Fidanishtja

Lugina e Preshevës nuk është në planet e Qeverisë, thonë njohësit e çështjeve politike

/ 5 minuta lexim

Presheva, Bujanovci dhe Medvegja nuk janë në agjendën e prioriteteve të Qeverisë Kurti, thonë njohësit e çështjeve politike, raporton Ekonomia Online.

Sekretari i Lëvizjes për Bashkim, Avni Klinaku, në një prononcim për Ekonomia Online, tha se përderisa Lugina e Preshevës nuk përfshihet në dialogun Kosovë-Serbia, gjendja në këtë pjesë nuk do të përmirësohet.

“Për fakt këtë Qeveri është pak herët të flitet në këtë drejtim pasi ka pak ditë, por në përgjithësi Qeveritë e Kosovës nuk janë kujdesur ashtu siç duhet për shqiptarët në Preshevë, Bujanovcit dhe Medvegjës, ndërsa ato jetojnë në kushte shumë të rënda dhe shumë të vështira”. “Mendoj që asnjë hap nuk është i mundshëm nëse nuk merret hap kryesor, Presheva, Medvegja dhe Bujanovci duhet të jenë pjesë e dialogut dhe pjesë e zgjidhjes së problemit vetëm kështu do t’i hapim rrugë t’i ndihmojmë pastaj në të gjitha drejtimet, çdo gjë që tentojmë tani duke i lënë anash në dialog në zgjidhjen e problemit ne do ta kemi shumë të vështirë pasi ata vazhdimisht për shkak të presionit serbë për shkak të shtypjes së vazhdueshme por edhe për shkaqe ekonomike shpërngulen dhe ikin në Kosovë”, u shpreh ai.

Ndërsa, politologu Shkodran Ramadani, vlerëson se Lugina e Preshevës nuk është në planet e Qeverisë.“Duket që tani më Lugina e Preshevës nuk është më pjesë e planeve të kësaj Qeverie as asaj të kaluarës, pas afër dy viteve kur Lugina e Preshevës ishte një temë e nxehtë në politikën e Kosovës, konkretisht në çështjen e dialogut me Serbinë, ku përflitej për një shkëmbim territoresh, ku përflitej që Lugina e Preshevës të bashkohej potencialisht me Kosovën, dhe kjo i bëri ata palë për herë të parë pas shumë vitesh të dialogut, ku kishte edhe takime të shpeshta edhe me krerët e Luginës së Preshevës, dhe tani pasi ideja e shkëmbimit të territoreve duket që nuk është më në tavolinën e bisedimeve me largimin e kësaj teme është mbyllur edhe dritarja e luginës së Preshevës dhe përpjekjet e saja për t’u bërë pjesë e dialogut Kosovë-Serbi”.

Mobi Casa

“Kësisoj unë besoj që tani gjithnjë e më pak do të ketë fokus dhe përkushtim te shqiptarët e Luginës, për shkak se fokusi i dialogut është kthyer nga shkëmbimi i territoreve te riorganizimi i brendshëm kushtetues i Kosovës, i cili do të mund të përfshinte një asociacion potencial të komunave me shumicë serbe. Pra duket se ajo ide e cila fillimisht gjeti mbështetje edhe në disa qarqe ndërkombëtare, në disa shtete, të cilat disa e kundërshtonin e disa lenin hapësirë duke u treguar fleksibile, tani besoj që Lugina nuk do të jetë lartë në agjendën dhe të prioriteteve të Qeverisë Kurti sepse tani roli BE-së është shumë i madh se që ka qenë në kohën e z.Thacit, e dihet që BE-ja në krye me Gjermaninë kanë qenë strikt sa i përket ndryshimit potencial të kufijve, kështu që me këtë besoj që Lugina nuk do të ketë rol shumë të madh në fazën e dialogut që po hynë Kosova”, u shpreh Ramadani për EO.

Në anën tjetër, analisti Fitim Salihu tha për Ekonomia Online, se asnjëherë nuk është bërë sa duhet për Preshevën, Medvegjën e Bujanovcin.

Salihu shtoi se kërkesat e Luginës së Preshevës duhet të parashtrohen në mënyrë të parevokueshme në tryezën e bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Jo vetëm kjo Qeveri por secila kurrë nuk është shumë për t’u angazhuar për Luginën e Preshevës dhe vlerësoj që kurrë nuk është bërë sa duhet me Luginën e Preshevës, fatkeqësisht edhe me këtë Qeveri nuk po shohim që po bëhet aq sa Lugina e Preshevës meriton duke pas parasysh që një është një pjesë e kombit që kanë mbetur jetimë matanë kufirit. Mendoj që Qeveria e Kosovës duhet të bëjë akoma më shumë në raport me Luginën e Preshevës dhe vlerësoj që nuk duhet të shkohet më në negociata sepse është bërë mjaftë këto 20 vite që të bëhen kompromise në raport me serbët e Kosovës, dhe nuk duhet të shkohet në negociata me Serbinë pa u nisur nga parimi i reciprocitetit politik që për çdo lëshim që bëhet për serbët në Kosovë të kërkohet i njëjti lëshim, i njëjti garanci edhe për shqiptarët e Luginës, sepse fatkeqësisht për shkak të injorimit të qëllimshëm nga Beogradi dhe për shkak të harresës nga Prishtina dhe nga Tirana, Lugina po shpopullohet dhe çdo ditë e më shumë shqiptarët po e lëshojnë atë rajon”. “Pavarësisht nëse përfshihen shqiptarët e Luginës në dialog apo jo, me rëndësi është që kërkesat e tyre të jenë prezent në Bruksel… Të jenë kërkesa të parevokueshme nga Prishtina”.“Besoj që shqiptarët e Luginës kanë nevojë për dorën e Prishtinës që në të gjitha format e ndryshme jo vetëm politikisht por edhe në forma që e lehtësojnë jetën e tyre atje, si ne arsim, në sport, atyre t’u ndihmohet dhe t’u largohet presioni ndaj tyre për ta braktisur Luginën”, tha ai.