Lugina pa strategji zhvillimi e punësimi, popullata po largohet

Situata aktuale në Luginë të Preshevës ishte tema e emisionit “Zëri politik”, të realizuar të enjten në studion e televizionit Aldi në Preshevë.

Situata ekonomike dhe ajo politike në Luginë, si dhe protestat e fundit në Prishtinë, u diskutuan në emision me mysafirët Ejup Haziri, kryetar i Unionit të Afaristëve të Preshevës, Belgzim Kamberi, kryetar i Këshillit për të Drejtat e Njeriut në Luginë dhe Argjent Goga, kryeredaktor i portalit informativ Titulli.com.

Emisioni i drejtuar nga moderatori Isuf Memeti arriti të shpalosë problematikën me të cilën përballet Lugina, përderisa pjesëmarrësit dhanë mendimet e tyre lidhur me situatën që po mbretëron në këtë rajon.

Konkluzioni që u arrit në këtë debat televiziv rreth asaj se kush po i pengon më së shumti komunat Preshevë, Bujanoc e Medvegjë në zhvillim ekonomik, para së gjithash, në numrin e madh të papunëve, për pjesëmarrësit e këtij emisioni përgjegjësi mbajnë Qeveria në Beograd dhe udhëheqësit lokal në këto komuna.

“Gjendja ekonomike në Luginë të Preshevës është shumë e keqe, e pavolitshme, me aktivitet shumë të mangët ekonomik, zvogëlim të numrit të subjekteve ekonomike, ikje të popullatës”, ishin këto disa nga indikatorët e numëruara nga kryetari i Unionit të Afaristëve të Preshevës, Ejup Haziri, që ndikojnë në zhvillimin shoqëror të një vendi.

Për kryetarin e Këshillit për të Drejtat e Njeriut, Belgzim Kamberi, qasja ekonomike që është bërë nga politika ka qenë e dezorientuar dhe më shumë ka qenë në shërbim të elitave politike.

“Nëse e merrni procesin politik nga viti 2001, që një nga shtyllat kryesore ka pas zhvillimin e ekonomik, atëherë cili është rezultati në vitin 2015, ku kanë shku ato pare? Nëse e merrni si shifër, si numër nuk është se nuk kanë hy pare në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë, ndoshta nuk kanë hy në mënyrë proporcionale, mirëpo ku janë ato pare, ato nuk kanë mbërri tek popullata, ato kanë përfundu në duar të politikanëve apo të ndërmarrjeve private që janë të afërta me ta”, u shpreh Kamberi.

Duke folur për ndihmën që tani po japin qeveritë lokale në zhvillimin ekonomik në këtë rajon, u tha se më shumë mjete jepen për asfaltim se sa në nxitje të zhvillimit dhe punësimit.

“Komuna e Bujanocit ka lidhur disa bashkëpunime me odat ekonomike të rajonit, mirëpo rezultati i këtij bashkëpunimi është shumë simbolik”, u shpreh kryeredaktori Argjent Goga, duke nënvizuar rastin e investitorit nga Italia i cili në momentet e fundit investimin e tij, edhe pse ishte interesuar që ta bënte në Bujanoc, e barti në Vranjë.

Nga pjesëmarrësit u tha se investimet duhet të bëhen më shumë në fushat në të cilat nxitet zhvillimi ekonomik, sesa në infrastrukturorë, pasi mungesa e punësimit në masë të madhe po krijon kushte për migrim të popullatës dhe zvogëlim të numrit të shqiptarëve në këtë rajon. /Titulli.com/

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS

Vërejtje!

RajoniPress.com nuk do të botojë shkrime që nuk i përmbushin kriteret dhe standardet profesionale të gazetarisë bashkëkohore. Nuk do të ketë për askënd mbyllje apo censurë, por jemi të fokusuar që në këtë agjenci, lajmi, shkrimi, raporti, intervista dhe opinioni të plotësojnë kriteret profesionale. Gjithashtu opinionet, analizat, komentet, nuk duhet të shkelin parimet etike (gjuhën e urrejtjes, fyerjet, diskriminimet e çfarëdoshme).