Fundamenti

Lustracioni mund ta dridhë drejtësinë

/ 8 minuta lexim
Eco Higjiena

Analistët dhe njohësit e fushës së drejtësisë kanë vlerësuar se pa miratimin e ligjit të lustracionit, i cili do të verifikonte të kaluarën e secilit pjesëtar të drejtësisë, nuk ka gjasa që Kosova të çlirohet nga e keqja që e ka kapluar përmes njerëzve të kalbur në sistemin e dështuar të drejtësisë.

PUSHTETI PO E PENGON LIGJIN QË DO T’I PASTRONTE GJYKATAT E PROKURORINË

Ish-shërbëtorët e Serbisë, faktorë vendimmarrës sot

Analistët dhe njohësit e fushës së drejtësisë kanë vlerësuar se pa miratimin e ligjit të lustracionit, i cili do të verifikonte të kaluarën e secilit pjesëtar të drejtësisë, nuk ka gjasa që Kosova të çlirohet nga e keqja që e ka kapluar përmes njerëzve të kalbur në sistemin e dështuar të drejtësisë.

Ndaj, ata kanë shtruar edhe çështjen se a po i trembet drejtësia ligjit të lustracionit, i cili do ta pastronte sistemin e drejtesise, dhe jo vetëm, ku plot ish-shërbëtorë e ishbashkëpunëtorë të Serbisë edhe më tutje janë pjesë e majave të sistemit, madje edhe në pozita shumë të larta e kyçe në drejtësi, siç është pozita e Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale nga Reshat Millaku, sikur edhe të Kryetarit të gjykates Supreme të Kosovës nga Enver Peci. Për atë se deri kur do të udhëheqin me pozita të larta edhe në Republikën e Kosovës ish- njerëzit e sistemit komunist e të degraduar të Serbisë kriminale ndaj shqiptarëve të Kosovës, flet shkrimi në vijim. Profesori universitar Muhamet Kelmendi, në një prononcim për gazetën “Kosova Sot”, ka thënë se këta njerëz të ish- sistemit kanë qenë dhe janë shërbyesit më të mirë të grupeve informale, që pikësynim e kanë korrupsionin dhe krimin, deri edhe dëmtimin e shtetit, sikundër bënë marrëveshjet me shtetin serb, me kriminelët e rojave të urës, që sot e kanë ndarë e copëtuar tërësisht Kosovën. “Kjo gjendje do të vazhdojë kështu tërë kohën sa nuk nxirren ligje në fushën politike, duke i ndaluar të dyshimtët që të merren me politikë dhe ligji mbi lustracionin që do të kapte të tërët që e kanë të kaluarën e tillë. Pra, pa zbardhjen e këtyre rasteve, kurrë shoqëria nuk do të shërohet, e kjo do të zgjatë”, u shpreh Profesori universitar Muhamet Kelmendi.

E keqja e ka kapur sistemin

Analisti Faton Mehmeti thotë se sistemi i drejtësisë në Kosovë është produkt i komunizmit, duke qenë ende njerëz të komunizmit aty, dhe ky sistem, sipas tij, ka degraduar aq shumë sa s’ka më asnjë relevancë për drejtësinë e vërtetë. Ai shton se Kosova ende vuan pasojat e komunizmit, ajo po rrënohet brenda saj, dhe një shtet pa drejtësi është i dështuar, ku e tillë është Kosova, e cila po degradon çdo ditë e më shumë. “Pra, pa miratimin e ligjit të lustracionit, i cili do të verifikonte të kaluarën e secilit pjesëtar të drejtësisë, nuk ka gjasa që Kosova të çlirohet nga e keqja që e ka kapluar përmes njerëzve të kalbur në sistemin e dështuar të drejtësisë”, u shpreh ai. “Prokurorët e sotëm janë produkt të komunizmit, disa kanë futur aty edhe familjarë të tyre, duke ndërtuar një lloj perandorie dhe e cila kontrollohet nga pak njerëz, të lidhur me pushtetin e kriminalizuar. Prandaj, Kosova duhet të insistojë që të miratohet ky ligj, si e vetmja shpresë se në këtë vend njëherë e përgjithmonë do të vendoset drejtësia e munguar”, theksoi për gazetën “Kosova Sot” analisti Faton Mehmeti.

