UBT

Lunacek: Gazi po e vështirëson dialogun, por as Qeveria nuk është e interesuar për zgjidhje

/ 4 minuta lexim
Uji Dea

Ulrike Lunacek, Nënkryetarja e Parlamentit Europian, e cila është dhe Raportuese për Kosovën, në një intervistë për Gazetën Express ka thënë se veprimet e dhunshme të opozitës e vështirësojnë dialogun politik ndërmjet Qeverisë dhe partive opozitare. Lunacek, në përgjigjet nëpërmjet e-mail, ka folur edhe rreth mundësisë që ajo të përfshihet në ndërmjetësimin për gjetjen e një zgjidhjeje.

Ajo, megjithatë, konsideron se zgjidhja mund të gjendet pa ndërhyrje nga jashtë. Sido që të jetë, bazuar në situatën aktuale, Lunacek ka thënë se përveç opozitës që po shkakton telashe as, Qeveria nuk është e interesuar shumë për të shtensionuar situatën

Express: Ju jeni Nënkryetare e Parlamentit Europian dhe Raportuese për Kosovën. Po ashtu jeni edhe vizitore e shpeshtë këtu. A keni menduar ndonjëherë që të përfshiheni direkt për të ndërmjetësuar në dialogun ndërmjet Qeverisë dhe opozitës?

Lunacek: Gjatë vizitave në Kosovë unë kam qenë e përfshirë aktivisht për t’i bindur palët për një dialog kuptimplotë brenda Kuvendit. Unë ende mendoj se kjo do të jetë e mundur pa ndonjë ndërmjetësim nga jashtë.

Express: Keni thënë që arrestimi i deputetit Albin Kurti dhe aktivistëve tjerë ka qenë i parakohshëm sepse i pengon përpjekjet për dialog politik për tejkalimin e krizës. A mendoni se është i mundur dialogu edhe pse në secilën seancë parlamentare hedh gaz lotsjellës.

Lunacek: Natyrisht, opsioni i dialogut është gjithmonë aty, thjesht duhet që të ketë vullnet politik dhe vendim për të bërë diçka të tillë. Sido që të jetë, bëhet pak më e vështirë përderisa vazhdojnë aktet e dhunës nga opozita, dhe përderisa nuk duket që ka vullnet të vërtetë nga shumica për të ulur tensionet në vend të eskalimit të mëtejmë të atmosferës tashmë të tensionuar.

Mobi Casa

I kam kërkuar opozitës që t’i ndalë aktet e dhunës në Kuvend sepse kjo – përfshirë edhe imazhet negative që kjo prodhon në televizione në gjithë Bashkimin Europian – e bën shumë të vështirë për miqtë dhe përkrahësit e Republikës së Kosovës që të vazhdojnë përpjekjet për t’i bindur ata që nuk janë aq shumë në favor të integrimeve të Kosovës, përfshirë edhe liberalizimin e vizave.

Unë e kam përsëritur thirrjen për dialog si një mjet për t’i zgjidhur mospajtimet politike dhe i inkurajoj të gjitha palët që ti shfrytëzojnë mundësitë e ndryshme për dialog përfshirë edhe propozimin e bërë nga deputetet Osmani/Deda. Mendoj se ky është një propozim i vlefshëm dhe mundësitë që prezantohen aty nuk duhet të anashkalohen.

Tani të gjitha palët duhet të presin vendimin përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese në Janar dhe t’i kthehen punës në Parlament, siç është puna e buxhetit.
Si një mike e republikës së re bëj thirrje për kthim në një rrugë të padhunshme të negociimit, të bërjes politikë si dhe punës konstruktive opozitare bë vend të aktivizimit të dhunshëm që po e dëmton imazhin e Kosovës jashtë – dhe si rrjedhojë po e rrezikon procesin e liberalizimit të vizave.

Express: Cili është opinioni i juaj për gazin lotsjellës? A mendoni se kjo përbën një precedent që në të ardhmen edhe partitë tjera ta sfidojnë në këtë mënyrë pushtetin?

Lunacek: Jo, kjo sjellje e dhunshme e disa deputetëve të opozitës në Kuvend natyrisht që ka shkuar përtej limiteve të debatit parlamentar. Kjo nuk është adekuate dhe e pranueshme për të sfiduar pushtetin politik në një sistem demokratik.

Në vend të kësaj, unë do t’ia rikujtoja opozitës traditën e mirë të Kosovës të mosbindjes civile pa asnjë formë të dhunës. Progresi i Kosovës brenda vendit dhe drejt BE’së po dëmtohet nga protesta të dhunshme sikur ato në Ditën e Flamurit më 28 nëntor. Po ashtu më vjen keq që imazhi i Kosovës, që është përmirësuar gjatë viteve të fundit, përsëri po dëmtohet nga incidente të tilla.