RCCOLA

Lufta e klasave në Zululand

/ 4 minuta lexim
Hidromorava

Nga Berat Buzhala – Ose kur Dardani (Islami) nga rrethi i Ferizajt, Arbeni (Kastrati) nga Karaçeva e Kamenicës, Besnik (Pula) has gjakovar, e edhe Baton Haxhiu nga Pokleku me Jet Set’in e tij, ftojnë për qërim hesapesh me fshatarësinë, në emër të qytetarisë.

Deni-Zulla-Sepia, tek Faik Konica, është një politikan i Zulluland’it, që rend nëpër botë dhe kthehet tek fiset e tija për t’u treguar se çka po mendon Parisi e Londra për fisin e tyre. Ky ishte një mashtrues tipik që po lozte pastër me mungesën e kulturës dhe edukatës së fisit të tij.

Dhe kur Deni-Zullu-Sepia kthehej nga Europa – normalisht me lajme të mira – ai pritej me shumë muzikë, e patjetër edhe me shumë mish. Si hero. Në anën tjetër, letrat e tij në gjuhën angleze dhe në gjuhën frënge, po i zinin frymën prej të qeshurave personaliteteve të kulturave europiane, duke e parë paditurinë e këtij zulu’je. E rëndësishme është që të mos ndalet vallja, e sidomos mishi.

Në anën tjetër, Konica e ka edhe personazhin tjetër në rrëfimin tij prej Zulluland’it, Plugun, i cili më kot përpiqet t’i kthej zullutë nga një komb pa dinjitet dhe atdheun e tyre në një vend të bashkuar, të lirë, të qytetëruar e me nder.

“Vetëm gjysmë të mësuarit kujtojnë se i kanë mbaruar mësimet”, thoshte Plugu.

Fundamenti

Me një koleg timin deputet sot në Kuvendin e Kosovës e zhvilluam një bisedë të shkurtër rreth intervistave që i dhanë mbrëmë në Rubikon disa personalitete të çuditshme, ish-pjesëtarë të UDB’së jugosllave. Me kokën lart e plot krenari – sikur të kishin qenë krahu i djathtë i Adem Jasharit – po shisnin me gjoja informatat që i posedonin. Përndryshe, siç mora vesh ky Mehmet Loci në vitet e 80’ta i kishte shtruar në dajak shqiptarët pa kurrfarë mëshire, e edhe pa nevojë.

Kolegu im deputet po më pyeste se si është e mundur që tash këta njerëz të dalin pa fijen e turpit e të etiketojnë majtas e djathtas, se qysh institucionet tona janë të mbushur me njerëz të UDB’së. Shpjegimi im, për të, ishte se aq shumë është katandisur pushteti, sa tash edhe Mehmet Loci dhe kompania e tij do ta nxjerrin kokën pa frikë se do të gjykohen prej opinionit publik. I thash, se kemi ardhur në situatë se një pjesë e opinionit më me simpati do të fillojë t’i sheh ata – ish UDB’shet, se sa – për fatin tonë të keq – ish pjesëtarët e UÇK’së, e po se po se ish-pjesëtarët e SHIK’ut. Sepse krimi i këtyre të fundit – pra i joni – është më i freskët, se sa krimi i tyre, që ka nisur të harrohet, ndonëse për nga sasia e cilësia janë të pakrahasueshëm. Pra, se askujt sot pothuajse nuk i intereson se kënd e ka rrahur në vitet e 80’ta Mehmet Loci, a kënd e ka dënuar ndonjë gjyqtar, a kënd e ka vrarë dikush tjetër. Sepse kjo ka ndodhur moti, e sigurisht se – siç do të thoshte Mark Twain – Komedia nuk është gjë tjetër pos tragjedia plus koha.

Ndërsa, marrë parasysh ketë dhe – qe një rast konkret – shthurjen e Universitetit të Prishtinës, me fajin tonë. Tash nëse e krahason të keqën që ia shkaktojnë vendit tonë sot, çdo minutë që qëndrojnë në pushtet, Ibrahim Gashi e Ramë Buja, dhe të keqën që ia kanë shkaktuar vendit, hajt po them Fadil Hoxha e Rexhai Surroi me kompani, tash patjetër që opinioni të parët do t’i shikojë në mënyrë shumë më armiqësore, sepse të dytë moti kanë hapur rrugë.

Por fatkeqësia është se për fajin e të parëve, pra të Ramave, Ibrahimave, Besimave, Rexhepave, të dytët, përmes pasardhësve të tyre, si Dardanat, Vetonat, Besnikat – Batoni në anën tjetër përqeshet barabërsisht prej të dyja grupeve – po përpiqen që t’i pastrojnë krimet e komunizmit dhe të baballarëve të tyre, duke ngrehur paralelizma banal si fshatarë e urbanë, e ku! në Zulluland.