Fundamenti

Luftojeni krimin dhe korrupsionin

/ 3 minuta lexim
Mobi Casa

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Kosovë(SHBA), Tracey Ann Jacobson, e di shumë mirë se në Kosovë ka krim dhe korrupsion, bile konsideron se gjobitja apo dënimi me burg me gjasë nuk paraqesin masa aq frikësuese. Ajo konsideron se konfiskimi i aseteve atyre që i kanë fituar ato asete përmes korrupsionit apo krimit, mund të ketë efekt.

Në një intervistë ekskluzive për gazetën “Zëri”, Jacobson paralajmëron se nëse Kosova dëshiron të shihet si demokraci serioze dhe e suksesshme dhe të tërheqë investime direkte të huaja atëherë duhet të merret me luftimin e korrupsionit. Për EULEX-in vlerëson se është duke e kryer punën për aq sa ka fakte, ndërkohë që bën të ditur se Kosova ka edhe shumë punë përpara vetes.

Ajo pret që zgjedhjet e nëntorit të jenë të lira dhe pa ndërhyrje, duke shpresuar që Bashkimi Evropian të dërgojë vëzhguesit e tij. Ndërkohë që shpalos qëndrimin e saj ndaj “Vetëvendosjes”, dhe mospajtimet rreth mënyrës sesi ata veprojnë.

Zëri: Kosova nuk ka imazh shumë të mirë, sidomos pas skandaleve të mëdha të korrupsionit që janë raportuar edhe nga mediat e huaja. Ndërkohë kemi rënie të investitorëve të huaj, nga viti 2007 deri 2012 kemi përgjysmim të investimeve.

Hidromorava

Jacobson: Mendoj se, para së gjithash, kur krahasojmë 2007-tën dhe 2012-shin, duhet të kuptoni se bota financiare ishte plotësisht e ndryshme atëherë. Në 2007-tën kishte një lloj shpërthimi financiar kurse në 2012-tën bota gjendet në një krizë ekonomike financiare dhe duke dalë gradualisht nga kjo krizë ekonomike financiare. Pra, keni më pak dollarë për investime, që do të thotë se çdo shtet duhet të jetë edhe më mirë i përgatitur për t’u dukur konkurrues sepse sasia e dollarëve që investohej në tërë botën në vitin 2007 ka rënë.

Lidhur me rastin e Kosovës në veçanti – ju përmendët korrupsionin – perceptimi i korrupsionit është një problem. Mendoj se dy problemet kryesore që paraqesin barrierë për investimet e huaja në Kosovë janë perceptimi i korrupsionit dhe perceptimi se gjyqësori nuk është ende mjaft i fuqishëm për t’u marrë me kontestet biznesore me kohë. Natyrisht, një problem tjetër është stabiliteti politik. Kur investitorët dëshirojnë të fusin para në një shtet ata donë t’i fusin ato në një vend ku e dinë se investimet do të jenë të sigurta në afat të gjatë.

Unë shpresoj se me këtë dialog me Serbinë dhe me zbatimin e marrëveshjes rreziku politik për investimet do të jetë shumë më i ulët, dhe ne jemi duke punuar sa më shumë që po mundemi me Qeverinë lidhur me çështjet e korrupsionit dhe gjyqësisë. Siç edhe mund ta dini ne këtu kemi një program të madh për sundimin e ligjit me USAID-in që punon me gjykatat; kemi programin tonë ICITAP – këshilltarët policorë; kemi dy prokurorë që janë duke ndihmuar për zhvillimin e legjislacionit të ri për të pasur dënime më të larta për krimet financiare dhe korrupsionin e lartë; kemi një këshilltar nga Departamenti i Thesarit që punon në veçanti në fushën e krimit ekonomik. Pra, ne po mundohemi ta ndihmojmë Qeverinë që të rrisë kapacitetin e vet për të hetuar dhe për t’i ndjekur në mënyrë të suksesshme krimet ekonomike siç është korrupsioni…(Zëri)