UBT

Lunaçek e tronditur nga sjellja e Lëvizjes Vetëvendosje

/ 2 minuta lexim
Uji Dea

Nënkryetarja e Parlamentit Evropian, Ulrike Lunaçek, ka dënuar aktin e djeshëm të opozitës kosovare, në veçanti anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje, kur hodhën gazë lotsjellës në Kuvendin e Kosovës.

Ajo ka thënë se këto veprime e kthejnë prapa përparimin e Prishtinës drejtë Bashkimit Evropian.

“Unë jam e tronditur nga sjellja e dhunshme dhe e dënojmë me forcë këtë sulm i cili tani ka kaluar kufirin e çdo debati parlamentar”, tha ajo në një deklaratë, shkruan N1, transmeton Klan Kosova.

Ajo tha se ky sulm i papërgjegjshëm ndikon negativisht në progresin e Kosovës dhe në rrugën drejt Bashkimin Evropian, duke deklaruar se incidenti e ka dëmtuar shumë imazhin e Kosovës.

“Lunaçek i bëri thirrje udhëheqjes së Lëvizjes Vetëvendosjes dhe deputetëve të saj, “që t’i kthehen debatit parlamentar dhe punës konstruktive, në vend të akteve të dhunshme”.

UBT

Edhe ambasada e SHBA-së në Prishtinë ka dënuar aktet e djeshme të opozitës në Parlament.

“Sjellja e tmerrshme e disa deputetëve të opozitës që çoi në ofrimin e ndihmës së nevojshme mjekësore ndaj deputetëve të tjerë, si dhe vëzhguesit ndërkombëtarë, duke përfshirë stafin e Ambasadës Amerikane, është tallje me një nga institucionet më të rëndësishme demokratike të Kosovës”, thuhet në deklaratën e ambasadës amerikane në Kosovë.

Dhunën në Parlament e kanë dënuar edhe Zyra e BE-së, përfaqësuesi i posaçëm i BE-së në Kosovë, ambasadat dhe zyrat e shteteve anëtare të BE-së, të cilat ishin dje të pranishme në parlamentin e Kosovës.

Po ashtu, shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Jean-Claude Schlumberger denoncoi bllokimin e djeshëm të seancës parlamentare.