Lunaçek: Shkopi dhe karota treguan sukses

“Caktimi i datës 21 janar 2014 për fillimin e negociatave për anëtarësimin e Serbisë në BE është një vendim i drejtë”. Kështu ka deklaruar eurodeputetja austriake Ulrike Lunaçek. “Strategjia e shkopit dhe karotës që ka përdorur Catherine Ashton ka sjellë përparime të konsiderueshme këtë vit në dialogu e Serbisë me Kosovën”, ka vlerësuar ajo për publiku.net. “Pas shpërblimit të Prishtinës me bisedimet për MSA-në, kjo karotë për Serbinë vjen në kohën e duhur dhe kjo është e merituar” ka thënë ajo.
“Marrëveshja midis Beogradit dhe Prishtinës në prill të këtij viti ka qenë një moment vendimtar për procesin e integrimit në Ballkanit perëndimor dhe mbajtja e zgjedhjeve komunale në veri të Kosovës ka kaluar testin e stabilitetit politik”. Mosnjohja e këtij hapi do të ishte përdorur nga forcat anti-evropiane në Serbi, tha raportuesja e BE-së për Kosovën dhe kryetare e fraksionit të të gjelbërve në Parlamentin Evropian derisa ka komentuar zhvillimet e djeshme në Bruksel.
“Dhënia e datës për fillimin e shpejtë të negociatave të Serbisë me BE-në, është mirënjohje jo vetëm për atë që është arritur, por është edhe një detyrim për të vazhduar normalizimin e marrëdhënieve konstruktive fqinjësore me Kosovën. Kjo e obligon Serbinë gjithashtu për të vazhduar dialogun vitin tjetër me të njëjtin elan si dhe të zbatojë plotësisht të gjitha obligimet që dalin nga marrëveshja e arritur. Parlamenti Evropian do të vëzhgojë me vëmendje të koncentruar zbatimin e obligimeve që Serbia ka marrë me marrëveshjen e 19 prillit ashtu siç do të vëzhgojë me vëmendje edhe procesin e negociatave për anëtarësim, thuhet në një deklaratë të zonjës Lunaçek për publiku.net