Lutfi Haziri: LDK-ja mbetet shpresa e Kosovës, 7 qershori ditë vendimtare për rikthimin e madh
Gjilan – Në prag të zgjedhjeve të 7 qershorit, kandidati për deputet dhe kryetari i Degës së LDK-së në Gjilan, Lutfi Haziri, ka përcjellë mesazhin e tij përmbyllës për qytetarët, duke e cilësuar Lidhjen Demokratike të Kosovës si forcën politike që vazhdon të përfaqësojë shpresën, besimin dhe vizionin për të ardhmen e vendit.
Pas një fushate të zhvilluar në të gjithë Anamoravën dhe në shumë pjesë të Kosovës, Haziri ka theksuar se LDK-ja mbetet alternativa më serioze për tejkalimin e sfidave politike, ekonomike dhe institucionale me të cilat po përballet vendi.
“LDK mbetet partia e vetme që është shpresë për Republikën tonë. Bashkohuni me ne më 7 qershor. Ju mund ta bëni rikthimin e madh të LDK-së”, ka deklaruar Haziri, duke ftuar qytetarët të mbështesin projektin politik të kësaj partie.
Ai ka vlerësuar angazhimin e mijëra aktivistëve, mbështetësve dhe qytetarëve që gjatë gjithë fushatës kanë qenë pjesë e tubimeve, takimeve dhe aktiviteteve zgjedhore, duke dëshmuar, sipas tij, se fryma rugoviane vazhdon të mbetet e gjallë dhe e fuqishme në çdo cep të Kosovës.
Sipas Hazirit, zgjedhjet e 7 qershorit përfaqësojnë një mundësi të rëndësishme për një kapitull të ri politik, të bazuar në zhvillim, stabilitet institucional, partneritet me aleatët ndërkombëtarë dhe përfaqësim të denjë të interesave të qytetarëve.
Duke e përmbyllur fushatën me moton tradicionale të partisë, ai ritheksoi se “LDK mbetet besë e shpresë për Gjilanin, Anamoravën dhe mbarë Kosovën”, duke shprehur bindjen se mbështetja qytetare do të reflektohet edhe në kutitë e votimit.
Mesazhi i Hazirit vjen si thirrje për mobilizim dhe pjesëmarrje në procesin zgjedhor, në një moment që ai e konsideron vendimtar për drejtimin e ardhshëm politik të Kosovës./rajonipress/


