UBT

Lufta

/ 4 minuta lexim
FIDANISHTJA

Nga Dardan Islami – Çdo betejë i ka heronjtë e vet, por edhe sekretet e veta. Në vitin 1999, derisa bota po tmerrohej nga pamjet e krimeve të njësiteve policore-ushtarake dhe paramilitare serbe, në territorin e Kosovës, në prapaskenë zhvillohej një betejë tjetër, lufta për teknologji. Në natën e tretë të bombardimeve, më 27 mars të vitit 99, serbët befasuan kur rrëzuan aeroplanin amerikan F-117, “stwalth” , teknologji kjo që i mundëson kësaj fluturakeje të jetë “e padukshme”, e pakapshme nga radarët. Versioni serb është shumë pak bindës, sipas tyre, ky aeroplan u rrëzua falë një taktike të thjeshtë luftarake e cila rezultoi me sukses. Por kur kemi parasysh radarët dhe raketat kundërajrore, të cilat ata posedonin në atë kohë, mbetën shumë pak mundësi që ky version të jetë i mundshëm.

Të nesërmen fshatarët lokalë po fotografoheshin me copat e aeroplanit të rrënuar, ku nuk po mungonin as përfaqësues të Ambasadës se Kinës dhe saj ruse në Beograd, që po shfaqnin interesimin e tyre për këto copa të “fluturakes së padukshme”. Më 7 Maj bombarduesit amerikanë B2 hodhën 5 bomba të precizitetit të lartë në njërin krah të ndërtesës së Ambasadës kineze në Beograd, duke vrarë 3 dhe plagosur 20 zyrtare kinezë. Amerikanët zyrtarisht thanë se ky ishte një gabim, që sipas tyre ndodhi për shkak të hartave të vjetra të tyre, edhe pse ky objekt ishte në listën e caqeve për të mos u goditur. Versioni amerikan la shumë pyetje pa përgjigje, ndërkaq Kina po hesht. Befasia e radhës ndodhi më 11 qershor kur një batalion rus nga Bosnja, krejt papritmas hyri në territorin e Kosovës.

Ky batalion kishte vetëm një mision, e ai ishte rrethimi i aeroportit të Prishtinës, një ditë para se forcat e NATO-s të zbarkonin në territorin e Kosovës, pas marrëveshjes ushtarake të Kumanovës. Pasi që forcat ruse morën në kontroll aeroportin, ashtu siç edhe pritej ndodhi edhe ballafaqimi i tyre me parashutistët britanikë, që ishin nën komandën e gjeneralit Jackson, i cili kishte urdhër nga komandanti i NATO-s për Evropë, aso kohe gjenerali Wesley Clark që të merrte kontrollin e aeroportit nga rusët me çdo kusht. Dhe kur britaniku Jackson nuk e zbatoi urdhrin e Clarkut me pretekst se nuk donte që ta fillojë luftën e tretë botërore në Sllatinë, gjenerali Clark u tërbua.

Mobi Casa

Në memoaret e të dy gjeneralëve ky incident përmendet shumë herë, ata fajësojnë njeri-tjetrin. E vërteta ishte se në ketë aeroport gjendeshin raketat e sofistikuara ruse SA 22, të cilat rusët po i bartnin me tren për në Serbi para se ato të binin në duart e aleancës atlantike. Ishin pikërisht këto raketa që ushtria serbe i kishte marrë nga Rusia gjatë embargos së armëve të kombeve të bashkuara, me çka edhe kishin rrëzuar aeroplanin 40 ditë më parë. Koha tregoi se informatat që posedonte gjenerali Jackson nga shërbimi ushtarak britanik ishin të sakta. Duke i lejuar rusët që t’i bartin raketat e tyre, ai evitoi një konflikt me pasoja të paparashikueshme. Disa muaj më vonë rusët u tërhoqën nga aeroporti i Prishtinës. Në prill të vitit 2009 një vrasje brutale tmerroi banorët e një lagjeje të qetë në Loudoun County të Virginias në SHBA. William Bennet një ish-kontraktor i CiA-s u rrah deri në vdekje, kur po shëtiste me gruan e tij, e cila mrekullisht i mbijetoi sulmit.

Bennet ishte personi që përcaktonte caqet e goditjeve gjatë bombardimeve të NATO-s në ish-Jugosllavi me 1999. Ai ishte përgjegjës për bombardimin e ambasadës kineze në Beograd, ku sipas raporteve të inteligjencës, në atë kohë në ndërtesën e Ambasadës, gjendeshin komandantë serbë të cilët po shfrytëzonin radiolidhjet kineze për ta udhëhequr luftën në Kosove. Tre të dyshuarit për vrasjen e tij nuk u zunë asnjëherë nga autoritetet amerikane.

Presidenti kinez, Jiang Zemin, në memoaret e tij e pranon se falë aeroplanit të rrëzuar në Serbi, Kina arriti ta zhvillojë aeroplanin e parë “stwath” J-20, ai po ashtu e vërteton tezën se në ambasadën kineze në Beograd po operonin zyrtarë të ushtrisë dhe inteligjencës serbe, dhe sipas tij, sinjali që po transmetohej nga ambasada u kap nga CIA, çka edhe e shkaktoi goditjen. Derisa lufta e fshehtë për teknologji po vazhdon dhe po intensifikohet, mbetet ta shohim se ku do të ballafaqohen fuqitë e mëdha në të ardhmen, përsëri në Ballkan, apo diku tjetër?