GRANDEMALL

“Lufta” për çdo kockë të shqiptarëve të vrarë

/ 9 minuta lexim
Mobi Casa

Shefi i Ekipit Mjeko-Ligjor nga Kosova, Arsim Gërxhaliu, po merr pjesë nga fillimi i gërmimeve në Rudnicë të Rashkës në Serbi, në kërkim të gjetjeve mortore të personave të vrarë në Kosovë nga forcat serbe gjatë luftës së fundit. Në një intervistë për Tribunën, ai rrëfen për punët që po bëhen në atë lokacion, sfidat dhe pritjet për gjetjen e rreth 250 mbetjeve mortore, të cilat konsiderohen se mund t’u takojnë personave të vrarë e të zhdukur më pas nga rajoni i Drenicës.

“Hapësira është relativisht e madhe. Bëhet fjalë për një kënetë, moçal që ka hapësirë relativisht të madhe e kufizuar me pjesën shkëmbore. Qëllimi ynë është që të bëhet kontrollimi deri në vijën natyrale të kënetës, do të thotë deri te pjesa shkëmbore ku nuk ka pasur gjasa të ketë pasur ndonjë ndryshim nga koha e luftës”, ka thënë në një intervistë për Tribuna, Arsim Gërxhaliu, i cili drejton ekipin mjeko-ligjor nga Kosova në gërmimet që po bëhen në Rudnicë të Rashkës.

Shefi i Ekipit Mjeko-Ligjor nga Kosova, Arsim Gërxhaliu, po merr pjesë nga fillimi i gërmimeve në Rudnicë të Rashkës në Serbi, në kërkim të gjetjeve mortore të personave të vrarë në Kosovë nga forcat serbe gjatë luftës së fundit. Në një intervistë për Tribunën, ai rrëfen për punët që po bëhen në atë lokacion, sfidat dhe pritjet për gjetjen e rreth 250 mbetjeve mortore, të cilat konsiderohen se mund t’u takojnë personave të vrarë e të zhdukur më pas nga rajoni i Drenicës.

Në intervistën e tij, Gërxhaliu shpjegon mundimet e “luftës” për të gjetur secilën kockë shqiptari, të vrarë në Kosovë, por të varrosur në Serbi, me qëllim të fshehjes së krimit.

Tribuna: Fillimisht, si po rrjedhin punimet për gjetjet e mbetjeve mortore në Rudnisë të Rashkës?
Arsim Gërxhaliu: Jemi duke punuar intensivisht së bashku me ekspertët e EULEX-it dhe palën serbe. Terreni është shumë i gjerë dhe jemi duke hapur vrima të mëdha testuese rreth e përqark në të cilin ka disa mbetje mortore. Përreth asaj pjese nëpër disa vende ende nuk ka dalë asgjë. Jemi në kërkim e sipër dhe ndoshta do të kërkojmë edhe një ekskavator më të madh sepse duhet të depërtojmë më në thellësi, ngase ky ekskavator që e kemi është i mirë, por nuk mund të depërtojë në nën 6 metra e gjysmë. E ndoshta do të duhet të shkojmë në thellësi deri në 9 apo 10 metra.

Tribuna: Në bazë të këtyre punimeve sa ka, kushtimisht thënë, shpresa që të gjinden mbetjet mortore të një numri që është përmendur prej 250 personave të vrarë e të zhdukur më pas?
Arsim Gërxhaliu: Njëherë për njëherë duke u bazuar në shpresa edhe ne jemi duke punuar. Ne kemi gjetur disa mbetje mortore por nuk bëhet fjalë për ndonjë numër relativisht shumë të madh, do të thotë për momentin. Vazhdimisht mblidhemi bëjmë analiza, diskutojmë, qasemi e kështu me radhë, por po e them edhe njëherë që jemi të varur edhe nga teknologjia. Do ta kemi edhe një takim më të gjerë të grupeve punuese profesionale të terrenit dhe do të shohim se cilët do të jenë hapat e mëtutjeshëm. Këtë lokacion e kemi lokalizuar dhe tani jemi duke punuar në largimin e të gjitha mbetjeve mortore që kemi gjetur këtu në mënyrë të ngadalshme, të kujdesshme, me vegla të vogla dore e kështu me radhë.

Tribuna: Sa kohë përafërsisht do të nevojitet që të arrihet deri te rrumbullakimi, përmbyllja e këtyre punëve?
Arsim Gërxhaliu: Po, gjithmonë planet nuk dalin ashtu si i planifikojmë. Pala serbe e ka dorëzuar një planifikim prej minimum 60 ditë pune duke mos pushuar fare as të shtunave e as të dielave. Ditën e mërkurë do të ndërpritet puna për shkak të festave të majit dhe do të rifillohet nga e hëna. Më pastaj 60 ditë pandërprerë do të punohet në lokacion.

ARKATANA

Tribuna: Pa nga ana teknike, sa jeni të kënaqur, a ju ofrohet gjithë aparatura, logjistika që keni nevojë për punë?
Arsim Gërxhaliu: Deri më tani krejt ka qenë në rregull. Edhe nga ana e jonë presim të kompletohemi këto ditë me disa gjëra që na nevojiten për terren. Mirëpo deri më tani krejt ka qenë në rregull. Të shohim tash në ditët në vijim se si do të rrjedhin punët sepse ndoshta do të kemi nevojë për një makineri pak më të rëndë dhe më të fortë sepse, siç e thashë, mund të tentojmë që të hyjmë edhe më thellë.

