Luftimi i korrupsionit është akt patriotik
Roli i EULEX-it në veri të Kosovës do të varet nga marrëveshja politike mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, ka thënë Shefi i EULEX-it, Bernd Borchardt, i cili porosit qytetarët e Kosovës ta luftojnë korrupsionin. “ Lufta e korrupsionit është akt patriotik, sepse korrupsioni po e dëmton Kosovën dhe ardhmërinë tuaj”, ka thënë ai.
“Ne qysh tani jemi prezent në veri dhe po punojmë. Për shembull kemi të angazhuar rreth 200 veta në 6 vendkalimet mes Kosovës e Serbisë, personel ky që po punon në implementimin e menagjimit të integruar të kufirit. Siç e dini dy nga këto 6 vendkalime ndodhen në veri dhe janë relativisht të mëdha”, ka thënë Borchardt në një intervistë për infoGLOBI, duke thënë se IBM është duke funksionuar në veri.
Shefi i EULEX-it thotë se pjesëtarët e këtij misioni kryesisht po lëvizin lirshëm në veri. “Ka ende pengesa ndonjëherë kur njerëzit ndalin veturat tona. Por në përgjithësi ne mund të lëvizim lirshëm në veri.
Ne gjithashtu punojmë në Gjykatën e Qarkut në veri, dhe tani në Gjykatën Themelore në Mitrovicë e cila është rihapur. Gjykatësit e EULEX-it që punojnë atje, kanë lëshuar 58 vendime për krime serioze duke përfshirë edhe për krimet e luftës, kontrabandën, vrasjet etj”, tha ai.
Lidhur me ‘Task Forcen’ e themeluar në Bruksel për hetimin e akuzat mbi dyshimin e kryerjes së krimeve të luftës në Kosovë, Borchardt thotë se EULEX e ka njësinë për krimet e luftës, e cila ka selinë brenda njësisë për krimet e luftës së Policisë së Kosovës.
“Kur jemi te krimet e luftës kam përshtypjen se më shumë probleme ka në përceptimet e shoqërisë. Ndryshe në linjë institucionale ato po hetohen. Ç’është e vërteta në njësitë për hetimin e krimeve të luftës nuk punon asnjë serb, gjë që është për të ardhur keq”.
“Krahas kësaj krimet e luftës po hetohen edhe në Serbi. Siç e dini janë ngritur çështjet si varrezat dhe hetimi i atyre që kanë kryer krime gjatë luftës. Edhe në këtë aspekt po punohet. Mund të ju them se edhe autoritetet në Serbi janë të hapura dhe po bashkëpunojnë për zgjidhjen e problemeve si këto.
Jam në dijeni se në të kaluarën ka pasur reagime, që ishin më shumë të natyrës politike, e që ndërlidheshin me krimet e luftës. Emocionalisht unë mund të kuptojë reagimet e tilla, por ju lutem fjala është për krime. E krimi duhet të ndëshkohet”, tha ai.
Lidhur me luftën që EULEX-i i bën krimit të organizuar dhe korrupsionit, Borchardt tha se “kemi të bëjmë me hetime e ato duhet të jenë të detajuara. Kur rastet ti paraqiten gjykatës ato duhet të jenë të punuara mirë, sidomos në rast se kemi të bëjmë me raste të ndërlikuara të krimit të organizuar apo korrupsionit”.
“Lufta e krimit të organizuar dhe korrupsionit është larg në prioritetet e EULEX-it. Megjithatë, është e rëndësishme të theksohet se lufta kundër korrupsionit nuk nënkupton vetëm luftën ndaj sjelljeve korruptive të zyrtarëve të lartë. Qasja jonë është më e gjerë. EULEX-i dhe autoritetet lokale dhe të gjithë njerëzit së bashku punojnë për ta pastruar Kosovën nga krimi i organizuar dhe korrupsioni. Është kjo çështje shumë e rëndësishme për mirëqenien e shoqërisë kosovare. Sivjet në Kosovë janë ndëshkuar për korrupsion 12 veta”, tha ai.
“Luftojeni korrupsionin! Lufta e korrupsionit është akt patriotik, sepse korrupsioni po e dëmton Kosovën dhe ardhmërinë tuaj”, ky është mesazhi i shefit të EULEX-it, Bernd Borchardt, në fund të një interviste të gjatë dhënë portalit infoGLOBI. /Telegrafi/


