KKGJILAN

Lugina në agjendën politike të Kosovës dhe në shënjestër të Serbisë

/ 6 minuta lexim

Nga Nexhmedin Saqipi – Lugina e Preshevës, këtyre ditëve, është bërë një temë e nxehtë në Parlamentin e Kosovës dhe një dush i ftohtë në Qeverinë e Serbisë.

Institucioni më i lartë i pushtetit qendror në Kosovës, në një seancë të jashtëzakonshme ka debatuar për çështjen e Luginës së Preshevës, mirëpo për shkak mungesës së kuorumit, votimi i Rezolutës është zvarritur.

Nuk është hera e parë që Kuvendi republikan i Kosovë debaton për Luginën e Preshevës, ai ka debatuar dhe ka sjell Rezolutë para 6 vjetësh, pikërisht në vitin 2013, me të cilën u hap një zyre në Gjilan dhe asnjë nga pikat e saj nuk u realizuan për të mirën e bashkëkombësve të saj në Serbi, e aq më pak për shqiptarët që jetonin në Kosovë, në cilësinë e të të dëbuarve nga Presheva, Bujanoci dhe Medvegja.

Pavarësisht këtyre Rezolutave për Luginën e Preshevës, çështja shqiptare e kësaj krahine, vazhdon të përballet me problem të shumta, qoftë në Serbi, qoftë në Kosovë. Me këto veprime, në njëfarë mënyre, lëre që nuk është ndihmuar çështja shqiptare në Luginë, përkundrazi ajo është komplikuar dhe dëmtuar njëkohësisht.

Lëmosha

Nuk zgjidhet problem shqiptar në Serbi, me një ndihmë deri 500 mijë euro, siç u cek në Parlamentin e Kosovës, por me një angazhim më të fuqishëm në zgjidhjen e kauzës shqiptare në Serbi.

Lugina e Preshevës nuk ka nevojë për lëmosh financiare dhe kërkesat e shqiptarëve të saj, nuk drejtohen te faktorët relevantë shqiptarë Prishtinë e Tiranë, vetëm për të krijuar një Fond zhvillimor për Luginën në infrastrukturë dhe kulturë, por me një qasje profesionale dhe institucionalë të zgjidhjes së problemit shqiptar në Serbi.

Ajo që ra në sy gjatë debatit të këtyre ditëve për Luginën e Preshevës, në Parlamentin e Kosovës, ishte mungesa e kuorumit të deputetëve si dhe mosprezenca e përfaqësuesve të Luginës së Preshevës, ashtu siç ishte dikur gjatë vitit 2013-të.

Ky veprim dhe kjo sjellje e deputetëve të Kosovës dhe përfaqësuesve të Luginës së Preshevës, përveç zhurmës politike dhe propagandës së Beogradit nuk ka ofruar për shqiptarët e Luginës, në këto ditë të nxehta të vapës tropikale.

Ironizimi

Në të njëjtën ditë, kur debatohej çështja e Luginës së Preshevës në Parlamentin e Kosovës, shefi i Trupit Koordinues për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë erdhi për një vizitë në jug të vendit.

UBT

Ai, si gjithherë, me fjalorin e tij cinik, ironizoi me zhvillimet e fundit në Luginë të Preshevës dhe me theks të posaçëm rreth seancës së jashtëzakoshme të Parlamentit të Kosovës, duke u shprehur:

“Presheva, Bujanoci dhe Medvegja kanë qenë, janë dhe do të jenë pjesë përbërëse e Serbisë, këtë e kam thënë me miliona herë, ndërsa ata që nuk kanë çka të thonë flasin për shkëputje, bashkëngjitje përfshirë edhe territorin e Kosovës dhe Metohisë”, ndërsa sa i përket ndihmës material, ai, tha se do të ishte falënderuese nëse ajo do t’i kontribuojë një mirëkuptimi ndërmjet qytetarëve të Prishtinës dhe qytetarëve të Preshevës Bujanocit dhe Medvegjës dhe mjetet e paralajmëruar të shpenzohen për të mirën e qytetarëve të këtyre tri komunave.

Trupi Koordinues për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, është një miniqeveri për Luginën e Preshevës, një dorë e zgjatur e Beogradit për këto komuna, i cili qe 19 vjet, nuk udhëhiqet nga shqiptarët edhe pse është formuar për zgjidhjen e problemeve të shqiptarëve të trashëguara në periudhat e regjimeve të ndryshme serbe.

Presheva, Bujanoci dhe Medvegja, administrohen nga Serbia dhe ndihmohen nga buxhetet komunale, qeveria e Serbisë dhe Trupi Koordinues dhe organizatat e ndryshme ndërkombëtare dhe liderët e saj institucional, kohëve të fundit, harxhojnë energji duke kërkuar ndihmë përmes një Fondi zhvillimor dhe ngatërrohen dhe përçahen se kush nga komunat më shumë do të përfitoj nga këto donacioni.

Masat

Këta liderë institucionalë ngatërrohen për vezën dhe e lënë pulën të ikë. Apo, thënë më ndryshe për një konservë e japin bikun, të cilin e meritojnë ngase janë taksapagues në Serbi, i kryejnë detyrimet ndaj shtetit dhe Serbia është e detyruar t’i përmbush obligimet ligjore e financiare ndaj qytetarëve shqiptarë. Por, duke parë veprimet e këtyre liderëve tek angazhohen të përfitojnë si serbët në Kosovë, ajo me masa restiktive dhe represive e vë ata para një sikleti institucionalë.

Shoqëria civile në Luginë të Preshevës me kohë i ka paralajmëruar këto dukuri, të cilat më shumë i sjellin dëm dhe kokëçarje, se sa kontribuojnë për zgjidhjen e drejtë të qëndrueshme dhe afatgjate të kësaj krahine të stërmbushur me probleme të shumta të natyrës politike dhe ekonomike.

Vullneti

Shqiptarët e Luginës së Preshevës, gjatë vitit 1992 e kanë shprehur vullnetin politik përmes Referendumit me të drejtë bashkimi Kosovës, pastaj e bënë një luftë çlirimtare gjatë vitit 2000-2001 dhe arritën një Marrëveshje paqësore që njihet si Marrëveshja e Konçulit dhe nxorrën disa deklartata politike.

Vullneti politik i shqiptarëve për ta zgjidhur çështjen e tyre kombëtare vazhdon. Në këtë drejtim Presidenti i Republikës së Kosovës, është i vetmi i pazëvendësuari, gjatë kësaj historie, që çështjen e Luginës së Preshevës, po mundohet ta vë binarë të drejtë e të duhur për ta ecur kauzën e saj përpara përmes korrigjimit të kufijve me Serbinë, i cili duhet të kryhet si sot si neser, sa më parë aq më mirë.