Lunaçek e zhgënjyer me përbërjen e Qeverisë së re

/ 5 minuta lexim
Mobi Casa

Nënkryetarja e Parlamentit Evropian, Ulrike Lunaçek është shprehur e zhgënjyer me përbërjen e qeverisë së re, ku përfaqësimi i femrave është tejet i vogël. Në një konferencë për media të mbajtur në Prishtinë, Lunaçek tha se është zhgënjyese që nga 21 poste ministrore, vetëm dy u takojnë femrave.

“Ka shumë gjëra që duhet të kryhen nga parlamenti, nga Qeveria e re dhe me vjen mirë që më në fund është themeluar Qeveria e re. Megjithatë më duhet të shpreh dhe zhgënjimin tim me faktin që kjo Qeveri e re ashtu siç e pamë në Kuvend, para dy apo tri orëve, ka vetëm dy femra prej 21 posteve ministrore. Ky është një zhgënjim për gratë, dhe meshkujt e këtij vendi. Sepse ka pasur premtime më herët nga ish kryeministri Thaçi dhe tash nga kryeministri i ri Isa Mustafa, që të kujdesen që në Qeverinë e ardhshme të ketë më shumë gra në këto pozita. Sepse qeveritë gjithashtu përfaqësojnë qytetarët e vet dhe meshkujt dhe femrat, janë në raportin 50 me 50. Andaj mendoj se këtu nevojitet një përmirësim dhe konstatoj se kjo është një zhgënjim”, tha Lunaçek.

Lunaçek po ashtu theksoi se ka pasur një takim dhe me zëvendëskryeministrin e ri dhe ministrin ePunëve të Jashtme, Hashim Thaçi, por edhe me kryetarin ri të parlamentit Kadri Veselin, nga të cilët ka kërkuar që të ketë debate politike, të gjallërishme dhe dinamike në Kuvend. Ndërsa, theksoi se kryetari i ri i parlamentit ka konfirmuar se synimi i tij mbetet që të sigurojë debate dinamike dhe të respektojë çdo anëtarë të parlamentit. Derisa ka shprehur dhe mbështetjen e tij sa i përket themelimit të Gjykatës Speciale.

Lunaçek po ashtu pohoi se gjërat më të rëndësishme të cilat duhet të realizohen nga Qeveria e re, është agjenda reformuese. Ndërsa, tha se është e domosdoshme që të caktohen prioritete me buxhetin ekzistues dhe se prioriteti kryesor sipas saj, duhet të jetë investimi në të rinjtë, veçanërisht në ata që janë të papunësuar, që të ketë një perspektivë dhe të krijohen vende të punës të qëndrueshme. Ajo foli edhe për migrimin e qytetarëve kosovar, i cili po bëhet së fundi e i cili sipas saj, mund të ndikojë në procesin e liberalizmit të vizave. Andaj kërkoi nga Qeveria e re që ta kthej besimin e humbur tek qytetarët dhe të rinjtë kosovar.

UBT

“Ne kemi parë javët dhe muajt e kaluar që numër gjithnjë e më i madh i kosovarëve dhe atë jo vetëm rom dhe hashkalinjë por dhe shqiptarë që gjithnjë e më shumë po e braktisin vendin dhe po kërkojnë azil në shtete anëtare të BE-së. Ky është një sinjal shumë i fortë dhe për Qeverinë e re. Kjo duhet të jetë prioritet i parë që të rinjtë sërish të besojnë në të ardhmen e Republikës së Kosovës. E them këtë sepse është dhe një temë tjetër për të cilën e di që të gjithë iu jeni të interesuar, e ajo është liberalizimi i vizave….Sa më shumë azil kërkues që keni nga Kosova në shtete anëtare të BE-së, aq më i vështirë do të jetë procesi. Kjo është diçka që duhet ta shtjellojë Qeveria e re, e cila duhet të bëjë gjithçka, për të siguruar që njerëzit të besojnë që ka një të ardhme në Kosovë”, tha ajo.

Lunaçek po ashtu foli dhe për luftimin e korrupsionit për të cilin tha se nuk është bërë sa duhet në të kaluarën në këtë aspekt, duke kërkuar më shumë transaprencë sa i përket prokurimit publik. Ajo po ashtu ka folur dhe për pohimet rreth korrupsionit në EULEX, duke pohuar se gjithçka duhet të qartësohet dhe se nëse korrupsioni vërtetë ka ekzistuar në këtë mision, këta njerëz duhet të sillen para drejtësisë dhe të dënohen.

“Nuk kemi parë përparim të mjaftueshëm në këtë aspekt në të kaluarën. Korrupsioni nuk është problem vetëm i Kosovës, sepse ky është dhe problem në vende tjera dhe në vendin tim. Nuk është diçka për të cilën fajësohet vetëm Kosova. Por Kosova duhet të përmirësohet në këtë nivel dhe kjo nënkupton, më shumë transparencë në prokurimin publik… Ka korrupsion dhe në vendet tjera e nganjëherë dhe të vendet e BE-së. Ne jemi tronditur kur kemi dëgjuar për pohimet e korrupsionit brenda EULEX-it. Unë isha e para që i kam shkruar letër përfaqësuesit të lartë të BE-së, duke i kërkuar atij ta kryej një hetim të jashtëm. Dhe tash kemi një hetim të jashtëm dhe presim të gjeturat. Pohimet për korrupsion janë diçka që duhet të qartësohen dhe se aty nuk ka rrugëdalje tjetër. Nëse korrupsioni ekziston apo ka ekzistuar, këta njerëz duhet të sillen para drejtësisë dhe duhet të dënohen. Kjo është diçka që prek mu në thelb të vlerave të BE-së”, tha Lunaçek.

Ndryshe, Lunaçek e quajti lajm të mrekullueshëm dhe pranimin e Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK) në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar, duke shpresuar se Kosova do të ketë rezultate të mira në të ardhmen./zeri/