarit Haziri, certifikatën e lindjes në këtë “E-kiosk” e mori edhe qytetari Riad Asllani, i cili tha se iu dashtën rreth 30 sekonda për këtë shërbim dhe ky është një lehtësim i madh për të.
Dy E-Kiosqet tjera janë vendosur në lagjen “Arbëria” dhe “Dardania”, ndërsa do të futen në funksion gjatë javës së ardhshme.
Duhet theksuar se këto “E-Kiosqe” garantojnë siguri të lartë të të dhënave personale./rajonipress/