Tribuna: Këto mbetje mortore në atë pjesë, është thënë se mund t’i takojnë rajonit të Drenicës. Mendoni se një numër kaq i madh i mbetjeve mortore ka mundur të fshihet në Rudnicë?
Arsim Gërxhaliu: Po, këtu hapësira është relativisht e madhe dhe bëhet fjalë për një kënetë, moçal që ka hapësirë relativisht të madhe e kufizuar me pjesën shkëmbore. Qëllimi ynë është që të bëhet kontrollimi deri në vijën natyrale të kënetës, do të thotë deri te pjesa shkëmbore ku nuk ka pasur gjasa që të ketë pasur ndonjë ndryshim nga koha e luftës. Pas luftës dihet se cilat kanë qenë veprimet e tyre për t’i fshehur mbetjet dhe kjo është vërtetuar. Por, e thashë për momentin ne jemi të përqendruar në këtë lokacion që të bëjmë pastrimin, largimin e tyre dalëngadalë sepse janë të ngjeshur në dhe, nën asfalt dhe me gurë.

Tribuna: Nëse lëshohemi në një aspekt më të gjerë të këtij problemi. Kosova dhe Serbia ka vite që bisedojnë për këtë çështje. A keni rekomandime se edhe në cilat lokacione duhet të punohet në bazë të informatave të deritashme për vendndodhjen e mundshme të mbetjeve mortore?
Arsim Gërxhaliu: Që dhjetë vjet punojmë dhe i takoj komisionit për të pagjeturit dhe jam anëtari i vetëm i përhershëm i këtij komisioni. Sugjerimet tona gjithmonë mbështeten në një fakt, do të thotë në gjetjen e informatave për lokacionin e mundur. Do të thotë vazhdimisht ne luftojmë për këtë çështje. Kur gjendet ndonjë informatë përafërsisht e cila do të jetë sadopak e besueshme, atëherë kjo do të krijojë një besueshmëri për kërkesën e urdhrit nga prokurori për t’iu qasur dhe kontrolluar vendin. Kjo është ajo kërkesa jonë e vazhdueshme në këtë aspekt. Edhe pse ju kam thënë edhe më herët që këtu në Rudnicë janë dy apo tri lokacione që duhet të kontrollohen. Ky lokacion ku janë gjetur këto mbetje mortore është i pari që ka rezultuar me gjetje dhe normalisht që ne nuk largohemi nga ky lokacion pa e pastruar. Por, nuk janë lënë anash as lokacionet e tjera, por pa përfunduar këtë punë nuk mund të shkojmë në tjerat.

Tribuna: Po si emra të këtyre lokacioneve që mund të pasojnë gjurmimet në të ardhmen. Është përmendur Bori, e vende tjera?
Arsim Gërxhaliu: Çdo informacion është vend potencial. Çdo informacion duhet të studiohet, analizohet me ekspertë, me hetues. Kemi edhe njësitet për krimet e luftës, kemi ekspertët, hetuesit e EULEX-it, pastaj komunikimi me palën serbe dhe nuk do të ndalet kërkimi. Por, e thashë që informacionet duhet të jenë paksa të besueshme për t’iu qasur një terreni më seriozisht.

Tribuna: Sa është i vështirë vetë procesi i identifikimit të mbetjeve mortore, dhe sa mund të shpresojnë familjarët se mund t’i identifikojnë të afërmit e tyre?

Arsim Gërxhaliu: Paraprakisht në takimet e mëhershme që i kemi pasur, do të thotë edhe në takimet e grupeve të ekspertëve, jemi dakorduar, sepse në këtë proces janë të përfshirë shumë akterë dhe kemi marrë përgjigjen se çdo mostër që e dërgojmë në Komitetin Ndërkombëtar për Persona të Pagjetur në Bosnjë, prej momentit që ata e marrin mostrën, pjesën kockore, për katër deri në gjashtë javë do ta kthejnë analizën e ADN-së. Do të thotë kjo është procedura pasi që ne e dorëzojmë mostrën dhe ata e pranojnë atë. E thashë që ne për momentin do të bëjmë pastrimin e këtij lokacioni, që t’i nxjerrim mbetjet mortore, pjesët kockore, t’i qesim në tendën të cilën e kemi dhe tavolinën punuese dhe më pas bëhet edhe puna mjeko-ligjore, do të thotë të kryhet obduksioni i të njëjtave dhe të mos bëhen gabimet që janë bërë më herët në Batanjicë, që puna të shkojë rrjedhshëm dhe me kujdes të veçantë dhe pastaj kur të kthehen analizat dhe krijohet një numër i mbetjeve do t’i tërheqim sa më shpejt që të jetë e mundur në departamentin tonë të Mjekësisë Ligjore në Prishtinë.

Tribuna: Krejt në fund, a ka mbetje mortore në Prishtinë që ende nuk janë identifikuar?
Arsim Gërxhaliu: Ka diçka prej mbetjeve. Kemi thënë edhe më herët që ka disa familje që nuk kanë dhënë gjak. Do të thotë disa mbetje nuk mund të lidhen me mostrën e kundërt, do të thotë me dhënësit e gjakut. Ka pastaj disa pjesë kockore të cilat janë të gatshme për ribashkim dhe kemi një sasi prej minimum 7 kilogramëve pjesë kockore të djegura për të cilat nuk mund të gjendet pjesa organike apo thjeshtë për momentin nuk mund të bëhet analiza e ADN-së sepse nuk ekziston një analizë e tillë apo një teknologji e tillë e cila do të mund të nxirrte nga pjesa e djegur e pjesës kockore profilin gjenetik.

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Nëse e çaktivizoni këtë cookie, ne nuk do të jemi në gjendje t'i ruajmë preferencat tuaja.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.