UBT

Lugina në mes asociacionit dhe reciprocitetit

/ 3 minuta lexim

Nga Nexhmedin Saqipi – Procesi i Brukselit, kuptohet si ai i Washingtonit, lidhet reciprokisht me interesat e Luginës, që për motive politike heshtet, duke mos u shtruar si problem ne mes delegacionit shqiptaro-serb.

Nëse Bashkimi Evropian, provon t’i shpërblej serbët e Kosovës me asociacion, për çka janë angazhuar edhe shqiptarët në mënyrë institucionalë, atëherë del se gjërat nuk shkojnë nga orientimi i duhur.

Në këtë drejtim politika e Tiranës, në kërkim të poenave politikë, ka bërë presion tek autoritetet e Luginës së Preshevës, për tu integruar plotësisht në Beograd, a në anën tjetër Beogradi ka vepruar në dy binarë, me një anë ka ngritur tensione dhe mospajtime në veri të Kosovës, a në anën tjetër ka inkurajuar e joshur shqiptarët në Serbi, me një pjesëmarrje sa simbolike aq edhe cinike ne jetën politike dhe ekonomike të vendit.

Shqiptarët e Luginës së Preshevës, nuk duhet hequr dorë nga kërkesat disa dhjetëra vjeçare për më shumë të drejta në shtetin ku jetojnë, duke u nisur nga procesi i integrimit, shkollimit, punësimit, rregullimit me ligj të simboleve kombëtare, dygjuhësisë etj.

RCCOLA

Nëse serbët e Kosovës dhe Beogradi, këmbëngulin në të ashtuquajturën “Serbska zajednica”. Duke gjetur mbështetje tek Washingtoni dhe Brukseli edhe shqiptarët duhet të kërkojnë të njëjtën, kuptohet në emër të reciprocitetit, të cilin nuk e hoqën asnjëherë nga goja.

Lugina e Preshevës, nuk mund të sensibilizohet, aktualizohet dhe internacionalizohet me neglizhencën dhe inferioritetin e Prishtinës dhe Tiranës, të cilat duhet ta faktorizojnë e fuqizojnë peshën e rajonit shumë të rëndësishëm gjeopolitik e gjeostrategjik të jugut të Serbisë dhe lindjes së Kosovës, një nga viset më karakteristike shqiptare, që paraqesin trekëndëshin magjik, që lidh natyrshëm Kosovë me Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Pse tani Prishtina e Tirana hesht, kur më së shumti duhet bërë zhurmë politike rreth këtyre proceseve, të cilat jo më larg se vitin e kaluar qenë inicuar si opsion i korrigjimit të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë, duke e kundërshtuar si ide të presidentit Thaçi, si nismë e rrezikshme për ndarje, shkëmbim territoresh dhe cenim të sovranitetit.

Një duhet të merret parasysh nga proceset dialoguese dhe partnerët e këtyre bisedimeve maratonike, se pa zgjidhje të drejtë e të qëndrueshme të çështjes së Luginës së Preshevës, nuk ka rehati, qetësi e stabilitet, në këtë pjesë të acaruar të Ballkanit dhe Evropës.