UBT

Luginës së Preshevës i nevojiten koalicione të qëndrueshme të qeverisjes lokale

/ 4 minuta lexim
Hidromorava

Pushtetet lokale në Bujanoc dhe Presheva, prej vitesh përballen me probleme të shumta të natyrës politike, duke u nisur nga përçarjet, inatet, hakmarrjet klanore dhe partiake, të cilat janë reflektuar në punën e Kuvendit Komunal, si dhe tek qytetarët.

Mosuniteti brenda spektrit politik shqiptar, në mungesë të bashkëpunimit të sinqertë, ka sjell shpesh jostabilitet në qeverisjet lokale dhe moskoordinim në ato qendrore.

Shembull konkret i patëm zgjedhjet e fundit për pushtet lokal dhe parlamentar, të 21 qershorit në Serbi, e që fatkeqësisht edhe sot po shoqërohen me ndarje, përçarje dhe hasmëri ndërpartiake shqiptare. Ngjashëm i kemi edhe zgjedhjet e fundit për pushtet lokal në Preshevë, të cilat nuk arritën të ken një fitues absolut, ndaj edhe formimi i koalicionit qeverisës është i zorshëm dhe jo efektiv.

Shumëherë janë marrë iniciativa nga subjektet politike, që të krijohet një unitet mes spektrit politik shqiptar në Luginën e Preshevës, qoftë përmes koalicioneve për bashkëqeverisje lokale, qoftë edhe përmes zgjedhjeve parlamentare dhe ato nacionale, mirëpo, fatkeqësisht pa sukses. Në këtë drejtim, nuk ka munguar edhe ndërhyrja e faktorit institucional në Tiranë dhe Prishtinë, për të krijuar Lista unike, por përsëri pa ndonjë rezultat pozitiv.

Marrëveshja e arritur nga Tirana, posaçërisht nga i deleguari ish ministër Cakaj, nuk është duke u zbatuar në praktikë. Subjektet shqiptare qeverisëse në Bujanoc, janë përçarë përsëri dhe uniteti i tyre sa vjen e dobësohet, duke rrezikuar funksionimin e Kuvendit, kurse në Preshevë, po vonohet formimi i koalicionit qeverisës në mungesë të një uniteti ndërpartiak.

UBT

Vjet pas përfundimit të zgjedhjeve lokale të qershorit në Bujanoc, lindi nisma qytetare që t’i bërë bashkë njëherë subjektet politike shqiptare në Bujanoc dhe Preshevë, për të krijuar së pari një unitet politik në nivel lokal e për të vazhduar me atë qendror, siç është rasti i angazhimit të Ministrit Cakaj nga Shqipëria për të formuar një Listë unike shqiptare për zgjedhjet parlamentare në Serbi.

Një nismë të tillë të Shoqërisë Civile, nuk e përfillën subjektet politike, prandaj edhe gjërat dolën nga kontrolli me largimin nga detyra të ministrit Cakaj dhe tani gjendja e funksionimit të koalicionit të qeverisjes lokale në Bujanoc, është në pikën zero, kurse në Preshevë, as që është formuar qeverisja e re lokale.

Lidhur me këto dukuri negative në skenën politike shqiptare të Luginës së Preshevës, u shpreh koordinatori i Shoqërisë Civile, Nexhmedin Saqipi, i cili nuk la pa përmendur edhe “krijimin e një platforme të përbashkët politike dhe një rregullore pune, nga të cilat do të jepen modalitete se si do të funksionoj krijimi i unifikimit të spektrit politik, së pari në nivelin lokal, ngase pa një bashkim të tillë, nuk mund të arrish unitetin rajonal.”

Ai, gjithashtu, konstatoi se nisma qytetare, si atëherë edhe tani e ka konceptin se si do të dukej kjo platformë politike, mirëpo spektrit politik shqiptar, disa nga partitë politike, nuk u konvenon uniteti, ata janë mësuar të veprojnë ashtu ndaras, për të fituar më shumë pushtet dhe duke parcializuar korpusin politik, në favor të qarqeve të ndryshme, që nuk ia duan të mirën këtij vendi.

Politika përçarëse 20 vjeçare për pushtet në Luginën e Preshevës, nuk është e re, ajo i ka rrënjët e thella, “prandaj unitetit tonë partiak, institucional dhe shoqëror, duhet ta bëjmë ne vetë, pa ndihmën e emisarëve të jashtëm, ngase ajo, pa qëllim të keq, mund të jetë edhe kundërproduktive. Njerëzit më të këqij janë ata që i shfrytëzojnë fatkeqësitë njerëzore për t’i realizuar qëllimet e tyre partiake, klanore, familjare, shprehet i mllefosur, Koordinatori Saqipi, raporton Portali Jetapress.