Lumezi ka një apel për personat që po deklarohen për vrasjet e zyrtarëve të LDK’së

Personat të cilët flasin, nëpër media dhe rrjete sociale, lidhur me vrasjet e aktivistëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës është mirë që të njëjtat t’i deklarojnë edhe në Prokurorinë e Shtetit. Kështu të paktën ka deklaruar kryeprokurori i Republikës, Aleksandër Lumezi.

Në një prononcim për “Indeksonline”, ai ka thënë se institucioni të cilin e drejton ai do të merret seriozisht me deklaratat publike të cilat mundë t’i ndihmonin zbardhjes së vrasjeve të caktuara.

“Ne gjithsesi se do të bëjmë një kërkesë për grumbullimin e informacioneve dhe do t’i dëgjojmë këta persona që po prononcohen publikisht nëse ata kanë informacion i cili na drejtojnë në pistën e hetimeve”, u shpreh ai.

Më tej, Lumezi shpjegoi se është obliguese që çdo indicie që paraqet identitetin e kryesve të veprës penale të ndërmerren veprime të caktuara hetimore.

Kryeprokurori shtoi se me disa prononcime të cilat kanë për qëllim me ç’orientu sistemin e drejtësisë në rrugët e ndriçimit të rasteve të caktuara, të cilat i ka hetuar UNMIK-u apo EULEX-i, s’ka nevojë të merren me to.
“Mirëpo nëse dikush prej tyre ka informacion lidhur me identitetin e kryesit të veprës penale mirë kishte me qenë, edhe ligji dhe kushtetuta e obligojnë , që ato informacione t’i paraqesin në Prokurorinë e Shtetit, respektivisht tek organet e ndjekjes”, u shpreh ai.

Ndryshe, sot me rastin e përvjetorit të vdekjes së veprimtarit të LDK-së Enver Maloku, analisti dhe gazetari Bajrush Morina ka thënë që një deputet i Kuvendit dhe gruaja e tij janë fajtorët për vdekjen e Malokut, por nuk ka përmendur emra.

Lidhur me këto deklarata ministri i Drejtësisë Abelard Tahiri i ka kërkuar kryeprokurorit Lumez që i njëjti të merret me deklaratën e Morinës.

“Këtë rast ta trajtojë menjëherë, në mënyrë që pretenduesi të paraqesë faktet e pretenduara përmes së cilave akuzon njërin nga deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës, ose në të kundërtën të ballafaqohet me sistemin e drejtësisë”, u shpreh ministri i Drejtësisë.

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS

Vërejtje!

RajoniPress.com nuk do të botojë shkrime që nuk i përmbushin kriteret dhe standardet profesionale të gazetarisë bashkëkohore. Nuk do të ketë për askënd mbyllje apo censurë, por jemi të fokusuar që në këtë agjenci, lajmi, shkrimi, raporti, intervista dhe opinioni të plotësojnë kriteret profesionale. Gjithashtu opinionet, analizat, komentet, nuk duhet të shkelin parimet etike (gjuhën e urrejtjes, fyerjet, diskriminimet e çfarëdoshme).