RCCOLA

Lugina e Preshevës kërkon ulëse në bisedimet në Bruksel

/ 5 minuta lexim
ARKATANA

Shqiptarët e Luginës së Preshevës, po kërkojnë që edhe fizikisht të jenë pjesë e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për të prezantuar kërkesat e tyre.

Përfaqësuesit e Preshevës, Bujanocit e Medvegjës, komuna në jug të Serbisë, që ndryshe njihen edhe si Lugina e Preshevës, thonë se është e pakuptimtë që të bisedohet me Serbinë për normalizim të marrëdhënieve, pa përfshirjen e Luginës së Preshevës.

Kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, thotë për Radion Evropa e Lirë se është e nevojshme prania e tyre në tavolinën e bisedimeve në Bruksel.“Çështja e Luginës së Preshevës duhet të jetë pjesë e dialogut Kosovë-Serbi, edhe si temë edhe përmes pranisë fizike të të zgjedhurve të Luginës. Është e rrezikshme ideja që të vendoset fati i Luginës pa përfshirjen dhe pa vullnetin e qytetarëve të Luginës”, thotë Sinani.

Sinani i bëri këto komente duke i referuar raportimeve të mëhershme se Kosova dhe Serbia mund të bien dakord për gjetjen e një zgjidhjeje ku përfshihet shkëmbimi i territoreve, me ç’rast Kosova do t’i jepte Serbisë një pjesë të veriut të banuar me shumicë serbe, dhe do të merrte Luginën e Preshevës që është e banuar me shumicë shqiptare.

Sinani thotë se kërkesë e përhershme e tyre mbetet bashkimi me Kosovën.“Nëse flitet për ndryshimin, korrigjimin e kufijve, atëherë Lugina e Preshevës duhet të bashkëngjitet si e tërë me Republikën e Kosovës. Kjo ka qenë kërkesë e shqiptarëve të Luginës së Preshevës qysh në referendumin e vitit 1992”, thotë Sinani.

Ajo thotë se që të mos ndodhin zgjidhje të njëanshme që thellojnë krizën dhe konfliktin, duhet të përfshihet Lugina e Preshevës në dialogun në Bruksel.

Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi, Ragmi Mustafi, thotë se paqja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, arrihet përmes Luginës së Preshevës.Mustafi thotë se i kanë bërë kërkesë kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, që çështja e Luginës së Preshevës të trajtohet në kuadër të dialogut.“Kjo për faktin se nuk mund të jetë dialogu i njëanshëm, ku mund të hapen temat për çështjet e rregullimit të brendshëm të Republikës së Kosovës dhe mos të hapen temat e rregullimit të brendshëm të Serbisë. Kjo nënkupton që do të duhej të hapet edhe çështja e statusit juridiko-politik të shqiptarëve të Luginës së Preshevës”, thotë Mustafi.

ARKATANA

Në Qeverinë e Kosovës nuk kanë thënë nëse përfaqësues të Luginës së Preshevës, do të jenë pjesë e delegacionit të Kosovës në bisedimet me Serbinë.“Siç e ka theksuar kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, takimi në Bruksel është dialog për dialogun, është në shërbim të kapitullit të ri të dialogut dhe të dakordimit mbi agjendën e tij”, thuhet në përgjigjen e qeverisë.Por, sa i përket dialogut si kapitull të ri, Bashkimi Evropian ka mendim tjetër nga kryeministri Kurti, pasi insiston që ky është vazhdim i dialogut për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Në pritje të takimit të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq në Bruksel, që pritet të mbahet në muajin qershor, zyrtarët e BE-së kanë thënë se “ky dialog ka nisur në vitin 2011 dhe do të vazhdojë me takimin e ri, në nivelin e lartë që do të zhvillohet së shpejti”.

Salihu: BE-ja dhe Serbia mund të jenë kundër pranisë së Luginës në dialog

Përfshirja fizike e përfaqësuesve të Luginës së Preshevës do të ishte e mirëseardhur, thotë analisti Fitim Salihu.Edhe nëse kjo nuk është e mundshme në këtë format aktual të dialogut, sipas tij, ata mund të jenë të pranishëm në këtë proces përmes ideve të tyre ose kërkesave të tyre që mund t’i parashtrojnë te Qeveria e Kosovës.

Por, Salihu thotë se kjo mund të mos pritej mirë nga Brukseli ose pastaj mundet edhe Serbia të kërkojë përfshirje të serbëve lokalë në dialog.“Jam skeptik nëse BE-ja dhe Serbia do të pranonin të ishin përfaqësuesit e Luginës së Preshevës si pjesë e delegacionit të Kosovës. Edhe nëse do të ishte fakti që ata të mos marrin pjesë fizikisht, por kërkesa e tyre të delegohej përmes Qeverisë së Kosovës, prapë do të ishte në rregull edhe nëse nuk janë të pranishëm edhe pse më e mira e mundshme do të ishte që ata vetë të jenë në tavolinë”, thotë Salihu.

Përfaqësuesit e Luginës së Preshevës vazhdimisht kanë ngritur shqetësime lidhur me pasivizimin e adresave të banorëve shqiptarë të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit.

Sipas të dhënave të Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi, janë mbi 3.000 adresa që janë pasivizuar në Medvegjë dhe mbi 2.000 në Preshevë e Bujanoc.Me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, dialogu midis Kosovës dhe Serbisë filloi në vitin 2011. Përmes këtij procesi synohet arritja e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për normalizimin e raporteve mes dy vendeve.