Hidromorava

Lugina kërkon ministri në Qeverinë e Kosovës

/ 7 minuta lexim
Mobi Casa

Kryetari i Lëvizjes për Progres Demokratik, Jonuz Musliu, do të kërkojë nga mandatari për formimin e qeverisë së re në Kosovë që ta themelojë Ministrinë për Shqiptarët në Luginën e Preshevës.

Zyrat e kësaj ministrie, sipas Musliut, do të vendoseshin në komunën e Bujanovcit dhe nga ky vend do t’i përfaqësonte interesat e qytetarëve të Luginës së Preshevës.
“Kjo do të jetë reciprocitet për atë që Qeveria e Serbisë e ka ministrinë e saj që kujdeset për qytetarët e saj që jetojnë në Kosovë. Kështu do të duhej që edhe Qeveria e Kosovës ta ketë ministrinë për Bujanovc, Preshevë dhe Medvegjë”, ka thënë Musliu. Në intervistë për gazetën Tribuna, Musliu ka thënë se një kërkesë e tillë së shpejti do të procedohet tek institucionet e Kosovës.

Përveç kërkesës që kjo ministri t’i ketë zyrat në Preshevë, Musliu do të kërkojë që edhe ministri të jetë po nga kjo anë, duke mos e mohuar nëse edhe vet mund të jetë pretendent për këtë pozitë.
“Nuk them nëse do të jem unë apo dikush tjetër, kjo varet edhe nga disponimi i qytetarëve. Por pa marrë parasysh se kush do të jetë, ai duhet të jetë një person i cili me të vërtetë e zgjidh problemin e shqiptarëve në Luginë të Preshevës”, ka thënë Musliu. Ai shpreson se kjo ide do të merret parasysh nga mandatari i ardhshëm i Qeverisë së Kosovës.

Tribuna: Keni kërkuar nga Qeveria e Kosovës që në mandatin e ardhshme ta themelojë edhe një ministri për Luginën e Preshevës. Si e keni menduar funksionimin e saj?
Musliu: Ende nuk po dihet se kush do të jetë mandatari se kush do ta formojë qeverinë e Kosovës, megjithatë kush do të jetë, e kanë obligim që kësaj here ta kenë një ministri për Preshevën, Bujanovcin dhe Medvegjen, e cila do të përkujdesej për shqiptarët e Luginës, pasi Serbia nuk po kujdeset për ne, dhe ka ministri të veçantë për serbët brenda Kosovës, pse edhe Qeveria e Kosovës mos ta ketë një Ministri e cila përkujdeset për qytetarët e Luginës. Pra ne po kërkojmë reciprocitet edhe në këtë rast. Kjo ministri do të merrej me problemet e qytetarëve të kësaj ane. Kanë ndodhur shumë arrestime pa asnjë bazë ligjore, të drejtat e shqiptarëve në praktikë nuk respektohen, dygjuhësia, simbolet, nuk është implementuar marrëveshja e Konçulit sepse këtu ka pasur luftë dhe të gjitha këto po fshihen nga libri amëz civil i shqiptarëve, kjo është edhe një vrasje enigmatike e shqiptarëve të cilët po largohen nga shtëpitë e tyre. Ne kërkojmë që të gjitha këto probleme të trajtohen nga një ministri në kuadër të Qeverisë së Kosovës. Edhe Brukseli i ka borxh Luginës së Preshevës, sepse e përsëris këtu ka pas luftës dhe duhet ta zgjidhin problemin e shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Megjithatë duhet të jetë një ministër i cili duhet të jetë prezent në Luginë të Preshevës.

Tribuna: Ju kërkoni që kjo ministri t’i ketë zyrat në Luginë të Preshevës dhe të jetë nga kjo anë?
Musliu: Pa marrë parasysh nga është, ai së paku duhet të kujdeset për Luginën e Preshevës, ai duhet të jetë prezent këtu. Qoftë nëse është i Luginës së Preshevës apo qytetar i Kosovës, megjithatë mendoj se më mirë është që të jetë nga Lugina e Preshevës, në mënyrë që të marrë pjesë në mbledhjet e Qeverisë së Kosovës dhe të raportojë për gjendjen e shqiptarëve në Luginë.

ARKATANA

Tribuna: A keni biseduar me ndonjë përfaqësues të Kosovës në lidhje me këtë ide?
Musliu: Ne kemi biseduar më herët edhe me kryeministrat. Përveç një zyre që e kemi pasur me herët me zotrin Haradinaj, atëherë patëm filluar të bënim një urë lidhëse, mirëpo ajo zyrë u shkri. Mendoj se zyra duhet të jetë në Bujanovcë pasi kjo komunë është më e rrezikuar dhe nga ky vend kjo zyrë t’i përfaqësojë të gjithë shqiptarët në Luginë. Dhe kjo zyrë të ndihmojë në ndalimin e largimit të qytetarëve nga kjo anë.

Tribuna: Nëse merret parasysh ideja juaj për themelimin e Ministrisë për Luginën e Preshevës, a do të pranonit që ju të jeni ministër?
Musliu: Unë nuk them nëse do të jem unë apo dikush tjetër, kjo varet edhe nga disponimi i qytetarëve. Por pa marrë parasysh se kush do të jetë, ai duhet të jetë një person i cili me të vërtetë e zgjidh problemin e shqiptarëve në Luginë të Preshevës.

Tribuna: Ju më herët keni kërkuar që çështja e Luginës së Preshevës të jetë pjesë e dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë në Bruksel. A prisni që qeveria e re ta marrë parasysh kërkesën tuaj?
Musliu: Këtu është problemi, këtu është çelësi i kërkesës sime. Pasi që bisedimet do të vazhdojnë, ky ministër duhet të jetë prezent edhe në bisedimet në mes të Kosovës dhe Serbisë. Duhet ta përfaqësi denjësisht vullnetin e qytetarëve të Luginës së Kosovës.

Tribuna: Ekziston edhe një rezolutë për Luginën e Preshevës e miratuar nga Kuvendi i Kosovës, por deri më tani nuk është parë ndonjë rezultat që ka dhënë kjo rezolutë. A mendoni se edhe themelimi i një ministrie për Luginën do ta kishte fatin e njëjtë?
Musliu: Unë po kërkoj që të jetë efikase kjo ministri. E jo siç ka ndodhur me Rezolutën e miratuar nga Kuvendi i Kosovës. Me të vërtetë themelimi i kësaj ministrie duhet të merret si bazë për zgjidhjen e problemit të shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Dhe këtu duhet ta ketë zyrën dhe të jetë tamam një njëri i cili do t’i përfaqësonte denjësisht shqiptarët e Luginës, jo sa për sy e faqe, jo që të jetë dekor, por të jetë në kontakt me qytetarët për çdo ditë. Unë së shpejti do të bëj kërkesë institucionale për themelimin e kësaj ministrie.

Tribuna: Deri më tani çfarë ka bërë Qeveria e Kosovës për Luginën e Preshevës?
Musliu: Deri më tani nuk kam parë se ka ndërmarrë diçka serioze, për veç 50 mijë eurove që janë ndarë dhe heqja e pagesave të sigurimit për qytetarët e Preshevës, por nuk e kemi një liberalizim të mirë për të hyrë dhe dalë nga Kosova. Pra po kemi pengesë me Serbinë, pengesë me Kosovë, prandaj duhet të kemi një ministër që duhet t’i përfaqësojë interesat e qytetarëve të Luginës.