Luta: Do ta depolitizoj arsimin në Gjilan
Gjilan – Në praninë e qindra punëtorëve të arsimit, kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka shpalosur programin e kësaj partie për arsimin në katër vitet e ardhshme të qeverisjes së tij.
Kryetari i Komisionit për Arsim, Nazmi Musa, ka thënë se LDK ka programin më të mirë për të avancuar këtë sektor, duke thënë se garancë për zbatimin e tij është njeriu që do ta ndryshojë Gjilanin, Lutfi Haziri.
Ndërsa, kandidati i LDK-së , Lutfi Haziri, deklaroi se arsimi do të jetë prioritet i LDK-së, duke e ndarë buxhetin e mjaftueshëm për këtë sektor të rëndësishëm në shoqëri.
“Ne si LDK kemi punuar shumë për avancimin e arsimit në të gjitha nivelet. Ne e kemi vendosur prioritet numër një arsimin dhe shëndetësinë. Fëmijët tanë duhet të edukohen mirë dhe t’ju garantohet karrigia, banka, objekti, oborri pa u komercializu, shkolla me nxemje, transport të sigurt etj. Ne kemi vendosur politikë organizative, zgjedhje të drejtorëve që garantojnë arsim cilësor, kompensim të udhëtimit të arsimtarëve etj”, tha Haziri.
Ai tha se depolitizimi i shkollave në Gjilan është shumë i theksuar, por me marrjen e detyrës së kryetarit, kjo do të stopohet. Ai tha se gjithë ata mësimdhënës që janë me kualifikim “shkollë e lartë”, do t’ju mundësojmë kualifikimin e mëtejshëm.
Kreu i LDK-së në Gjilan ka premtuar ndërtim të shkollave, sallave, ndarje të bursave për studentë, si dhe do t’ju mundësohet shkollim për nxënësit me nevoja të veçanta. Ai përmendi kontributin e mësimdhënësve gjatë viteve 90’ta, duke vlerësuar se ajo ka qenë lufta e parë e fituar në Kosovë.
“Ju arsimtarë, profesorë, veteranë të arsimit, iu them se arsimi ka qenë lufta e parë e fituar në Kosovë në vitet 90’ta. Keni qenë shembull i organizimit të mirë, i solidaritetit, i punës pa pagesë, dhe e keni duruar dhunën sistematike. Të gjithë ata mësimdhënës që nuk janë në mesin tonë, i kujtojmë me krenari sepse kanë bërë shumë për Kosovën”, është shprehur kryetari Haziri.
“E sotshmja në arsim fatkeqësisht është e pashpresë. Ne i kemi hulumtuar problemet, nevojat dhe gabimet, dhe mund të them se nuk është menaxhuar programi arsimorë si duhet. Arsimi është i politizuar, ka emërime me sms, shkarkime me sms, shkarkohet arsimtari 1 vit para pensionit e shumë probleme të tjera. 24 mijë euro i kanë kushtuar darkat që kryeministri ka shtruar për arsimtarët. Nuk i ka paguar qeveria, por janë para të drejtorisë së arsimit, para të sofrave tona. Do ta depolitizojmë arsimin dhe do ta bëjmë këtë sektor të suksesshëm”, tha Haziri.
Në mandatin e tij, kreu i LDK-së në Gjilan tha se Universitetin e Gjilanit do ta zhvendosë te kazerma e ushtrisë, duke e konsideruar si vendin më ideal për këtë institucion të dijes.
“Menaxhimi i keq financiar e ka penguar zhvillimin e arsimit. Ne mendojmë që Universiteti duhet të bartet në kazermë dhe të bëhet qendër universitare, për të pasur një ambient të mrekullueshëm të punës. Dhe në këtë mënyrë lirohen hapësirat për shkollat e mesme dhe kjo e stabilizon arsimin. Do ta rregullojmë njëherë e përgjithmonë arsimin në Gjilan”, shtoi i pari i Gjilanit pas 3 nëntorit.
Debati i sontëm u begatua edhe më shumë nga pjesëmarrja, pyetjet dhe sugjerimet e mësimdhënësve ndaj kryetarit Haziri thuhet në njoftimin e degës së LDK-së në Gjilan./rajonipress/