RCCOLA

Lunacek: Vezët të mos jenë pjesë e debatit

/ 3 minuta lexim
KKVITI

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Ulrike Lunacek, u ka bërë thirrje përfaqësuesve opozitarë në Kosovë që vezët të mos i përdorin si mjete për shfaqjen e pakënaqësive në Kuvend, por legjislativi të përdoret për debat konstruktiv me qëllim të çuarjes përpara të proceseve.

Lunacek gjatë një konference, të mbajtur të premten në Prishtinë, ka bërë me dije se së bashku me përfaqësuesit e tjerë të Parlamentit Evropian, gjatë të enjtes në mbrëmje dhe paraditen e së hënës, i ka takuar përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës, por edhe përfaqësuesit opozitarë të cilëve ka thënë se në mënyrë miqësore ua ka bërë me dije këtë.

Lunacek gjatë të premtes e ka takuar presidenten e vendit, Atifete Jahjaga, dhe kryeparlamentarin, Kadri Veseli, ndërsa pak para largimit nga Kosova në konferencë ka bërë me dije se Kosova i ka të papërmbushura edhe tetë kushte në mënyrë që edhe për qytetarët e Kosovës të bëhet liberalizimi i vizave.

“Prej 95 kushteve, vetëm 8 nuk janë përmbushur. Njëra ndër to është luftimi i korrupsionit nga gjykatat, krimi i organizuar dhe numri i madh i emigrantëve nga Kosova”, ka thënë Lunacek.

Ajo ka përmendur krizën me refugjatë me të cilën po përballet Evropa dhe mosgatishmërinë e disa shteteve për të pranuar refugjatë. Por edhe ato shtete që po pranojnë azilkërkues, sipas Lunacek-ut, do të pranojnë azilkërkues vetëm nga vendet e luftës, por jo edhe nga një vend siç është Kosova.

RCCOLA

Qytetarët e Kosovës edhe atëherë kur do të mundë të lëvizin, sipas saj, nuk do të mundë të punojnë në shtetet e BE-së.

Ndonëse nuk ka dhënë datë, Lunacek ka shfaqur shpresën që liberalizimi do të bëhet brenda vitit të ardhshëm. Edhe pse nuk ka preferuar të flasë për afate, ajo ka thënë që liberalizimi për viza për qytetarët e Kosovës duhet të bëhet e sidomos nëse bëhet liberalizimi i vizave për Ukrainën e Gjeorgjinë, vende të cilat kanë shumë më shumë banorë sesa Kosova.

Se Kosova duhet të bëjë më shumë në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, Lunacek e ka thënë edhe gjatë takimeve me përfaqësuesit e institucioneve me të cilët ka biseduar edhe në lidhje me marrëveshjet e arritura së fundi në Bruksel në mes palës kosovare dhe asaj serbe.

Lunacek ka thënë se Kosova përfundimisht do të ketë kodin e saj telefonik dhe do të ketë një Asociacion të komunave Serbe, i cili, sipas saj, nuk do të ketë fuqi ekzekutive ndonëse mund të interpretohet si i tillë.

“Qytetarët e Kosovës duhet t’i bindin serbët se Kosova është vend i tyre. Edhe serbët që janë pjesë e institucioneve të Kosovës duhet t’i bindin serbët lokalë se ky është vendi i tyre. Shpresojmë se do të ketë progres në të ardhmen”, ka thënë raportuesja për Kosovën në PE./zeri/