Uji Dea

Lugina e Preshevës, përballë një diskriminimi sistematik!

/ 3 minuta lexim

Nga Driton Hyseni – Komunat: Preshevë, Bujanoc e Medvegjë, tani e një kohë të gjatë, gati gjysmë shekulli, po përballen me padrejtësitë, që ushtron Beogradi zyrtar, ndaj shumë të drejtave elementare njerëzore. Të pakënaqur me statusin e tyre politik, shqiptarët e Luginës së Preshevës, u detyruan të dalin në Referendum, i cili u mbajt, më 1 dhe 2 mars 1992, pastaj duke vazhduar me dhunën e shfrenuar nga ish regjimi diktatorial i Millosheviqit, ata zhvilluan një luftë çlirimtare në emër të UÇPMB-së, 2000-2001. Pas kësaj lufte dhe pas Marrëveshjes paqësore të Konçulit, prapë shteti serb vazhdon me avazin e vjetër të shkeljes së të drejtave elementare njerëzore ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës.

Kur përmendim shkeljen e të drejtave themelore njerëzore, duhet ta kuptojmë si të tillë që: njerëz jemi e aftësi kemi të bashkëjetojmë, por jo edhe të bashkëpunojmë. Serbia, ashtu siç nuk e ka njohur Kosovën, e shqiptarët e Kosovës, ashtu vazhdon ta trajtoj Luginën e Preshevës, dhe shqiptarët e saj. Nuk na njeh diplomat e universiteteve kosovare, nuk na njeh simbolin kombëtar, nuk na njeh gjuhën, nuk na njeh librat shqip, nuk na njeh edhe kombësinë. Edhe pse jetojmë në Serbi, ne mund të quhemi shqiptar të Serbisë, këtë edhe vet e pranojmë, por shteti serb as ashtu nuk e pranon, ai neve në pasaporta nuk na njeh si shqiptar, e lëre më në praktika tjera institucionale.

Nuk lodhemi asnjëherë së kërkuari të drejtat tona elementare njerëzore. Por, jemi lodh për shkak situatës ekonomike në këtë rajon. Serbia po punon vazhdimisht që të na largojë nga këtu, me metodat më moderne shoviniste e nacionaliste. Ajo ka muaj që na shlyen nga regjistrat e adresave kushërinjtë e të afërmit tanë, që janë shpërngulur në Kosovë apo edhe në diasporë përkohësisht, e që kanë mbet atje përjetësisht për shkak të mos rregullimit të marrëdhënieve ndër etnike. Serbia është fakt që ka ndërtuar korridorin 10, që kalon nëpër këtë rajon, por ajo ka menduar mirë që ajo autostradë të kaloj nëpër katundet serbe, që shqiptarët asesi të mos kenë qasje në zhvillimin e bizneseve vendore. Serbia vazhdon që të mos hap vende të reja të punës, e fabrika në këtë rajon, me qëllimin e vetëm që shqiptarët të lakmojnë rajonet tjera e perëndimin e të largohen nga vendi i tyre. E për këtë jemi lodh shumë, për papunësinë e tepërt e për shkeljen që na bëhet me dekada. Ajo edhe nuk na njeh si popull, po s’do me ia ditë për neve edhe si njerëz.

Fundamenti

Mjafton që në Luginë të hapen të paktën tri deri në katër fabrika me nga 200 punëtorë përafërsisht, kështu do të ishte i pa planifikueshëm largimi i njerëzve nga këtu. Mjafton ta zhvillojnë ekonomin, e ta ulin presionin nacionalist, s’do ta ndjejmë nevojën e praktikimit të ndërsjellët të nacionalizmit, por do ta kemi të nevojshme bashkëpunimin e bashkëveprimin.

Shqiptarë do mjaftonte të ndjehemi me zemër, e zemrën ta kemi të fortë. Se përderisa na dëmtojnë materialisht, edhe zemrën e kemi të dobët, e kështu edhe shqiptar mund të mos ndjehemi.