Luftë e fortë për Këshill të UP-së
Senati i ri i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” do të mblidhet të enjten, për të formuar komisionin për verifikimin e kandidaturave për anëtarë të Këshillit Drejtues të këtij Universiteti.
Pas përmbylljes së konkursit të mërkurën, për kandidim kanë paraqitur kandidaturën 14 mësimdhënës të UP-së.
Kryetari i Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ) në UP, Marjan Dema, ka thënë për “Zërin” se Senati do të votojë për anëtarët e komisionit që do të kenë për detyrë të bëjnë përzgjedhjen e tre anëtarëve sa do të ketë komisioni që do të verifikojnë listën e kandidatëve për këshill të Universitetit.
Dema ka bërë të ditur se për herë të parë në Universitet kandidatët nga stafi akademik nuk po propozohen nga njësitë akademike, por është lënë i lirë konkurrimi që të aplikojë secili që e sheh të arsyeshëm se mund të japë kontribut në kuadër të Këshillit.
“Pas verifikimit se plotësojnë kushtet të premten do të votohen në senat kandidatët për Këshill Drejtues”.
Dema ka thënë se pas zgjedhjes së pesë anëtarëve nga radhët e Universitetit në Këshill do të emërohen dhe katër anëtarë të tjerë nga Ministria e Arsimit. Kompletimi i KD-së, ai tha se do t’i japë mundësi shpalljes së konkursit për kandidimin për rektor të Universitetit.
Ndërsa, gazeta ka mësuar se në garën për anëtarë të Këshillit deri të mërkurën (10 shkurt) që ka qenë dhe dita e fundit për konkurrim kanë kandiduar dhe pesë anëtarët aktualë të këshillit; Beqir Sadikaj, Zeqir Veseli, Alberta Troni, Kemajl Bislimi dhe Fevzi Berisha.
Kjo pesëshe njihet bashkë me kryetaren Shefkije Islamaj se votoi për shkarkimin e rektorit Ramadan Zejnullahu në tetorin e vitit të kaluar./zeri/


