Luta optimist se në vitin 2016 do të ketë investime serioze në qytet e fshatra

Gjilan – Kreu i Gjilanit Lutfi Haziri në një takim me gazetarët ka folur për agjendën e aktiviteteve për vitin 2016, investimeve të shumta që pritet të bëhen në qytet e fshatra duke filluar nga trajtimi i ujërave të zeza, ujërave atmosferik, ndërtimi i rrugëve Gjilan – Ferizaj, Gjilan – Prishtinë e Gjilan – Bujanoc. Haziri ndërkaq për hetimet që po zhvillon Prokuroria ndaj disa zyrtarëve komunal tha se ato po bëhen për projektet e qeverisjes së kaluar.
Kreu i Gjilanit Lutfi Haziri në një konferencë për media ka folur për shumë zhvillime brenda komunës dhe për synimet e tij për vitin 2016 me theks të veçantë investimet në infrastrukturë, bujqësi, investimet në brezin kufitar e në veçanti zhvillimi ekonomik i Gjilanit që do të vije nga mbjellja e duhanit që Gjilani ka një traditë të gjatë.
Haziri gjithashtu tha se këtë vit pritet të ndërtohen edhe 7 shtëpi për familjet skamnore derisa tha se do të vazhdohet të mbështeten banuesit social.
Duke folur për kalendarin e muajve vijues Haziri tha se muaji mars do të jetë muaj i bujkut sepse subvencionimi do të vazhdojë edhe më tutje duke e përkrahur bujqësinë dhe të gjithë ata që duan ta punojnë tokën. “Do të rritet lista e subvencioneve kurse do të mundohemi ta kultivojmë bimën e duhanit”.
Për muajin prill Haziri tha se do të ketë aktivitete që ndërlidhen me ambientin. Mbi të gjitha Haziri tha se rëndësi e veçantë do t`i kushtohet investimeve publike. “Viti 2016 do të jetë vit i implementimeve të kanalizimeve dhe tretmanit të ujërave atmosferik. Rehabilitimi i infrastrukturës edhe për fshatrat e Gjilanit do të jetë prioritet”.
Për Hazirin prioritet vazhdon të mbetet edhe ndërtimi i rrugës Gjilan – Ferizaj, Gjilan – Prishtinë dhe Gjilan – Bujanovc. “Por edhe rrugët e brendshme në qytet do të rregullohen sepse Gjilani ka një infrastrukturë rrugore të vjetërsuar. Edhe rruga Malishevë – Uglar – Pograxhë si dhe fshatrat kufitare Kokaj e Inatovc do të jenë me prioritet”.
Haziri tha se është i kënaqur që ka arritur të përfundojë pothuajse borxhet e trashëguara. “Për ne kanë qenë një ngarkesë e madhe sepse ishin borxhe nga qeverisja e kaluar”.
Haziri e ka përmendur edhe trasen e rrugës Gjilan – Prishtinë që llogaritet si korridor më i rëndësishëm kombëtar për Anamoravën.
Ndërkaq i pyetur nga rajonipress rreth hetimeve që po zhvillon prokuroria ndaj disa zyrtarëve komunal Haziri tha se për dy vite se kemi pasur asnjë skandal. “Këta zyrtarë po hetohen për projektet e qeverisjes së kaluar” tha Haziri derisa tha se ai dhe ekipa e tij vazhdimisht kanë punuar për interes të qytetarit të Gjilanit.
Ndërsa akuzave të PDK-së për t`i ndërtuar një aeroport në Llovcë , Luta i quajti si joserioze. “Ato më shumë janë deklarata individuale e jo të PDK. PDK tash me Zenun Pajazitin e ka adresën dhe unë nuk merrem me ndonjë individ që ka dëshirë të bëhet person publik me deklarata të tilla” tha Haziri./rajonipress/