ARKATANA

Lugina ndërmjet luftës dhe paqes

/ 4 minuta lexim
Uji Dea

Nga Milaim Shefkiu – Ka mjaftuar vetëm një pllakë përkujtimore, apo heqja e një flamuri nga varrezat e dëshmorëve, për të parë me ngjyra Luginën e Preshevës dhe gjendjen e shqiptarëve atje. Një lapidar që ka mbi vete emrat e dëshmorëve që ranë në luftë për më shumë të drejta, u bë aq problem sa që tejkaloi përmasat e një shteti dhe një kombi, shkoi deri në Bruksel e Uashington.

Një lapidar, aq i thjeshtë në pamje, por aq i rëndë në lëkundje, i bëri kancelaritë e Evropës që të sjellin sytë kah Lugina e Preshevës, se në çfarë gjendje jetojnë shqiptarët në rajonin e administruar nga Serbia.

Dhe jo vetëm kaq. Ky lapidar tregoi se sa delikate është situata e sigurisë në këtë rajon, i cili vetëm një dekadë më parë i dha fund luftës 18- muajshe. Këto tri javët e fundit u pa se “baruti” në Kosovën Lindor është i terur dhe mjafton vetëm një shkëndijë që flaka të përfshijë rajonin.

Situata e sigurisë në tri komunat shqiptare, edhe më herët ka qenë e tendosur, ndërsa gjendjen “të jesh a të mos jesh” e ka krijuar kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq si pinjoll i Mollsheviqit në politikë, dhe presidenti Tomisllav Nikoliq, zëvendësi i Sheshlit në qeverisje.

Përveç situatës delikate dhe represionit serb, lapidari në Preshevë na ka sjellë edhe në një përfundim tjetër. Krijoi një pasqyrë reale se ku qëndron politika shqiptare për këtë rajon, cilat janë qëndrimet e Tiranës, cilat janë të Prishtinës dhe ku qëndron lidershipi rajonal i Luginës. Edhe kësaj here u pa se shqiptarët nuk reagojnë si komb, por qëndrimet e tyre janë aq të ndara sa që dikush flet për paqen si koncept demokratik, ndërsa disa mbështesin luftën ai arti i të pamundshmes.

Prandaj në këtë situatë, kur lugina e Preshevës ndodhet para kërcënimeve dhe ultimatumeve serbe për heqjen e lapidarit dhe qëndrimit të shqiptarëve për moslëkundje, askush nuk di se si të veprohet. Të dëgjohet kryeministri Hashim Thaçi dhe ish shefi i SHIK-ut, Kadri Veseli dhe të rrihet urtë, apo të dëgjohet Adem Demaçi, Rexhep Selimi e Nait Hasani, që lapidari të mbrohet edhe me armë.

FIDANISHTJA

Shqiptarët atje edhe pse në numër shumë të vogël, nuk dinë ka t’ia mbajnë. Kënd ta dëgjojnë në këto situata. Shtrirja e qafës është parë se nuk ka dhënë rezultat dhe ka qenë një praktikë e gabuar. Kjo është vërtetuar në Kosovë. Por edhe logjika e të qëndruarit me pushkë, duket se është një hesap pa hanxhiun. Lapidari në qendër të Preshevës nuk mund të mbrohet me armë këmbësorish, kundrejt një arsenali të sofistikuar të xhandarmërisë, ushtrisë e policisë serbe.

Po ashtu çdo tentim që të mbrohet me armë do të ketë konsekuenca të pariparueshme, sepse shqiptarët do të ikin nga ai rajon dhe do të jetë shumë e vështirë të rikthehen prapë. Kjo është vërtetuar në luftën e UÇK-së dhe të UÇPMB-së, kur mijëra shqiptarë nuk janë kthyer me në Medvegjë, por as në Malësinë e Bujanocit dhe në Karadakun e Preshevës. Fundi, Lugina e Preshevës i duhet Kosovës dhe Shqipërisë me shqiptarë, sepse sipas siç thotë populli “livadhi është i atij që i ka delet”.

Sido që të jetë, duhet të ketë një qëndrim të prerë, të koordinuar dhe të qartë, nga politika shqiptare në Tiranës dhe Prishtinë, rreth asaj që: të qëndrohet dhe të mbrohet nderi i dëshmorëve me pushkë, apo të lejohet që të nëpërkëmbet lapidari nga pinjolli i Mollosheviqit, Ivica Daçiq.

Situata e fundit në Luginë, pavarësisht nëse është krijuar artificialisht siç deklaruan disa politikanë, nxori në pah një moskordinim të politikës shqiptare në rajon, dhe një bashkim të detyrueshëm të lidershpit në Luginë.

Nga kjo situatë mund të konkludojmë se Kosova ka vite që e bën politikën ad hock, ndërsa Tirana në kontinuitet është marrë me polemikat pozitë-opozitë.

Mirëpo në çështjet që konsiderohen madhore, apo kombëtare, duhet të ketë një politikë të njëtrajtshme që buron nga bota akademike, që gjerat i shohin pas kodre…Fatkeqësisht asi kalibra te ne nuk ka. Akademia e Shkencave ka vite që nuk merret me asgjë, përveç konsumimit të rakisë së rrushit.

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Nëse e çaktivizoni këtë cookie, ne nuk do të jemi në gjendje t'i ruajmë preferencat tuaja.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.