Uji Dea

Pengesa e garniturës politike

Analisti Naim Kelmendi ka thënë se për ligjin e lustracionit është folur sa herë se është i dobishëm që të bëhet dhe kjo pikësëpari për vetë proceset demokratike të vendit. ” Por, mbase me këtë klasë politike vështirë të bëhet ligji në fjalë aq me rëndësi dhe jetik për proceset e mëtutjeshme të zhvillimit të demokracisë, ngase brenda vetë partive parlamentare, pozitë e opozitë, ka njerëz, pra figura me të kaluar të dyshimtë, e që ky ligj do t’i atakonte në rend të parë vetë ata, kështu që do të zbardhnin emrat e tyre, dhe që në të vërtetë ata mbas këtij ligji s’do të mund të mbanin pozitat që sot i mbajnë qoftë në legjislativ apo në ekzekutiv”, u shpreh ai. “Prandaj, edhe për sa kohë kjo klasë politike të jetë në pushtet nuk do të bëhet ky ligj, por që është i domosdoshëm dhe duhet të bëhet s’ka fije dilemë, pasi, veç tjerash, është më se e dobishme për vetë politikën që të dihet e kaluara e këtyre figurave që sot mbajnë pozitat e larta shtetërore dhe sidomos e atyre që supozohet se kanë edhe të kaluar të dyshimtë e që de fakto nuk do të duhej të gjendeshin në ato pozita ku janë”, potencoi për gazetën, “Kosova Sot”analisti Naim Kelmendi.

Një shtet gjysmëmafioz

Analisti Naim Miftari ka nënvizuar se drejtësia që nga fillimi i pasluftës ka qenë në duart e ish- komunistëve që për përfitime personale brenda natës u bënë demokratë të devotshëm. Sipas tij, normal se këta njerëz, ish- punëtorë të sistemit komunist, kanë qenë edhe bashkëpunëtorë të shërbimit serb të UDB-së, pasi ka qenë e pamundur të mos kenë bashkëpunim me atë shërbim famëkeq, si në drejtësi po ashtu në polici, derisa, siç tha, në AKI etj., është e pamundur që të kesh karrierë në këto institucione vendore, nëse nuk ke lidhje personale, por edhe familjare me UDB-në dhe sistemin komunist, ose së pakut ta kesh ndonjë serb kumbarë ose “pobratim” të dikurshëm. “Dhe, është normal se këta ish- komunistë apo ish- sigurimca sot i janë luajal nëntokës dhe shërbimeve të tjera sekrete pa marrë parasysh se kush janë ato shërbime. Prandaj, edhe sistemi i drejtësisë ka qenë dhe është sistemi më i korruptuar në Kosovë, por besoj edhe në tërë Evropën, e njëjta vlen edhe shkatërrimi i arsimit, pra dy binarët jetikë të një shteti funksional janë të dështuar, prandaj edhe si shtet sot nuk jemi shtet ligjor, por jemi shtet gjysmë- mafioz. Jozef Stalini përdorte termin se nëse do ta asimilosh një popull mos i jep drejtësi, shkollim dhe mirëqenie shëndetësore”, spikati për gazetën “Kosova Sot” analisti Naim Miftari.

Nxirja e imazhit nga bandat

Analisti Reshat Badallaj ka ripërsëritur se sistemi gjyqësor në Kosovë është sistem i kalbur për të cilin, siç tha, na kanë qitur hije të zezë në botën e qytetëruar, derisa, sipas tij, fajin për këtë sistem e kanë banditët e majave të shtetit dhe banditët e kryebanditët e bandave politike që qëllimisht janë të kapur në vallen e krimit dhe të tradhtisë, prandaj këta të shitur të Serbisë gjakatare drejtojnë sistemin gjyqësor në Kosovë. ” Tani për tani kjo bandë e ish- sistemit të Serbosllavisë qëllimisht bëjnë barrikadë dhe paraqesin pengesë që të mos futet ligji i lustracionit, sepse të gjithë këta do t’i pastronte, njëkohësisht do të pastrohet edhe Kosova në përgjithësi, dhe ku do të funksiononte ligji do të respektohet Kushtetuta e vendit dhe shumë e shumë gjëra të tjera. Por, pengesa më e madhe se njëherë duhet pastruar bandat politike, banditët dhe kryebanditët dhe njëkohësisht banditët shkuar banditëve, që nga majat e shtetit”, potencoi ai. “Pra, ky zinxhir komandues anti- shtetëror e ka në dorë vendin që po e çon në fukarallëk, e këta banditë pasurohen brenda natës. Merreni me mend se në majat e sistemit gjyqësor janë ulur dhe drejtojnë ligjin ish- bashkëpunëtorët e Serbisë, si janë Reshat Millaku dhe Enver Peci, që i kanë shërbyer devotshëm fashizmit serbian, andaj këta sa më parë duhet të largohen nga sistemi gjyqësor”, deklaroi për gazetën “Kosova Sot” analisti Reshat Badallaj.

(Kosova Sot)