United Hospital

Lufta e UÇK-së ishte e pastër

/ 6 minuta lexim
Uji Dea

Kërkohet arrestimi i kriminelëve serbë që kryen krime në Kosovë, për të cilët ka denoncime që nuk janë trajtuar nga asnjë gjykatë, si dhe të ndalen fletarrestimet për ish-ushtarët e UÇK-së.

Fletarrestimet e lëshuara nga Serbia, që kanë çuar në arrestimin dhe ish-gjykimin e shumë pjesëtarëve të UÇK-së, kërkohet të ndalohen. Këshilli për Mbrojtjen, të Drejtat dhe Liritë e Njeriut (KMDLNJ) e ka quajtur të domosdoshme që shteti francez t’i kërkojë falje publike Haradinajt për mbajtjen e tij të pafajshme për katër muaj në këtë shtet.

Ndërsa, organizata “Thirrjet e nënave”, e themeluar nga nënat që fëmijët u janë rrëmbyer gjatë luftës, ka apeluar që të arrestohen dhe të ndëshkohen kryerësit serbë të krimeve ndaj popullatës civile në Kosovë, duke kërkuar po ashtu të enjten që ndaj ish-luftëtarëve të UÇK-së të ndërpriten fletarrestimet. Kjo organizatë ka deponuar në institucionet vendore dhe ndërkombëtare fakte se krimet në Kosovë janë kryer nga kriminelët serbë vendas dhe ata të ardhur nga Serbia.

Nystrete Kumnova, përfaqësuese e organizatës “Thirrjet e nënave”, thotë se ndaj kriminelëve serbë nuk janë ngritur fletarrestime nga asnjë shtet dhe nuk janë mbajtur ndonjëherë të arrestuar apo që ndonjë nga ta t’i nënshtrohet ndonjë procesi gjyqësor. Ajo ka shprehur pakënaqësinë e saj me njollosjen e ish-luftëtarëve të UÇK-së për krime lufte, përderisa sipas saj kriminelët serbë të cilët kryen krime në Kosovë nuk janë arrestuar e as nuk janë ndëshkuar deri më tani. Kumnova thotë se pas përfundimit të luftës të gjithë familjarët kanë treguar se i njohin kriminelët që ua kanë rrëmbyer fëmijët, motrat, nënat, gratë…

Organizata “Thirrjet e nënave” kërkon të ndalohen fletarrestimet ndaj shqiptarëve

“Të gjithë i kemi njohur sepse kriminelët serbë i kanë udhëhequr serbët e komunave të Kosovës. Ata u kanë prirë kriminelëve që kanë ardhur nga anembanë Serbia”. Kumnova thotë se si familjarë kanë denoncuar dhe kanë kërkuar që kryerësit e krimeve të dënohen. “Kemi bërë fushata, kemi vendosur fotografi me emra dhe mbiemra të kryerësve të krimeve. Asnjëherë askush nuk është interesuar që të dënohen kriminelët. Kjo është shumë e dhimbshme që djemtë tanë ndiqen, ndërsa dihet që serbët kanë ardhur dhe kanë vrarë e masakruar në Kosovë”.

Mobi Casa

Kumnova thotë se sikur rasti i Ramush Haradinajt, i Fatmir Limajt dhe të tjerëve nuk është dashur asnjëri nga ta të arrestohet apo të shkojë në Tribunal të Hagës pasi, sipas saj, edhe nëse kanë luftuar ata e kanë mbrojtur vendin e tyre dhe popullatën civile shqiptare. “Kjo po bëhet e padrejtë. Unë mendoj që zëri i institucioneve tona që nuk po ngrihet ose nuk po na përkrahin që të ngremë padi në mënyrë institucionale të përgjithshme për gjithë ata mijëra shqiptarë që janë rrëmbyer, janë vrarë dhe janë zhdukur dhe kjo po u lë hapësirë që prapë të dënohen, të merren shqiptarët nëpër tribunale dhe të dënohen për krime lufte”, ka thënë Kumnova për gazetën.

Ndërkaq Shkodran Hoti, zëdhënës në lëvizjen “Vetëvendosje”, ka thënë se Haradinaj është liruar, por urdhërarrestimet e Serbisë për ish-luftëtarët e UÇK-së nuk janë shfuqizuar. “Haradinaj mund të arrestohet prapë e nëse jo në Francë, në Itali ose diku tjetër. Nëse jo Haradinaj, ndonjë bashkëluftëtar i tij. Prandaj tupanët që sot po bien për të festuar lirimin e tij do të ishte mirë të zëvendësoheshin me thirrje ndaj Qeverisë për ta kushtëzuar Serbinë”, ka thënë ai.

KMDLNJ: Franca si shtet t’i kërkojë falje publike Haradinajt

Behxhet Shala, kryetar i KMDLNJ-së, ka thënë se pastërtia dhe mospastërtia e ish-luftëtarëve të UÇK-së nuk mund të lidhet me krejt organizatën, pasi, sipas tij, përgjegjësia është individuale. “Edhe në UÇK dhe çdo kund përgjegjësia është individuale. Ramush Haradinajt i është bërë e padrejtë, ai është mbajtur katër muaj në Francë dhe tani Franca ka për detyrim të kërkojë falje publike dhe t’i kompensojë të gjitha dëmet morale që i janë bërë. Kjo është shumë e padrejtë dhe e pamoralshme njeriu të mbahet në burg katër muaj dhe t’i thuhet pastaj shko në shtëpi se jeni i pafajshëm”. Shala thotë se Franca duhet patjetër t’i kërkojë falje morale Haradinajt sepse ka vuajtur në çdo aspekt si shpirtëror, familjar.

Ai thotë se institucionet e Kosovës kanë bërë sa kanë mundur në kuadër të mundësive që është lejuar. Sipas tij, institucionet nuk kanë pasur të drejtë të ndërhyjnë. “Ai ka qenë një proces gjyqësor dhe çdo gjyqësor është i pavarur dhe nuk lejon ndërhyrjen politike”. Shala thotë se kërkesa e institucioneve tona që të largohet dikush nga lista edhe ajo nuk është e lejuar publikisht. “Bisedime të fshehta apo marrëveshje mund të bëjnë, publikisht nuk mund ta bëjnë”. Ai mendon se institucionet e Kosovës nuk mund të bëjnë asgjë për secilin që mund të jetë në vend të Haradinajt. “Qeveria nuk mund të ndërhyjë në proces gjyqësor. Nuk mund të kërkojë të ndalohet fletarrestimi ndaj askujt sepse ajo konsiderohet ndërhyrje në drejtësi. Mund të kërkojnë largime nga lista të ndryshme vetëm përmes marrëveshjes së fshehtë diplomatike”. Shteti i cili bën listat, sipas tij, e vlerëson se kur i aktivizon ato. “Ka shtete shumë të fuqishme që pa argumentuar kanë bërë edhe ekzekutime të njerëzve të pafajshëm”, thotë ai. /zeri/

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.