Lutës i del problem me kompaninë “SAS”, flitet për shkelje ligjore nga ana e Hazirit

Gjilan – Lutfi Haziri i ka dërguar një njoftim për ndërprerje të kontratës kompanisë së sigurimeve “SAS” nga Gjilani. Ky “njoftim” i Lutës e ka trazuar kompaninë që ka rreth 60 punëtorë që janë kujdesur për sigurimin fizik të objekteve komunale. Arbnor Zylfiu përfaqësues i “SAS” tha për rajonipress se ata kanë kontratë tre vjeçare dhe skadon deri më 1 mars 2015. Luta këtë ndërprerje e ka bërë për bindje e motive politike dhe hakmarrje thotë Arbnori.
Lutfi Haziri do ta ketë shumë problem të ndërhyjë në kontratën e kompanisë “SAS” e cila përkujdeset për sigurimin fizik të objekteve komunale dhe shkollore. Megjithatë Haziri i ka hy kësaj pune duke u dërguar një njoftim zyrtar kompanisë “SAS” për ndërprerje të kontratës, raporton rajonipress.
Sipas njoftimit të Lutfi Hazirit që mbanë datën 3 qershor 2014, ndërprerja e kontratës është bazuar në raportin final të Komisionit rregullativ të prokurimit publik i cili ka përshkruar në hollësi të gjeturat në dokumentacionin e tenderit.”Raporti ka përshkruar shkeljet ligjore duke u bazuar në nenet përkatëse dhe lidhur me obligimet që rrjedhin nga kjo kontratë sa u përket të drejtave të punëtorëve, kemi një numër të ankesave të punëtorëve të deponuara në zyrën e kryetarit të komunës” thuhet në njoftimin e Hazirit.
Por përfaqësuesit e kompanisë “SAS”, Arbnor Zylfiu dhe Skender Bllaca janë të irituar me njoftimin e Hazirit i cili sipas tyre s`ka asnjë bazë ligjore dhe kryekëput është njoftim politik. “Luta nuk ka të drejtë të përzihet në kontratat ligjore. Ky veprim i kryetarit Haziri është politik dhe hakmarrës sepse ne ende s`kemi vendim zyrtar për ndërprerje të kontratës, por kemi vetëm një njoftim formal” sqaron Zylfiu.
Zylfiu thotë se kompania “SAS” asnjëherë nuk ka pasur vërejtje dhe të gjitha referencat i ka pozitive.”I kemi 60 punëtor që janë kujdesur për mirëmbajtjen fizike të objekteve komunale dhe të shkollave dhe asnjë ankesë nuk e kemi pasur gjatë punës sonë profesionale. Kontrata është ligjore dhe ajo skadon në mars të vitit 2015 dhe ka një vlerë prej 625 mijë euro” saktëson Zylfiu.
Zylfiu tha se në asnjë mënyrë nuk do ta pranojnë “njoftimin” e Hazirit sepse të gjitha të drejtat ligjore janë në anën tonë.”Ky njoftim ka ardh drejtpërdrejtë nga Lutfi Haziri i cili realisht po zhytet në telashe ligjore dhe po bëhet shkelës i ligjit” tha Zylfiu.
Kompania “SA” sipas Zylfiut të gjitha raportet e monitorimit i ka në superlativ dhe asnjë arsye nuk e ka pasur Lutfi Haziri që të merret me ne dhe të bëjë presion e të ftojë kompani që janë të afërta me klanin e tij.”Ne do të ankohemi në të gjitha zyrat ligjore dhe në Gjykatë sepse kemi të bëjmë me një ndërhyrje flagrante të kryetarit të komunës në një kontratë ligjore” tha Zylfiu.
Zyfiu ndryshe tha se i kanë të gjitha referencat pozitive nga të gjitha drejtorit komunale me të cilat kanë pasur bashkëpunim të mirë./rajonipress/