Fundamenti

Lutfi Haziri: 37 vjet besnikëri ndaj Rugovizmit dhe LDK-së, thirrje për rikthimin e madh të Kosovës

/ 4 minuta lexim
FIDANISHTJA

Gjilan – Kandidati për deputet dhe kryetari i Degës së LDK-së në Gjilan, Lutfi Haziri, ka përcjellë një mesazh emocional dhe mobilizues në prag të zgjedhjeve, duke rikujtuar rrugëtimin e tij 37-vjeçar në Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe përkushtimin e pandërprerë ndaj filozofisë politike të Presidentit historik, Ibrahim Rugova.

Haziri ka theksuar se për gati katër dekada ka mbetur i palëkundur në besimin e tij ndaj Rugovizmit, duke e konsideruar LDK-në si shtëpinë e tij politike dhe institucionin ku janë formësuar vlerat e tij njerëzore e kombëtare.

“Për gati katër dekada, kurrë s’jam ndal, kurrë s’jam nda dhe kurrë s’jam largu nga besimi në Rugovizëm. Në procese të ndryshme, shumë autoritete kanë shku, shumë autoritete janë nda, shumë autoritete na ka marrë Zoti, shumë prej tyre sot na mungojnë. Por, unë gjithmonë kam qenë këtu, sepse kjo është shtëpia ime. Ata kanë qenë mësuesit e mi, këshilltarët e mi, miqtë e mi dhe ata do të mbetem gjithmonë Rugovistë në këtë parti”, ka deklaruar Haziri.

Ai ka nënvizuar se gjatë gjithë veprimtarisë së tij politike i ka dhënë dashuri, energji dhe përkushtim LDK-së, duke e cilësuar atë si partinë që i dha Republikës së Kosovës formë, besim dhe shpresë në periudhat më të rëndësishme të historisë së saj.

Në mesazhin e tij, Haziri ka shprehur shqetësimin për gjendjen aktuale politike dhe ekonomike në vend, duke vlerësuar se Kosova ka ngecur në vitet e fundit dhe se qytetarët meritojnë një qeverisje që sjell zhvillim, stabilitet dhe bashkëpunim me aleatët ndërkombëtarë.

“Sot, më shumë se kurrë, kemi nevojë për mbështetjen tuaj masive për zhvillimin e Kosovës, e cila në vitet e fundit ka ngecur shumë. E kërkojmë mbështetjen tuaj për ta larguar këtë depresion të thellë politik e ekonomik që po mbretëron në Kosovë tash e gjashtë vite dhe për ta larguar këtë mentalitet politik përçarës e këtë degradim”, ka theksuar ai.

Fundamenti

Duke rikujtuar orientimin tradicional euroatlantik të LDK-së, Haziri ka kërkuar mbështetje për rikthimin e vëmendjes dhe partneritetit të fuqishëm me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimin Evropian dhe qendrat kryesore vendimmarrëse ndërkombëtare.

“Na duhet mbështetja juaj për rikthimin e vëmendjes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Brukselit e qendrave më të mëdha botërore, sepse, siç ka thënë Presidenti Rugova, ‘Shtëpia nuk mbahet pa miq’”, është shprehur Haziri.

Ai ka theksuar se LDK-ja vazhdon të mbetet një alternativë që garon me program, vizion dhe kulturë demokratike, duke refuzuar gjuhën e përçarjes dhe konfliktit politik.

“Ne nuk garojmë asnjëherë me ‘garën e pështymes’, por me programin më të mirë për ta ndryshuar gjendjen në Kosovë dhe për ne rivalët politikë nuk janë konsideruar kurrë armiq”, ka deklaruar ai.

Në fund, Lutfi Haziri ka falënderuar qytetarët për mbështetjen e vazhdueshme ndër vite dhe ka bërë thirrje që më 7 qershor të votohet me besim dhe përkushtim për LDK-në dhe kandidatët e saj.

“Ju lus që nesër, më 7 qershor, të dilni e votoni me dashni për LDK-në dhe për mua me numrin 5. Ju falënderoj nga zemra për mbështetjen e përhershme. LDK ka qenë dhe ka me mbetë gjithmonë shtëpi e të gjithëve. Mbi çdo individ”, ka përfunduar Haziri, duke riafirmuar moton e fushatës: “LDK 113 – Besë e shpresë për Kosovën.”/rajonipress/